"Mesi merr ‘Topin e Artë‘, Barça ekipi më i fortë"
Fituesi i "Topit të Artë 2009" do të jetë Lionel Mesi. Deklarata vjen nga Kristiano Ronaldo, lojtari i cili triumfoi gjatë vitit të kaluar. Portugezi nuk ka dyshime rreth futbollistit që do të marrë trofeun prestigjioz, i barazvlefshëm me çmimin "Lojtari më i Mirë në Europë". "Leo është favoriti absolut", deklaroi mesfushori gjatë një interviste për "France Football". "Ai ka fituar Ligën e Kampioneve, kampionatin spanjoll, përse nuk duhet të jetë fituesi. Nëse ky trofe i jepet Mesit, ai do të jetë plotësisht i merituar. ‘Topin e Artë‘ duhet ta fitojë një lojtar i Barcelonës: ndoshta edhe Eto‘o ose Ksavi, por, për mendimin tim Mesi është favorit". Ylli i Realit të Madridit ka folur edhe për ndryshimet në lojën e katalanëve me skuadrën "merengue": "Barça është një shkallë më lartë se ne, luan më mirë se Reali, pasi është një skuadër e konsoliduar, me lojtarë që luajnë prej disa vitesh përkrah njëri-tjetrit. Në këto momente ata shfaqin një futboll më të bukur se ne, por pyetja është: cila do të jetë në krye në fund të sezonit?".