E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë, nis “gjyqi” për turpin e Botërorit

PARIS-Ka nisur në Paris procesi ndaj pjestarëve të kombëtares franceze që mori pjesë në Botërorin e Afrikës së Jugut, në një nga edicionet më të turpshme të saj. Komisioni Disiplinor i Federatës Franceze ka thirrur për të marrë në pyetje shumë futbollistë, si Tulalan, Abidal apo Patris Evra, por edhe ish-trajnerin Domenek, ish-presidentin e Federatës Eskalet apo anëtarë të tjerë të stafit. Mungesa e madhe ishte shkaktari kryesor i skandalit, Nikolas Anelka, që sipas mediave franceze nuk është bërë fare i gjallë. Përpara hyrjes në selinë e Federatës, përgatitësi atletik Zhan-Luis Valentin, njeriu i cili pati një përplasje deri fizike për të mos lejuar futbollistët që të bojkotonin stërvitjen para ndeshjes me Afrikën e Jugut, u shpreh se procesi më në fund do t’i japë një drejtim skandalit që ndodhi në kampionatin botëror. Franca u kthye në skuadrën më qesharake të Botërorit, pas sherreve mes futbollistëve dhe përjashtimit të Anelka për një sharje të rëndë ndaj Domenek. Kjo çoi në bojkotimin e stërvitjes para ndeshjes së fundit, aq sa edhe presidenti Nikola Sarkozi ndërhyri për të kuptuar shkaqet e këtij turpi. Më pas kombëtarja e Gjelave u eliminua që në grup, pas 1 barazimi dhe 2 humbjesh.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›