E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini: Politika shqiptare të tregojë maturi e qetësi

ROMË- Zhvillimet e ditëve të fundit në vend kanë ngjallur vëmendje edhe në sytë e ndërkombëtarëve. Një tjetër deklaratë vjen nga Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini, në të cilën thuhet se Qeveria Italiane ka ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në misionin monitorues ndërkombëtar. “Ngjarjet e këtyre ditëve në të cilat jemi dëshmitarë na çojne të shpresojmë se organet shtetërore përgjegjëse për kryerjen e duhur të procesit zgjedhor të zhvillojnë detyrën e tyre me efikasitet dhe paanshmëri”,- thuhet në deklaratën e ministrit italian.

Fratini u bën apel palëve politike që të tregojnë maturi ne deklaratat dhe në veprimet e tyre. “Duhet që të gjithë të angazhohen me qëllim që siguria e publikut në territorin shqiptar të jetë e respektuar dhe e garantuar. Italia gjithmonë ka mbështetur procesin politik demokratik që ka cuar Shqipërinë për të ndërmarrë rrugën e vetë të integrimit evropian, ndërsa pak ditë më parë festuam përvjetorin e dytë të hyrjes së Tiranës në NATO.” theksohet në deklaratën e Fratinit. Ai gjithashtu shpreson se Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj drejt Europës, duke treguar përgjegjësi dhe të pjekuri politike.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›