E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini-Lambrinidis: Kryeni reformat integruese

Gjatë takimit, dy kryediplomatët kanë kërkuar reforma nga klasa politike në vend, teksa kanë ofruar mbështetjen e vendeve të tyre për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.  Lambrinidis e Fratini i kanë bërë apel politikës shqiptare “të angazhohet për reformat, pasi Shqipëria duhet të ketë progres të gjithanshëm”.

Ndërkohë, Haxhinasto ka thënë se Shqipëria është e angazhuar për të përmbushur reformat integruese. Së bashku me zotin Sequi, ata pritet të zhvillojnë takime me kreret e vendit dhe përfaqësuesit e opozitës.

Ministri Haxhinasto vuri në dukje se qeveria e ka në krye të programit së saj agjendën e integrimit evropian dhe vazhdon të ndërmarrë reforma të gjithanshme që zhvillojnë dhe përparojnë vendin në këtë rrugëtim. Ministri Haxhinasto u bëri me dije homologëve të tij nismat e ndërmarra nga mazhoranca për të nxitur dhe vijuar, në mënyrë të sinqertë, debatin dhe bashkëpunimin politik institucional për këto reforma të rëndësishme për vendin, si dhe bëri një pasqyrë të përparimit që ka bërë Shqipëria gjatë kësaj kohe në ekonomi dhe fusha të tjera.

Ministri Haxhinasto u shpreh se propozimet për të bërë një përparim konkret tashmë ekzistojnë, si: fillimi i reformës zgjedhore, zbatimi i planit kombëtar të veprimit për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, etj. Ai gjithashtu theksoi se me situatën e re të krijuar, me hyrjen e opozitës në Parlament, priten rezultate konkrete, që do të shënojnë adresimin e plotë të 12 rekomandimeve të KE. Ministri, gjithashtu, vuri në dukje se mazhoranca i përmbahet angazhimit të saj të vazhdueshëm për një bashkëpunim institucional konkret, të hapur dhe konstruktiv, në shërbim të interesit kombëtar të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Ministrat Fratini dhe Lambrinidis theksuan se, si miq të Shqipërisë, mbështesin procesin e integrimit evropian të vendit. Ata theksuan se nga Shqipëria priten rezultate të mëtejshme konkrete, dhe se këto, në radhë të parë, u shërbejnë qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të tyre. Ndër të tjera, dy ministrat përmendën domosdoshmërinë e nisjes së reformës zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar në Parlament. /Start/

                                                                                             2011-09-12 11:55
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›