Policia bashkiake dhunon bizneset në Himarë
HIMARË/ Pronarë të aktiviteteve në zonën bregdetare denoncojnë dhunën e ushtruar në emër të bashkisë së këtij qyteti
HIMARË - "Kanë terrorizuar edhe pushuesit përveçse ne që punojmë këtu. Kemi paguar gjithçka brenda ligjit, jemi të licencuar, unë çdo vit paguaj trotuarin, ndërsa sot policia bashkiake e shoqëruar nga policia e rendit erdhi pa njoftim, pa asgjë, duke na kërcënuar". Kjo është dëshmia e Donika Serajt, pronare e një lokali në Himarë, e kontaktuar nga redaksia e gazetës "Shekulli".
Gruaja tregon se megjithëse ka mbi 10 vjet që ushtron aktivitetin e saj, ajo dhe persona të tjerë të ardhur në Himarë shihen si "të huaj", si "shqiptarë" dhe ndaj bizneseve të tyre ushtrohet dhunë nga ana e policisë bashkiake. Sipas Donikës, ata kanë paguar gjithçka që ligji u përcakton si detyrim për aktivitetet që kanë hapur në këtë zonë të bregdetit shqiptar, por nga ana e bashkisë u nxirren pengesa.
"E gjithë kjo bëhet për bllokimin e turizmit. Këtu ka një javë pa ujë dhe sot erdhi ujë. Këtë do ishte mirë të shihte bashkia. Ne e kemi parë korrupsionin që bëhet, - vijon ajo. - Jemi 5 vetë dëshmitarë kur kryetari i policisë bashkiake i mori para një gruaje para tre netësh. Për 4 metra që paguan ajo punon në 40 metra katrorë".
Një tjetër pronar lokali vijon të mbështesë gruan në këtë drejtim. Ai thotë se janë goditur nga policia bashkiake. "Unë kam biznes hotel dhe lokal me qira. Jemi të pajisur me licenca, gjithçka të rregull.
Na erdhën dy të policisë bashkiake të shoqëruar me dy policë të rendit dhe na kërkuan të hiqnim karriget dhe çadrat. Madje, erdhën me varre në duar. Të gjitha lokalet e tjera të vendasve kanë kapur gjysmën e trotuarit, kurse ne s'na lënë të punojmë as me çadra. Më thanë se një veprim i tillë bëhej me urdhër të kryetarit të bashkisë.
Është një turp. Ndaloi një autobus me të huaj këtu dhe filmonin sjelljen e policisë bashkiake. Dhe këtë e bëjnë vetëm me ne që nuk jemi prej këtij vendi, por kemi ardhur që të ushtrojmë biznesin këtu. Pavarësisht se paguajmë taksat rregullisht, sërish na sulmojnë. Pushuesit u larguan nga ne për shkak të frikës nga policia".
Më tej, pronari i lokalit shprehet se janë sulmuar katër lokale dhe një pikë shitjeje gazetash dhe janë goditur vetëm të ashtuquajturit "të huaj" në këtë vend. "Nuk dua të shaj të tjerët, por kjo është absurde. Ne kemi filmuar gjithçka dhe do ta publikojmë dhunën e ushtruar ndaj biznesit nga policia bashkiake", përfundon ai.
Personat që kanë aktivitetet e tyre në zonën bregdetare shprehen se do t'i drejtohen bashkisë për të kërkuar të drejtat e tyre dhe që, sipas ligjit, duke qenë se paguajnë çdo detyrim që shteti u ka vënë, të lihen të qetë të zhvillojnë biznesin e tyre në Himarë.
Tentativa për të kontaktuar me telefon me drejtues të policisë bashkiake rezulton e dështuar për faktin se personi ka bllokuar thirrjet hyrëse.