Topi: Rruga Durrës-Kukës, perspektivë për zhvillimin ekonomik dhe moment historik për kombin
Gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Mirdita” të qytetit të Rrëshenit, me rastin e vizitës së Kreut të shtetit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi iu drejtua autoriteteve vendore, Imzot Kristofor Palmierit, përfaqësueve të grupeve të interesit dhe biznesit, intelektualëve dhe të pranishmëve të shumtë, që ishin mbledhur për ta mikpritur e përshëndetur. Në përshëndetjen e tij Presidenti Topi duke vlerësuar traditat e Mirditës tha se ato “duhet patjetër që të përsosen më tej, sepse janë mjaft të vlefshme traditat dhe sidomos ato tradita, të cilat mbartin vlera të spikatura të qytetarisë, të institucioneve që kanë funksionuar këtu. Edhe për të evidentuar një fakt tjetër, kanë kaluar mjaft situata të tjera në Shqipëri në të kaluarën, në mënyrë të veçantë në zonën e Mirditës dhe jo pa qëllim të gjitha shigjetat e persekutimit në mënyrë të koncentruar kanë qenë të fokusuara në këtë zonë dhe jo pa qëllim ne themi që kjo zonë ndonëse ka qenë shumë e persekutuar, ka ditur të mbijetojë dhe sot është në gjendje jo vetëm të vlerësojë të gjithë këtë mbijetesë, por mbi të gjitha të projektojë të ardhmen, një e ardhme kjo e sigurtë për qytetarët e Rrëshenit, të Mirditës, në një shoqëri të lirë demokratike dhe mbi të gjitha në një shoqëri të prosperitetit dhe të zhvillimit ekonomik”, tha Topi. Ai deklaroi se vizita e tij në Mirditë ishte mbi bazën e një premtimi të dhënë kohë më parë, por edhe si rezultat i një motivimi të brendshëm për të ardhur sa më shpesh në këto zona të traditës, mbi të gjitha, zona që kanë një perspektivë të qartë të zhvillimit të tyre ekonomik dhe shoqëror. “Kemi thënë edhe në takime të tjera, që do të vijë dita, kur kjo zonë do të jetë pranë një aksi, i cili do të konsiderohet një aks historik. E kam fjalën për aksin rrugor Durrës-Kukës, që kalon pikërisht në zonën tuaj, në zonën e Mirditës. Ky është një eveniment i spikatur, jo vetëm historik sepse lidh Shqipërinë me Kosovën, në një moment shumë historik për kombin shqiptar, në momentin kur Kosova jo vetëm ka shpallur pavarësinë, por çdo ditë vjen njohja nga vendet më me vlerë në rruzullin tokësor, nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lista e vendeve që po e njohin Kosovën po shtohet dita ditës. Zona e Mirditës ka një shans historik që ta përjetojë jo vetëm si një eveniment që i takon të gjithëve, i takon të gjithë shqiptarëve kudo ata jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në diasporë, por që ka bëjë edhe me të ardhmen e tyre ekonomike. Pra, jeni sot pranë një mundësie shumë të madhe që duhet të dini ta vlerësoni, duhet të dini ta vlerësoni, sepse kësaj zone nuk i kanë munguar asnjëherë potencialet intelektuale, potencialet e profesionistëve, potencialet vizionare për ta parë të ardhmen e Mirditës ashtu siç ne e kërkojmë, pra për të qenë realistë në standardet e kërkuara dhe për të qenë pjesë e familjes evropiane”, deklaroi ai.
Presidenti Topi vlerësoi edhe klimën politike që partitë politike në përgjithësi kanë arritur të gjejnë në gjuhën e dialogut për çështje të rëndësishme, për çështje që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në NATO. “Nga data 2 deri në datën 4 prill mblidhet Samiti i NATO-s në Bukuresht dhe janë të gjitha shpresat, janë të gjitha informacionet pozitive se Shqipëria do të marrë një ftesë në këtë Samit për t’u bërë pjesë e kësaj organizate të fuqishme të paqes dhe besoj që kjo do të jetë jo vetëm një fitore historike për institucionet e Shqipërisë, por do të jetë në shans i madh për çdo shqiptar, që ta ndiejë veten pjesë të familjes euroatlantike, por duke garantuar në këtë mënyrë edhe mundësinë e rritjes së sigurisë në Shqipëri, të sigurisë në çdo zonë të Shqipërisë, në çdo zonë të Ballkanit dhe mbi të gjitha të sigurisë, që do të kenë investitorët, të cilët mezi presin që të kenë një klimë të garantuar për biznesin e tyre”, nënvizoi Presidenti Topi. Duke theksuar se Shqipëria ka një tjetër sfidë, që është sfida e integrimit në Bashkimin Evropian, Kreu i shtetit vuri në dukje se ajo është një është një rrugë më e gjatë, që kërkon patjetër zhvillim të standardeve dhe se këto standarde nuk vijnë me një ditë. “Duhet të punojmë shumë, duhet të punojmë fort duke filluar nga standardi i zgjedhjeve në Shqipëri, duhet të punojmë shumë nga standardi i edukimit arsimor, nga standardi i trajtimit shëndetësor dhe nga shumë standarde të tjera që lidhen me standardet ekonomike të familjes.
Topi viziton Katedralen e Rrëshenit dhe shkollën e formimit profesional/Presidenti i Republikës, Bamir Topi me Zonjën e Parë, Teuta Topi, të shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Rrëshenit Gjon Dedaj, deputeti i Mirditës, Gjovalin Prenga, Nënprefekti i Mirditës Gjon Pjetri, vizitoi Katedralen e Rrëshenit ku u prit nga Imzot Kristofor Palmieri. Kreu i shtetit vizitoi shkollën e formimit profesional, mjediset e brendshme dhe laboratorët duke u takuar e përshëndetur ngrohtësisht me nxënësit dhe edukatorët e tyre. Kreu i shtetit vlerësoi se ndodhej në atë shkollë për të parë nga afër jo vetëm ato që po bëhen, por mbi të gjitha për t’u njohur me projektet e së ardhmes. “Dhe padyshim në qendër të këtyre aktiviteteve kaq të rëndësishme, të këtyre veprimtarive qëndron Kisha Katolike, e cila është jo vetëm në ruajtje të traditës së kësaj zone, por edhe inspiruese e moralit të pastër që vjen nëpërmjet edukimit dhe besoj se kjo qendër arsimore profesionale jo vetëm ka qenë e domosdoshme në këtë zonë, por besoj që do t’i kontribuojë përgatitjes së brezave dhe besoj që brezat e rinj në Shqipëri, në zonën e Mirditës janë gjithmonë të pranishëm dhe janë një garanci që juve do të transformoni zonën tuaj, do të jeni qytetarë të ndershëm dhe kjo shkollë do të jetë bazë e edukimit tuaj”, tha Presidenti. Ai vuri në dukje se kjo shkollë ofron standardet më të mira të edukimit dhe mbi të gjitha atë moral, që e ka mbajtur këtë zonë një zonë shumë të fortë, një zonë shumë të pastër, një zonë me moral të spikatur, një zonë, e cila përsa i përket të gjitha këtyre vlerave projekton në të gjithë Shqipërinë. “Unë padyshim që ndihem shumë i gëzuar që jam këtu dhe jam i bindur që juve do të kontribuoni në të gjitha sferat e veprimtarisë së jetës, jam i bindur jo vetëm në Mirditë, por kudo në të gjithë Shqipërinë. Unë ju falenderoj për mundësinë e kësaj përshëndetjeje dhe do të isha shumë i interesuar t’i shohim gjërat nga afër”, deklaroi më tej Presidenti Topi.