Fratini: Kërkesa e Shqipërisë për në BE, brenda verës
Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, deklaroi dje mbështetjen për Shqipërinë
TIRANË- Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, deklaroi dje se Bashkimi Evropian duhet të miratojë brenda kësaj vere kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, duke thënë se ky vend nuk duhet lënë të presë në dyert e Evropës, ndërkohë që vende si Islanda afrohen menjëherë.
Sipas Fratinit, BE duhet të trajtojë njëlloj vendet në procesin e anëtarësimit në Unionin Evropian, duke iu referuar rastit të Islandës, që vetëm një javë më parë miratoi një ligj për të nisur bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Fratini tha se kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim e paraqitur pak javë përpara zgjedhjeve, nuk duhet të mbetet e mbyllur në sirtarët e burokratëve në Bruksel.
Ballkani, sipas Fratinit, nuk duhet të jetë i përjashtuar nga procesi i zgjerimit të Evropës.
Fratini deklaroi se dhjetë vjet nga fundi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ka ardhur momenti, që këto qeveri të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre.
Për këtë arsye, ai ka propozuar një konferencë mes të gjitha vendeve të rajonit, për të favorizuar procesin e anëtarësimit në BE të vendeve si Serbia, Mali i Zi, Bosnja apo Shqipëria. Ndërkohë, Islanda vetëm një javë më parë, vendosi të nisë bisedimet për në Bashkimin Evropian.
Ligji i miratuar javën e shkuar në parlament u konsiderua si hapi i parë për në BE. Islanda do të paraqesë kërkesën më 27 korrik, në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, por më pas ky vend do të mbajë dhe një referendum për anëtarësimin final në Bashkimin Evropian. Kur kjo të ndodhë, pritet që BE-ja të bëjë një proces të shpejtuar për hyrjen e Islandës, dhe ky vend të bëhet anëtar në fund të vitit 2011.