Francë, kthehet në atdhe akademikja franceze e burgosur në Iran
Një akademike franceze që u mbajt në Iran për 10 muaj nën akuzat për spiunazh, rikthehet në shtëpinë e saj në Paris. 24-vjeçarja Clotilde Reiss mbërriti në kryeqytetin e Francës të dielën pasdite, ku më pas u takua me presidentin Nicolas Sarkozy.
Reiss u lirua pasi avokati i saj pagoi për autoritetet iraniane një gjobë prej 300.000 dollarësh. Reiss u arrestua vitin e kaluar për fotografitë e realizuara në protestat e mijëra pjesëtarëve të opozitës iraniane kundër qeverisë së Teheranit gjatë vitit të kaluar. Protestuesit i patën cilësuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të manipuluara pas fitores së presidentit Mahmoud Ahmadinejad. Krahas gjobës Reiss u dënua edhe me 10 vjet burgim. Reiss u lirua disa ditë pasi një gjykatë franceze hodhi poshtë në një çështje tjetër, kërkesën e Shteteve të Bashkuara për dëbimin e një inxhinieri iranian nga Franca, të dyshuar për shkeljen e embargos së vënë nga SHBA-ja ndaj Teheranit.