E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimet dhe doganat, pak të ardhura në buxhet

Plani Papajani pranon rënien e të ardhurave. Ja shkaqet

Rreziku më i madh për ekonominë shqiptare në vitin 2010 është paralajmëruar qëndrueshmëria e buxhetit dhe financave të qeverisë, që po kalojnë periudhën më të vështirë të viteve të fundit.
Në një intervistë për “Top Channel”, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, tregon se të ardhurat fiskale gjatë kësaj periudhe nuk janë rritur edhe krahasuar me të njëjtin vit më parë, kur kriza ndërkombëtare hyri në pikun e saj.

Për muajin janar, administrata tatimore kishte mbledhur rreth 13 miliardë e 300 milionë lekë, nga 13 miliardë e 500 milionë lekë të arkëtuara në vitin 2009 për të njëjtën periudhë.

Veç ngadalësimit të aktivitetit ekonomik, rënia e të ardhurave është e lidhur edhe me uljen e investimeve publike, por edhe vështirësitë financiare të disa tatimpaguesve të mëdhenj, kryesisht shoqëri publike.

“Do të ishin shumë të larta, në rast se dy-tre tatimpagues potencialë do të kishin qenë korrektë dhe do të kishin shlyer në kohë detyrimet”, u shpreh Papajani.

Tjetër fakt që ka ndikuar në rënien e të ardhurave nga tatimet është përfundimi i punës në Rrëshen-Kalimash nga firma amerikano-turke “Bechtel & Enka”, e cila një vit kalendarik kryente rreth 300 milionë dollarë volum pune. Ndërkaq, nën zë tatimet pranojnë se plani i vendosur nga Ministria e Financave është disi i ekzagjeruar, duke pasur parasysh krizën ekonomike, e në këtë pikë diferencat me mosrealizimin dalin të mëdha.

Të dhënat zyrtare tregojnë se edhe në dogana të ardhurat e mbledhura për janarin ishin rreth 9 për qind më të ulëta nga plani, duke paralajmëruar se këtë vit qeverisë do t’i duhet t’i bëjë mirë llogaritë e buxhetit, për të shmangur një krizë të financave publike. Kriza në dogana lidhet kryesisht me rënien e tregtisë me jashtë, konkretisht të importeve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›