E Diel, 1 Nëntor 2026

Junajtid, gati oferta 28 milionë euro për Jovetiç

Mançester Junajtid po përgatit një superofertë me vlerë 28 milionë euro për talentin e Fiorentinës, Stevan Jovetiç. Sipas "Lady Radio", gjigantët e Premierligës synojnë të blejnë 19-vjeçarin nga Mali i Zi. Vetëm pak kohë më parë menaxheri i lojtarit kishte deklaruar se Jovetiç kushton 25 milionë euro, por klubi i drejtuar nga Sër Aleks Ferguson mund të ofrojë një shifër edhe më të lartë, për të bindur drejtuesit "vjollcë" që ta shesin sulmuesin. Gjithsesi, misioni i Junajtid është mjaft i vështirë, pasi italianët nuk kanë ndërmend të dorëzohen pa luftuar. Drejtori sportiv i Fiorentinës, Pantaleo Korvino, deklaroi se malazezi mund të shndërrohet në një legjendë në stadiumin "Artemio Franki", duke hedhur poshtë zërat se Jovetiç mund të largohet. "Ai dëshiron të qëndrojë në skuadrën tonë dhe është i dashuruar me qytetin e Firences", theksoi Korvino për "Sky Sport Italia". "Lojtari nuk ka dyshime rreth asaj që kërkon të bëjë në të ardhmen dhe kjo na lumturon. Besoj se Stevani do të bëhet një prej legjendave të klubit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›