E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëtim pa viza drejt Evropës, brenda 2009-s

Berisha: Do të plotësojmë të gjitha detyrimet e Komisionit Evropian

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian shënuan dje një hap madhor, duke hapur dialogun për liberalizimin e vizave për vendin tonë drejt vendeve anëtare të BE-së. Zv/Presidenti i Komisionit njëherazi Komisioner i ngarkuar me Lirinë Sigurinë dhe Drejtësinë nga Bashkimi Evropian, Franko Frattini, gjatë vizitës së tij në Tiranë nënshkroi me Kryeministrin Sali Berisha marrëveshjen për hapjen e negociatave për liberalizimin e regjimit të vizave me Shqipërinë. Komisioneti Frattini deklaroi se, Shqipëria e meriton vlerësimin e Bashkimit Evropian për progresin që ka bërë dhe se ky progres i arritur duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe ruajtja e këtij progresi është tërësisht e rëndësishme. “BE i vlerëson nismat e qeverisë shqiptare për pasaportat biometrike dhe futjen e tyre në dokumentet e udhëtimit në një të ardhme të afërt, si dhe vlerësoi pozitivisht rëndësinë që kjo qeveri po tregon për standardet e sigurisë së kartave të identitetit dhe regjistrin elektronik të shtetasve”, nënvizoi ai. Frattini theksoi se sa më shpejt të zbatohen reformat e të përparojë progresi, aq më shpejt do të shkohet drejt liberalizimit të vizave. “Ky vlerësim i reformave, do të jetë një vlerësim vend për vend, pra jo rajonal”, tha Frattini. Lidhur me këtë, Frattini shtoi se “Shqipërisë nuk do t’i mungojë mbështetja e BE-së dhe ndihma financiare për të realizuar me sukses këtë proces jetik, jo më shumë për Brukselin se sa për popullin shqiptar, i cili do të ndihet më i sigurt dhe më i lirë të lëvizë në një hapësirë kaq të gjerë”. “U deshën disa muaj që të hapeshin negociatat dhe pastaj nënshkrimi i marrëveshjes për liberalizimin e regjimit e vizave. Ne hapëm negociatat për liberalizimin e vizave dhe kur Shqipëria do të marrë regjimin e lirë të vizave, kjo do të varet nga rezultatet. Unë dua të them se rezultatet mund të arrihen në një kohë shumë të shkurtër. Personalisht mendoj se mund të arrihen rezultate të rëndësishme edhe para mbarimit të mandatit të Barroso”, deklaroi Frattini. Ndërsa, nga ana tjetër Kryeministri Berisha e falënderoi z. Frattini për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar të BE-së dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, për ndërmarrjen e këtij hapi historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, hap i cili plotëson një nga liritë më themelore dhe të rëndësishme për njerëzit siç është lëvizja e lirë e shtetasve. “Hapja e këtij dialogu merr një rëndësi edhe më të madhe për shqiptarët, duke qenë se ata vijnë nga një izolim nga më të hekurtit në botë, si dhe për faktin tjetër se janë një popull me emigracion të madh në numër dhe pas këtij procesi do të mund të lidhen me më shumë dinjitet me njerëzit e tyre të dashur. Liria e lëvizjes është një nga liritë më themelore të individit dhe çdo hap drejt së saj, sikundër edhe drejt lirive të tjera, është hap drejt një të ardhmeje më të mirë”, tha Berisha. Kreu i qeverisë, falënderoi gjithashtu përzemërsisht edhe Slloveninë që ka Presidencën e radhës së BE-së, për mbështetjen e këtij proçesi, si dhe vlerësoi përkrahjen dhe vizionin që Sllovenia ka për zhvillimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Zv/presidenti i Komisionit Evropian, Frattini u shpreh se vinte në Tiranë për t’i dhënë personalisht një mesazh të fortë politik pozitiv besimi Shqipërisë dhe shqiptarëve nga BE-ja, të cilët janë në rrugë të drejtë në zbatimin e reformave ekonomike e sociale dhe në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga BE, për liberalizimin e vizave me BE-në. “Hapja e dialogut për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, vendos kushtet dhe standardet kryesore që duhet të plotësohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor për liberalizimin e vizave”, deklaroi Frattini. Ai vuri në dukje se këto elementë bazë, janë siguria e dokumentacionit, lufta kundër emigracionit ilegal, lufta kundër krimit të organizuar si dhe kriteret në lidhje me marrëdhëniet me jashtë. “Kur ka një vullnet të fortë politik mes palëve, çdo rezultat mund të arrihet në një kohë të shkurtër”, deklaroi Frattini. Ndërkohë, Shefi i Ekzekutivit, Berisha i siguroi të pranishmit për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar, për të pasur politika të fqinjësisë së mirë, për të luftuar me forcë emigracionin ilegal si dhe për të forcuar rolin e shtetit dhe të ligjit në vend. Më tej, gjatë takimit, përshëndeti edhe Ministri i Brendshëm i Sllovenisë, Mate i cili shprehu vlerësimet e tij më pozitive për arritjet e qeverisë shqiptare në implementimin e reformave, gjë që solli dhe hapjen e dialogut, si dhe u shpreh se ky dialog është i një rëndësie të madhe jo vetëm për politikën por mbi të gjitha për popullin shqiptar, i cili do të realizoje ëndrrën tij për të lëvizur lirisht. Mate siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Sllovenisë në procesin e realizimit të këtij projekti si dhe u shpreh me optimizëm për përfundimin e tij në një kohë të shkurtër. Në këtë takim, i cili pasonte takimin kokë më kokë mes tyre, përveç ministrit të Brendshëm të Sllovenisë, vendi që ka Presidencën e BE-së, Dragutin Mate, ishte edhe Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Helmuth Lohan, Ministra të Kabinetit qeveritar, si dhe Ambasadorë të vendeve të BE-së në Shqipëri.
Detyrat që duhet të plotësojë Shqipëria për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave/Frattini ka renditur disa nga detyrimet që rrjedhin nga procesi i liberalizmit të vizave, duke filluar nga, zbatimi i plotë i marrëveshjeve ekzistuese, në mënyrë të veçantë marrëveshjen për ripranimin e emigrantëve të paligjshëm dhe marrëveshjen për lehtësimin e vizave. Në mënyrë që të mos ketë inkoherencë dhe mospërputhje, do t’ju dërgoj të gjitha konsullatave të vendeve anëtare udhëzime për zbatimin tyre, përveç udhëzimeve të qarta që ambasadori i KE-së në Tiranë ka vendosur të faqen e internetit. Së dyti, është siguria e dokumenteve. Ne e dimë shumë mirë nga Kryeministri se qeveria do të lëshojë për qytetarët dokumentet biometrike dhe që Shqipëria po harton regjistrin elektronik të gjendjen civile. Ndërsa pika e tretë dhe e fundit, është bashkëpunimi i ngushtë në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas, zv/Presidentit të Komisionit Evropian, Frattini, “në të tre këto drejtime, Shqipëria është në pistën e duhur dhe kjo mbështet optimizmin tim, të shprehur pak më parë, në lidhje me rezultate e shpejta.
Frattini-Topi: KE mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO/Presidenti i Republikës Bamir Topi zhvilloi dje një takim me Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Franko Fratini. Gjatë këtij zv/presidenti i KE, Fratini i përcolli presidentit mesazhin se Bashkimi Euroipian mbështet aspiratën e Shqipërisë për t`u anëtarësuar në NATO. Në këtë kuadër, Fratini, vlerësoi maksimalisht transformimet dhe arritjet e mëdha pozitive të Shqipërisë në synimin e saj drejt anëtarësimit për në NATO dhe BE si zhvillimi i suksesshëm i reformave në gjyqësor, në ekonomi, i luftës pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit. Në sajë të këtij progresi Fratini theksoi që Shqipëria do të gëzojë mbështetjen e tij të plotë dhe të strukturave të Komisionit Europian jo vetëm për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë dhe të mbarë Ballkanit Perëndimor, por edhe për anëtarësimin sa më të shpejtë e të sigurt në familjen e madhe europiane dhe strukturat euro-atlantike duke zënë vendin e tij mëse të merituar. Presidenti Topi nga ana e tij vlerësoi vizitën e zv/presidentit Fratini si tepër të rëndësishme për nisjen e dialogut politik për liberalizmin e vizave mes Shqipërisë dhe BE-së.
Frattini-Topalli: Shqipëria ka bërë progres të dukshëm, anëtarësimi në BE, i shpejtë/Zv/Presidenti i Komisionit Europian, Franko Frattini ka vlerësuar rezultatet progresiste të reformave të qeverisë, krahasuar me një vit më parë dhe është shprehur i bindur se ecja me këto ritme do të sjellë shumë shpejt anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Frattini, duke vlerësuar klimën pozitive që mbizotëron në aspektin e bashkëpunimit politik ndërmjet faktorëve politik, në implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga aspiratat e integrimit në BE dhe në NATO, vuri në dukje se gjatë samitit të Bukureshtit ka mundësinë e mirë për të marrë ftesën për në Aleancën Veri-Atlantike. Ndërkohë, Kryetarja Topalli falënderoi z. Frattini për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe për angazhimin e tij për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me BE-në, për të cilat nga dita e djeshme kanë nisur negociatat. Nga ana e tij, Frattini duke vlerësuar progresin e dukshëm të bërë në Shqipëri, vlerësoi klimën e bashkëpunimit mes palëve në parlament, duke e cilësuar këtë si shumë të rëndësishme dhe tejet efektive për proceset aspirante të vendit në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›