E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë, të shtëna armësh para një shkolle, 4 viktima

FRANCË- Një ngjarje e rëndë është shënuar në një shkollë hebraike në jug perëndim të Francës, sic raporton BBC.

Të paktën 4 persona kanë mbetur të vdekur pas të shtënave me armë para godinës së shkollës në Toluzë të Francës.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, 3 prej viktimave janë fëmijë dhe dyshohet se janë nxënës të kësaj shkolle.

Ata thonë se zjarri është hapur nga një burrë, i cili pas sulmit është larguar me motocikletë.  Burimet shtojnë se autori i ngjarjes ishte i pajisur me dy armë, njëra prej të cilave e të njëjtit kalibër si ajo e përdorur për vrasjet e ushtarëve në Tuluzë dhe Montauban.

ADULTI I VRARË NGA TË SHTËNAT ISHTE FRANKO-IZRAELIT 
Adulti i vrarë sot nga të shtënat para një shkolle hebraike në qytetin francez Tuluzë, që i kushtoi gjithashtu jetën tri fëmijëve, ishte një
franko-izraelit me origjinë nga Jeruzalemi, njoftoi një i afërm i viktimës.
"Jonathan Sandler u vra nga të shtënat në Tuluzë. Ai ishte nisur shtatorin e kaluar nga Jeruzalemi për një mision dy vjeçar për të dhënë mësim lëndë hebraike në Tuluzë", deklaroi burimi.
Sipas bilancit të fundit, katër persona, përfshirë tri fëmijë, u vranë nga të shtënat para një kolegji hebraik në Tuluzë, në jugperëndim të Francës.
"Një profesor feje 30 vjeç, fëmijët e tij përkatësisht tre dhe gjashtë vjeç, dhe një fëmijë tjetër 10 vjeç, u vranë nga një person i armatosur, i cili erdhi me një motor tip scooter", deklaroi prokurori i Tuluzës, Michel Valet, duke përcaktuar se të shtënat kishin shkaktuar gjithashtu një të plagosur rëndë.

NETANJAHU DËNON VRASJEN E URRYER TË HEBRENJVE NGA TË SHTËNAT NË TULUZË
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka dënuar vrasjen e urryer të hebrenjve, përfshirë fëmijë, pas të shtënave përpara një shkolle hebraike në Tuluzë, në jugperëndim të vendit, që ka shkaktuar sot katër të vdekur.
"Në Francë sot, pati një vrasje të urryer të hebrenjve, duke përfshirë fëmijë", deklaroi kryeministri Netanjahu përpara anëtarëve të partisë së tij të djathtë "Likud".
"Është shumë herët për të ditur saktësisht se cilat janë rrethanat e këtij akti vrasës, por ne nuk mund të përjashtojmë mundësinë se ishte i motivuar nga një antisemist i dhunshëm dhe i përgjakshëm", tha kryeministri Netanjahu.
Kryeministri izraelit shprehu besimin se presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe qeveria e tij do të bënin gjithçka për të gjetur vrasësin, duke ofruar ndihmën e Izraelit, nëse do të ishte e nevojshme.

(d.b/ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Sarkozi: Tragjedi kombëtare FOTO: Foto nga vendngjarja VIDEO: Francë, të shtëna armësh para një shkolle, 4 viktima

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›