Tentoi vetëvrasjen, në koma 14-vjeçari
KRUJË/ Adoleshenti G.Llati është vetëvarur me litar në kasollen e bagëtive sapo është kthyer nga puna në fushë
Prindërit e djaloshit shprehen se nuk dinë që i biri të ketë pasur ndonjë problem që e ka çuar në aktin e rëndë
KRUJË - Është futur në kasollen e bagëtive për të marrë një vegël, por është gjendur para një pamje të tmerrshme për të: i biri vetëm 14 vjeç ndodhej i varur në një litar në prag të vdekjes. Isa Llati ka ulëritur në atë çast teksa ka zgjidhur të birin duke thirrur fqinjët që ta ndihmonin për ta dërguar në spital e për ta shpëtuar nga thonjtë e vdekjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes burime nga policia bënë të ditur se adoleshenti ndodhej ende në koma në Spitalin Ushtarak, ndërsa vijonin hetimet për të kuptuar shkaqet që e çuan 14-vjeçarin drejt aktit vetëvrasës.
Ngjarja
Gjithë paraditja e së martës për familjen e Isa Llatit të fshatit Bubaq të Fushë-Krujës ka kaluar në arë, ku po punonin së bashku për të mbledhur jonxhë. Pasdite ata janë kthyer në shtëpi dhe secili ka qenë duke u marrë me punët e veta, ndërsa djaloshi 14-vjeçar i familjes është zhdukur nga sytë. Kryefamiljari në këtë kohë është futur në kasollen e bagëtive për të marrë një vegël që i duhej për punët që kishte në duar, por në këtë kohë është përballur me trupin e të birit të varur në një litar.
Klithmat dhe thirrjet për ndihmë kanë qenë të menjëhershme, ndërsa babai ka reaguar duke e zgjidhur të birin nga litari dhe me ndihmën e fqinjëve e ka çuar në spitalin e Krujës. Më tej, bluzat e bardha pasi kanë parë gjendjen e rëndë të djaloshit kanë vendosur dërgimin e tij për në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për të marrë një ndihmë më të specializuar. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bënë të ditur se, pavarësisht ndihmës së dhënë, 14-vjeçari vazhdonte të ishte në gjendje kome dhe shpresohej që ai të dilte së shpejti prej saj.
Policia
Oficerë të policisë gjyqësore, pas marrjes së njoftimit për tentativën për vetëvrasje të 14-vjeçarit G.Llati, kanë mbërritur në fshatin Bubq të Fushë-Krujës, në banesën e familjes Llati . Ata kanë marrë në pyetje prindërit e fëmijës, si dhe fqinj të tyre që mund të kishin dijeni për ngjarjen e rëndë. Por nga ana e personave të pyetur është deklaruar se nuk dinin asgjë mbi ndonjë problem që mund të shqetësonte adoleshentin.
Ata janë shprehur se gjatë gjithë ditës 14-vjeçari ka qenë me ta duke mbledhur jonxhë në arat e familjes. Më pas janë kthyer në shtëpi duke u marrë me punët e mbrëmjes, ndërsa djaloshi është larguar, duke tentuar vetëvrasjen. Burime nga policia shprehen se gjendja e varfër e familjes, si dhe pamundësia për të plotësuar dëshirat ekonomike të fëmijës mund të jetë një nga shkaqet që ka çuar 14-vjeçarin të ndërmarrë një veprim të tillë.