E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frattini: Italia mbështet hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE

Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini ka ripërsëritur idenë e vendit të tij për zhvillimin e një samiti të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Ballkanit Perëndimor t'i jepet një shtysë e re konkrete dhe mbështetje e fuqishme drejt anëtarësimit në bllokun 27-anëtarësh. "Italia ka mbështetur vazhdimisht nevojën që BE-ja të ruajë perspektivën e qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi stabiliteti i këtij rajoni është i lidhur ngushtë me progresin e tij drejt anëtarësimit në BE", theksoi Frattini në intervistën e së përditshmes "Vecernje novosti".
"Samiti i propozuar, me pjesëmarrjen edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të zhvillohet vitin e ardhshëm, 10 vjet pas samitit të Zagrebit, ku filloi procesi i avancimit të Ballkanit drejt BE-së dhe ku u shpreh hapur mbështetja për anëtarësimin e vendeve si Serbia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja", tha Frattini.
Në intervistën e tij, Frattini shtoi më tej se liberalizimi i vizave përfaqësonte rrugën më efikase të BE-së për t'i dhënë formë konkrete të ardhmes evropiane të rajonit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›