Fratini sot në Tiranë për të çelur një faqe të re të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BE-së
Komisioni Europian fillon nga sot një marrëdhënie të re me vendet e Ballkanit Perëndimor, këtë here të fokusuara jo vetëm mbi “detyrat e shtëpisë”, por tek përfitimet konkrete që burojnë nga afërsia gjithnjë e madhe me unionin. Shqipëria fillon sot negocimin me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Franko Fratini, të liberalizimit të plotë të regjimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian. Fratini viziton Tiranën në një moment historik për vendin. Në kushtet e një klime konsensuale mes forcave politike në funksion të përmbushjes së reformave kryesore të kërkuara si nga NATO ashtu dhe Bashkimi Europian. Ndryshe nga vizitat e kaluara, kur zyrtare i lartë europian do të duhet që të harxhonte minuta të tëra duke apeluar për domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës në kryerjen e reformave, sot Fratini mund të konstatojë se rekomandimi i kahershëm ka filluar që të jetësohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Katër çështjet që do të merren parasysh në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave do të jenë dokumentet e identifikimit, emigracioni ilegal, rendi publik si dhe marrëdhëniet e jashtme. atë gjithë procesit të dialogut do të merret në konsideratë edhe mundësia e çdo vendi për të siguruar implementimin korrekt dhe efektiv të lehtësimit të vizave dhe zbatimit të marrëveshjeve. Shqipëria ka nënshkruar që në mars të vitit 2006 marrëveshjen e lehtësimit të procedurave të vizave për qytetarët e saj që duan të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian. Drafti i marrëveshjes u nënshkrua nga përfaqësuesit e lartë të Komisionit Europian dhe drejtuesit e qeverisë shqiptare gjatë muajit mars, nën praninë e komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Olli Rehn. Përfshirja e Shqipërisë në bllokun e vendeve që përfitonin një lehtësim gradual të regjimit të vizave, i dedikohet veçanërisht arritjeve të qeverisë shqiptare në plotësimin e disa prej kritereve thelbësore që nevojiten për realizimin e një marrëveshjeje të tillë. Forcimi i shtetit ligjor, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, përpjekjet e vazhdueshme të ekzekutivit shqiptar për administrimin dhe kontrollin e kufijve, si dhe angazhimi për sigurinë e dokumenteve të identifikimit gjatë këtij viti, duket se kanë qenë disa nga zotimet vendimtare, të cilat qeveria shqiptare i ka plotësuar apo është në stadin e fundit të plotësimit. Kritere të tilla citohen nga Komisioni Europian si të domosdoshme për fillimin e negociatave për marrëveshjen e lehtësimit të vizave. Nga marrëveshja filluan që të përfitojnë studentët, studiuesit, biznesmenët dhe gazetarët, dhe ka si qëllim të luftojë emigracionin e paligjshëm, ndërkohë që në të parashikohet edhe reduktimi i çmimit të vizave. Pikërisht këto kategori udhëtarësh mund të aplikojnë për viza shumëfunksionale. Brenda skemës së marrëveshjes për lehtësimin e vizave u negociua dhe u arrit reduktimi i tarifave, ndërsa për kategori
të caktuara bashkarisht filloi të thjeshtëzohet dokumentacioni i domosdoshëm që mundësonte më pas aplikimin për viza multifunksionale me periudha të gjata vlefshmërie. Raportet pozitive të institucioneve ndërkombëtare për reformat e suksesshme të qeverisë shqiptare veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve ilegale, kanë luajtur një rol thelbësor në ecurinë e negociatave për përfundimin e kësaj marrëveshjeje. Shpeshherë përfaqësuesit e lartë të Komisionit Europian janë shprehur se lehtësimi i vizave duhet të inkurajojë vendet e Ballkanit Perëndimor të zbatojnë reformat përkatëse dhe të përforcojnë bashkëpunimin në nivel rajonal dhe me BE-në, veçanërisht në forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të rrisin kapacitetin e administrimit të kontrollit të kufijve dhe sigurinë e dokumenteve të identifikimit, duke futur në to të dhënat biometrike. Komisionerët e BE-së kanë shprehur qëndrimin se vullneti i BE-së për lehtësimin e procedurave të vizave përbën një provë të qartë se blloku i konsideron vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhshme të tij.
Bregu: Do të zbatojmë me rigorozitet marrëveshjen e ripranimit/Nën drejtimin e Ministres së Integrimit Majlinda Bregu dhe ambasadorit te KE-se Helmut Lohan, është mbajtur dje takimi i Komitetit të Përbashkët të Ripranimit, mes përfaqësuesve nga Komisioni Evropian, nga vendet anëtare si dhe nga institucionet shqiptare, të cilat janë të përfshira drejtpërsëdrejti me çështjet e ripranimit. Një detyrim ky që lind në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ripranimit ndërmjet Komunitetit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim. Në fillim të këtij takimi, ministrja Bregu, duke shprehur në emër të Ministrisë së Integrimit ngushëllimet për viktimat e ngjarjes së Farkës, ftoi të gjithë të pranishmit të mbanin një minutë heshtje. Pas miratimit të axhendës, ministrja Bregu ka vijuar më tej me fjalën e saj ku ka theksuar se Komiteti i Përbashkët për Ripranimin ka si detyrë kryesore që të kontrollojë zbatimin e marrëveshjes; të vendosë masat e nevojshme për zbatimin e njëjtë të kësaj marrëveshjeje; të ketë shkëmbime të rregullta informacioni mbi protokollet për zbatim të hartuar nga shtete të veçanta anëtare dhe Shqipëria. Më tej ministrja theksoi gjithashtu hapat që janë ndërmarrë nga qeveria ëhqiptare për zbatimin e kësaj marrëveshje, si ndryshimet ligjore të ndërmarra; nënshkrimi i marrëveshjeve bilaterale dhe protokollet e zbatimit me vendet anëtare të BE-së dhe vendeve të treta; ndryshimet strukturore dhe organizative; trajnimet e stafit të përfshirë me çështjet e ripranimit; vendosja e procedurave dhe krijimi i kushteve të nevojshëm për të kthyerit me qëndrim të parregullt në vendet anëtarë të BE-së etj. Duke përmendur faktin se për zbatimin e plotë të marrëveshjes mbeten ende disa sfida për t’u përballur, ministrja Bregu theksoi se zbatimi me rigorozitet i kësaj marrëveshje, si një angazhim edhe në kuadër të MSA-së, përbën gjithashtu një kërkesë që do të merret në konsideratë për hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas komunikatës së djeshme të Komisionit, Shqipëria tashmë po jep prova të qarta përparimi drejt Bashkimit Europian. Në këtë komunikatë theksohet se është arritur sukses në angazhimet e MSA-së dhe Marrëveshjes së Ndërmjetme.