E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë, pritet humbja e Sarkozisë në zgjedhje

Votimet Sondazhet tregojnë për fitore të socialistëve në zgjedhjet administrative

Miliona francezë sot do të votojnë në raundin e parë të zgjedhjeve administrative, por ajo çka përbën më shumë rëndësi ka të bëjë me faktin se pritet një humbje e thellë e të djathtës së Presidentit Nikolas Sarkozi. Po ashtu, këto zgjedhje mund të shërbejnë si trampolinë për socialistët për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012. E majta që prej 2004 ka drejtuar 24 nga 26 rajonet franceze, përveç Korsikës dhe Alsazisë, duket se është shumë afër realizimit të planit të saj, kjo edhe për shkak të uljes së popullaritetit të Presidentit. “Shumë rrallë një votim rajonal ka marrë dimension kaq kombëtar”, ka shkruar gazeta “Liberation”. Sipas sondazheve të fundit, turi i parë do të karakterizohet nga një përplasje “kokë më kokë” mes mazhorancës dhe socialistëve në opozitë. Por në turin e dytë që do të mbahet më 21 mars, PS mund të mbështetet edhe te vota e të gjelbërve dhe tek e majta radikale. Sarkozi ka siguruar se në rast humbjeje të UMP-së, nuk do të ndryshojë as politika dhe nuk do të bëhen ndryshime në qeveri. Në fakt, më tepër se sa rëndësia e këtyre zgjedhjeve, në lojë është shëndeti politik i Sarkozisë. Kjo sepse deri në vitin 2012, kur do të mbahen dhe zgjedhjet presidenciale, nuk do të ketë mundësi të tjera për “të matur” mendimin e elektoratit. Aktualisht e djathta ka pushtet vetëm në dy rajone, pasi të tjerat qeverisen nga socialistët. Sipas sondazhe dhe opinioneve, ka shumë mundësi që të gjitha këto zona të ngjyrosen me të kuqe, ashtu siç ka theksuar sekretarja socialiste, Martine Aubry, në të gjithë mitingjet e zhvilluar para zgjedhjeve. Kështu, sondazhet e fundit janë pothuajse unanimë: në raundin e parë, PS qëndron në krye me 30 për qind, e ndjekur më pas nga UMP me një distancë të shkurtër. Por, përveç asaj që pritet të ndodhë, një tjetër e dhënë e sigurt është “rënia” me hapa të paimagjinueshëm të Sarkozisë. Ndryshe nga dy vjet e gjysmë më parë, që dukej një President “gjigand: me besim dhe energji të pashtershëm, sot ai duket i pasigurt, i lodhur, nervoz. Një arsye e kësaj lodhjeje mund të jenë edhe zërat për krizë në jetën e tij bashkëshortore. Gjatë vizitës së tij në Londër, i pyetur në lidhje me këtë fakt, Sarko iu përgjigj: “Nuk kam asnjë sekondë kohë për t’u marrë me këto thashetheme të pabaza”. Ndërkaq, kreu i Elizesë është përpjekur të minimizojë situatën dramatike: “Zgjedhje rajonale, pasoja të tilla. Zgjedhje kombëtare, pasoja kombëtare”, tha ai. Dhe të mendosh se vetëm pak kohë më parë ishte pikërisht Sarkozi ai që i atribuoi vlerën e një testi politik kombëtar zgjedhjeve administrative, aq sa kërkoi një angazhim direkt të ministrave të tij.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›