“Pretendimet serbe janë të pavërteta dhe të pabaza”
Trafiku i organeve/Reagon Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta
Qeveria shqiptare është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet ndërkombëtare për t’i dhënë përgjigje pretendimeve të pabazuara të serbëve se në veri të vendit është kryer trafik organesh të ushtarëve serbë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Qeveria shqiptare është e interesuar që ta çojë deri në fund duke mbyllur njëherë e mirë kapitullin e pretendimeve se në Shqipëri janë kryer krime kundër njerëzimit.
Deklarata vjen nga ministri i Jashtëm, Ilir Meta gjatë një interviste dhënë agjencisë shtetërore të lajmeve ATSH.
Pyetjes se si i përgjigjet qeveria shqiptare pretendimeve se në Shqipëri është kryer trafik organesh të qenieve njerëzore në periudhën e luftës në Kosovë, Meta tha se pikërisht për këtë çështje, qeveria e Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtë dhe pa asnjë rezervë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe me grupin e posaçëm hetimor që ka vizituar Shqipërinë në vitin 2003, pikërisht për të hetuar këto pretendime, të cilat rezultuan të pavërteta.
Por, Meta theksoi se qeveria është e gatshme për të bashkëpunuar pa rezerva me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në zgjidhjen e kësaj çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe Këshillin e Europës, në mënyrë që t’i jepet një përgjigje përfundimtare këtyre pretendimeve, që sipas numrit 2 të qeverisë janë të pamotivuara dhe të pabazuara në prova thelbësore.
“Qeveria e Shqipërisë është e hapur dhe e interesuar që ta çojë deri në fund këtë proces, duke mbyllur një herë e mirë kapitullin e pretendimeve se në Shqipëri janë kryer krime të tilla”, theksoi më tej, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.