E Shtunë, 31 Tetor 2026

Francë,kriza prek edhe kabaretë pariziene

Pas bankave, fabrikave dhe tregjeve, tani është radha e jetës pariziene të kabareve që të goditen rëndë nga kriza ekonomike. Madje të ashtuquajturat vajzat 'can-can' nuk mund të shmangin rënien në sektorin e turizmit. Kabare të ndryshme janë detyruar që të gjejnë zgjidhje për të zbutur impaktin e krizës. Kabareja magjepsëse "Lido", që ndodhet në 'Champs Elysees' ofron çmime speciale on line. "Paradis Latin", në lagjet romantike dhe të gjalla latine është mbyllur për tri netë në javë gjatë këtij muaji. Zgjidhja më radikale vjen nga "Bobin'O", që ka vendosur që të mbyllë dyert për të paktën pesë muajt e ardhshëm. Madje edhe e famshmja "Moulin Rouge" ka pranuar se ka pësuar rënie në klientelën e saj. "Moulin Rouge, ashtu si e gjithë industria franceze e turizmit, po ndjen efektet e krizës. Por ne harrojmë se kishim arritur nivele shumë të larta tre vitet e kaluara. Ne ishim në 100 përqind të rendimentit dhe që nga mesi i janarit, kemi rënë me gati 15 përqind", shprehet Olivier Villalon, menaxheri kryesor i "Moulin Rouge". Pavarësisht rënieve, vajzat kërcimtare gjysmë të zhveshura do të jenë gjithmonë një kurë ndaj stresit të përditshëm, në mesin e krizës ekonomike. "Ne jemi një anti-depresant më i lirë se Prozaku, për këtë motiv vijnë edhe njerëzit. Kur ata dalin nga kabareja; pas katër orësh, kur kanë ngrënë darkë dhe kanë ndjekur shoun, ata i harrojnë problemet e përditshme. Ata dalin me një buzëqeshje. Ne shpresojmë se do ta kalojmë këtë periudhë krize", shton Villalon. Kabaretë franceze janë një pjesë integrale e imazhit turistik të Parisit. Varieteti i gjërë i vizitorëve, të huaj dhe francezë, biznesmenë e turistë, të rinj e të vjetër, siguron mbijetesën e bareve të kërcimit, pavarësisht krizës. "Nëse njerëzit kanë bërë përpjekje për të vizituar Parisin, me siguri që do të shkojnë edhe nëpër kabare. Ndoshta ata nuk do të shkojnë për të ngrënë darkë, por vetëm për pjesën e dytë të shout, ku ndjekin kërcimtaret dh pijnë një gjysmë shisheje shampanjë. Por unë akoma besoj se të vish në Paris, ashtu sic viziton kullën Eifel, vizitat në kabare janë të pashmangshme", thotë Pol Roll, drejtori i zyrës pariziene të turizmit. Çmimet për një eksperiencë të paharrueshme në kabaretë e Parisit, variojnë nga 45 euro për të ndjekur vetëm spektaklin, deri në një mijë euro, për të përfituar një shërbim me limuzina VIP dhe darkën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›