E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barcelona "e vogël" përballë Rubin Kazan, Interi harron si fitohet

Rubin Kazan bën surprizën më të madhe të mbrëmjes së të martës në Champions League. Kampionët e Rusisë fitojnë 2-1 në fushën e Barcelonës, në një sfidë ku janë ndihmuar edhe nga fati. Tjetër zhgënjim edhe për Interin, që ndan një pikë me Dinamon e Kievit. Kjo bën që Grupi F të jetë mjaft i ekuilibruar, ku tri skuadra kanë nga 4 pikë, ndërsa Interi (i vendit të fundit) ka 3. Që prej sekondave të para të lojës, skuadra nga Kazani tregon se nuk kishte udhëtuar drejt "Kamp Nou" thjesht për turizëm: edhe pse mund të dukej një vetëvrasje, skuadra e Kurban Berdjev kërkonte pikë në Spanjë. Surpriza ka ardhur vetëm pas 70 sekondave lojë, kur një goditje potente nga distanca e Rjazantsev gjen të papërgatitur portierin Viktor Valdes dhe përfundon në rrjetë. Barça kërkon të reagojë, por pa qartësinë e duhur përpara portës së miqve. Katalanët gjejnë rrjetën e barazimit vetëm në minutat e para të fraksionit të dytë të lojës me Ibrahimoviç, që më në fund zhbllokohet në Champions. Por, Rubin Kazan shfrytëzon mjaft mirë hapësirat e lëna nga vendasit në mbrojtje dhe në të 73-ën godasin sërish me Karadeniz. Kështu përfundon kjo sfidë që komplikon situatën në grup për skuadrën e Pep Guardiolës, e cila ka vuajtur edhe mungesën e fatit (disa minuta përpara fundit të takimit, shtyllat frenojnë Ibrahimoviç dhe Jaja Ture). Interi i Zhoze Murinjos mund të jetë një superfuqi në Serinë A italiane, por në Europë ata ngjasojnë me një skuadër modeste. Pas barazimit 2-2 në "Meaca" me Dinamon e Kievit, zikaltrit vazhdojnë serinë e ndeshjeve pa fitore. Me vetëm tri pikë në po kaq ndeshje të luajtura, kualifikimi bëhet një mision shumë i vështirë. Surpriza tjetër e mbrëmjes erdhi në Grupin G, ku Unirea Urziceni triumfon 4-1 në fushën e Rejnxhërs dhe merr tri pikët e para në aktivitetin më prestigjioz për klube. Fitore bindëse 3-1 për Seviljan në fushën e Shtutgartit: andaluzët e shohin veten me pikë të plota në klasifikim, ndërsa gjermanët vazhdojnë krizën e thellë. Aspak komode edhe situata e Liverpulit, që humbet 1-2 në "Anfilld Roud" përballë Lionit. Tashmë, e ardhmja e trajnerit Benitez duket gjithmonë e më e pasigurt. Fiorentina bën detyrën në fushën e Debrecenit, në një sfidë që ka dhuruar plotë shtatë gola, gjashtë prej të cilëve në 45 minutat e para të lojës. Arsenalit i mjafton kapiteni Çesk Fabregas për të marrë tri pikët me Az Alkmar, ndërsa Olimpiakos fiton vetëm në çastet e fundit përballë Standard të Liezhit, falë golit vendimtar të Stoltidis.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›