E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Transparenca e zgjedhjeve, dëshmi e funksionimit të shtetit ligjor”

21-06-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha përshëndet deklaratën e ministrave të Jashtëm të BE, garanton respektimin e vendimeve të institucioneve të pavarura

Kreu i ekzekutivit Sali Berisha përshëndeti dje deklaratën e diplomatëve të Brukselit, ndërsa garantoi se mazhoranca do të respektojë çdo vendim të institucioneve të pavarura, lidhur me procesin zgjedhor të 8 majit.
Nga mbledhja e grupit kuvendor demokrat, Berisha iu referua deklaratës së ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, ku shtoi se “ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kërkojnë nga forcat politike të vendit respektimin e plotë të shtetit ligjor dhe të institucioneve të pavarura të tij. Në këtë kontekst dua të theksoj para jush se, duke mbështetur plotësisht vendimet e institucioneve të pavarura, në vlerësim dhe gjykimin e procesit zgjedhor, dua të shpreh kënaqësinë dhe vlerësimin tim të madh për shkallën maksimale të transparencës së dëshmuar në këtë proces, vendosmërinë e palëkundur për të respektuar vendimet e institucioneve tona të pavarura. Pra takimi i Luksemburgut është një thirrje në interesin më të mirë të çdo qytetari të këtij vendi, të çdo force politike të këtij vendi. Është një ofertë jashtëzakonisht e rëndësishme, në mënyrë që procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian të ecë me ritmet e merituara. Uroj që të lexohet njëlloj nga të gjitha forcat politike të vendit. Garantoj partnerët tanë se qeveria do të bëj gjithçka për funksionimin e shtetit ligjor dhe respektin e tij, funksionimin e institucioneve kushtetuese, dialogun dhe bashkëpunimin kushtetues me opozitën dhe forcat politike të vendit”, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se leximi drejt i çdo vote të qytetarëve shqiptarë dhe transparenca e votës së tyre, është dëshmi e qartë e funksionimit të shtetit ligjor. “Kjo që po ndodh në Shqipëri është dëshmi e pakundërshtueshme e funksionimit të shtetit ligjor. Ka qenë dhe bindja ime e palëkundur që ky shtet, në këtë vend, është shumë herë më i fortë nga ç’mund ta mendojnë, nga ç’mund ta vlerësojnë skeptikët. Këtë po e fakton në çdo hap. Ndaj dhe presim përfundimin e këtij procesi në kuadër tërësor institucional”, tha më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›