E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, në krye të përpjekjeve për heqjen e menjëhershme të vizave për shqiptarët

Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini ka rikonfirmuar dje në samitin e Sllovenisë vendimin e paravendosur të Bashkimit Evropian për heqjen e menjëhershme të vizave për qytetarët shqiptarë, meqenëse janë përmbushur kushtet teknike të dokumenteve të identitetit. Italia shfaq sërish interes për bashkëndërtimin e centraleve bërthamore me Slloveninë dhe Shqipërinë

Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini ka ripërsëritur dje se rruga e vetme e Ballkanit, është ajo drejt BE-së. Nga ana tjetër, ai ka rikonfirmuar interesin dhe gatishmërinë për ngritjen e centraleve nukleare si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri.
Një qëndrim të tillë, Ministri Jashtëm italian e ka ripërsëritur gjatë fjalës së tij në Forumin Ndërkombëtar “Skenarët e zhvillimit në zonën Adriatik - Ballkan”, të zhvilluar nga rajoni i Friuli Venezia Giulia në Slloveni.
Temat qendrore të këtij takimi dyditor, ka qenë energjia, si edhe gjetja e mënyrave kontribuese përmes krijimit të marrëveshjeve shumëpalëshe për të siguruar autonominë e energjisë së zonës Adriatik - Ballkan. Objekt diskutimi ishte gjithashtu edhe sektori i transportit, veçanërisht gjetja e mundësive për një “autostradë në det” në mënyrë që të zvogëlohen kostot e transportit të produkteve të synuar, duke krijuar një rrjet të dendur e lidhjeve në mes atë zonë dhe tri korridoret kryesore evropiane. Kjo mundësi, shihet edhe më me prioritet, po të kihen parasysh edhe reduktimet e ndotjes dhe nivelin e mbingarkesës së rrugëve dhe magjistraleve.
Në diskutimet për integrimin e rajonit të Ballkanit, Frattini ka përsëritur të njëjtin qëndrim, jo vetëm ndaj Shqipërisë, por ndaj gjithë vendeve të këtij rajoni, sipas të cilit, rruga e tij është drejt Europës, duke veçuar edhe faktin se Ballkani prej disa kohësh ka nisur të ecë drejt një paqe të konsoliduar dhe një integrimi progresiv. Në fjalën e tij në forumin e mbajtur në Goriza të Sllovenisë, për “Skenarët e zhvillimit Adriatiko - Ballkanik”, Frattini ka theksuar se Bashkimi Europian nuk ka më dilema për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perendimor. Duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave, Frattini ka theksuar se edhe për Kosovën Komisioni Europian duhet të nisë dialogun për heqjen e vizave. “Liberalizimi i vizave është në fuqi me Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë. Impenjimi është që edhe Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina mund të arrijnë objektivin brenda vitit, duke arritur progres në parametrat e kërkuar nga Bashkimi Europian. Në mënyrë analoge mendojmë se dialogu për heqjen e vizave mund të fillojë shumë shpejt edhe për Kosovën”, ka deklaruar ministri i Jashtëm Frattini. Në një vlerësim historik për rajonin, ministri i Jashtëm italian është ndalur gjerësisht te Shqipëria si vendi me të kaluar komuniste që sot troket në dyert e BE-së. Ai u shpreh se disa vite më parë, vëzhguesit e BE-së kanë qenë skeptik në lidhje me avancimin e Shqipërisë dhe Serbisë si vende ish-komuniste drejt BE-së. “Sot qëndrimi i këtyre vendeve drejt Bashkimit Europian është konkret”, ka thënë ministri Frattini. Ndër të tjera, në fjalën e tij, diplomati italian ka theksuar se Tirana zyrtare më marrjen e pyetësorit tregon dhe vullnetin e qeverisë për tu bërë pjesë e BE-së. “Pas një dekade konflikti, Ballkani ka nisur të ecë drejt një paqe të konsoliduara dhe një integrimi progresiv. Rruga të Ballkanit e Evropës është e vetmja alternativë e mundshme. Kjo është e rëndësishme, ndaj edhe duhet të ndihmojmë dhe udhëzojmë këto vende, në rrugën drejt demokracisë dhe shtetit ligjor”, u shpreh Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini.
Në diskutimet për temën e energjisë u rikthye edhe çështja bërthamore dhe veçanërisht, interesi nëse Italia është në favor të ndërtimin e centraleve bërthamore në Shqipëri, ristrukturimit dhe përshtatjes së bimëve Kërsko në Slloveni. Në përgjigje të këtij interesimi, në kuadrin edhe të një partneriteti rajonal, ministri Fratini pohoi se, “Italia është natyrisht dakord që ato të ndërtohen në ‘shtëpi’ dhe më pas edhe në Shqipëri dhe Slloveni, dhe ka pasur kontakte për të realizuar këto mundësi”.
Ministri i Jashtëm i Italisë, ka shpjeguar edhe rrugët e gjetjeve të burimeve financiare, për projektin e ndërtimeve të centraleve nukleare. Sipas Frattinit, kjo do të mundësohet në bashkëpunim të sistemit publik dhe atij privat. “Duket qartë, theksoi Frattini më pas duke folur në seancën e parë të forumit dedikuar për prioritetet e strategjisë për një politikë të zhvillimit të koordinuar të Adriatikut dhe të Ballkanit, pothuajse është e dukshme se ky rajon ka nisur të ecë në këtë rrugë dhe të ndërmarrë veprime te para ndërkombëtare në bazë të projekteve politike, historike dhe madje edhe me mbështetjen e sipërmarrjeve të privilegjuar në Ballkan”.
Forumi Ndërkombëtar “Skenarët e zhvillimit në zonën Adriatik - Ballkan”, nisi punimet e tij, mëngjesin e djeshëm në Qendrën e Konferencave e Gorizia. Ky forum organizohet, nga rajoni Friuli Venezia Giulia, në bashkëpunim me Ministrinë Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Bashkinë e Gorizias, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›