Ferrara: Me Makabi Haifan, Juve e detyruar të fitojë
Çiro Ferrara e ka të qartë, po ashtu edhe futbollistët e tij: Juventusi nuk mund t‘i lejojë më vetes hapa falsë. Bardhezinjtë do të kërkojnë të shfrytëzojnë ndeshjen me Makabi Haifan në Ligën e Kampioneve për të harruar rezultatet zhgënjyese në kampionat, por edhe për të mos kompromentuar aventurën në Europë. Tri pikët e sotme në stadiumin "Olimpik" janë të detyrueshme, pasi çdo rezultat tjetër do ta komplikonte kualifikimin e torinezëve (deri më tani ata kanë vetëm dy pikë, pas barazimeve me Bordonë dhe Bajernin e Mynihut). Ferrara analizon momentin që po kalon skuadra: "Nëse disa njerëz i cilësojnë rezultatet tona zhgënjime, unë nuk jam dakord. Është një periudhë e veçantë, skuadra kërkon të kthehet te fitoret dhe po angazhohet maksimalisht. Na ka munguar fati, me lojën e paraqitur ndoshta mund të kishim arritur më shumë". Për sfidën me izraelitët, trajneri shtoi: "Për të parën herë në këtë sezon, jemi të detyruar të fitojmë. Edhe pse nuk ka fituar asnjë pikë në Grupin A, Makabi ka një skuadër me kualitete dhe të mirorganizuar".