E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, vazhdon moti i ftohtë e reshje dëbore

KORçë-Në rajonin e Korçës edhe gjatë natës dhe në mëngjesin e ditës së martë moti ka qenë me temperatura të ulta dhe me reshje dëbore. Sipas shërbimit metrologjik të Komandës Ushtarake Rajonale të Korçës, gjatë natës temperatura më e ulët ka qenë minus 5 gradë celcius, ndërkohë që në orën 10.00 te dites se sotme ka qenë minus 1 gradë celcius. Në qytetin e Korçës ka rënë 10 cm dëborë, ndërkohë që në zonat malore trashësia e dëborës arrin 35 deri 40 cm.
Sipas Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Korçë të gjitha rrugët gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit kanë qënë të ngrira dhe të mbuluara me dëborë, e cila ka rënë gjatë gjithë kohës. Sipas tij, që në orët e para të mëngjesit mjetet borëpastruese kanë punuar për të pastruar rrugët dhe ka filluar të bëhet edhe kriposja e tyre. Akset rrugore Korçë- Qafëthanë, Korçë- Kapshticë dhe Korçë- Ersekë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Të kalueshme me zinxhirë janë edhe rrugët e Liqenasit dhe të Voskopojës, ndërkohë që e bllokuar është rruga e fshatit turistik të Dardhës dhe disa komuna malore si, Lekasi në rrethin e Korçës dhe komuna e Velçanit në rrethin e Pogradecit. Aktualisht po punohet për hapjen e këtyre rrugëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›