E Shtunë, 31 Tetor 2026

Freddy Cole këndon në Tiranë

Për herë të parë me recital në Shqipëri, një ndër vokalet më mirë të gjallë të jazz-it amerikan. Tirana, një nga stacionet e Evropës ku vëllai i vogël i Nat "King" Cole-it ka ndërmarrë gjatë 2009-s disa turne

Freddy Cole është nesër dhe pasnesër në Tiranë, më 17-18 prill. Koncerti live, në orën 22.30, mbahet në Vesa Center, në Rei jo vetëm Jazz Club.

Administratorët të cilët premtojnë "një mbrëmjë të rrallë jaz-i" bënë të ditur se për këtë koncert u shfrytëzua rasti i turit të koncerteve afër nesh që Cole, 78-vjeçar, ka ndërmarrë që në fillim të 2009-ës. Një ndër vokalet më të mirë të jazz-it amerikan, i zbuluar vonë (dhe kjo është një histori më vete) vjen me "The Freddy Cole Quartet", ai vetë vokal dhe piano, një bateri, një kontrabas dhe një kitarrë.


Lionel Frederick Cole, i lindur më 15 tetor 1931, më i vogli i pesë fëmijëve të familjes, u rrit nën hijen e tre vëllezërve të tij më të mëdhenj, Edi, Ajku dhe Neti të tre muzikantë.

Ky i fundit njihet edhe si "Mbreti", Nat "King" Cole. Pikërisht hija e këtij ka rënduar më shumë mbi talentin e Freddy Cole-it, talent që u përshëndet në masë vërtet shumë vonë.
"Unë nisa t'i bie pianos në moshën 5 vjeç", kujton Fredi.

"Kudo rreth vetes kisha muzikë." Në shtëpinë e rinisë së tij në Çikago, vinin për vizitë ndër të tjerë, edhe vetë Duke Ellington, Count Basie dhe Lionel Hampton. Por Fredi pohon se në fillimet do të ishte më shumë nën influencën e Billy Eckstine-it. "Ishte vërtet fantastik. Kam mësuar shumë prej tij vetëm duke e parë apo duke qenë pranë tij."


Ishte adoleshent kur nisi të luajë dhe të këndojë në club-et e Çikagos. Por kjo lloj përvoje e drejtpërdrejtë apo jeta në një atmosferë plot me jazz, ka ecur paralelisht, në të njëjtin drejtim me formimin e tij universitar, fillimisht në Institutin Ruzvelt të Çikagos.


Niset në Nju Jork më 1951, atje studion në Shkollën e Muzikës së Xhuliardit. Në këtë kohë është nën ndikimin e John Lewis-it, Oscar Peterson-it dhe Teddy Wilson-it. Një master në Konservatorin e Muzikës në Nju Inglënd dhe pastaj e gjen veten në bandë me Johnny Coles dhe Benny Golson.


Më 1952 vjen regjistrimi i tij i parë "The Joke's on Me", që lë ndonjë gjurmë, ndryshe nga jehona që pak më vonë do të kishin performancat e tij live në TV dhe radio.
Gjatë viteve shtatëdhjetë regjistroi disa albume për kompani evropiane.


Në biografinë e tij theksohet se ajo që e ndërkombëtarizoi emrin e tij ka qenë një politikë e ndjekur me durim dhe e shtrirë në kohë. Kjo politikë lidhur me audiencën kishte të bënte me shtrirjen e qëllimit të tij pak nga pak, me interpretimin në gjuhë të tjera: "Po bëhesha më tepër se sa interpretues",- kujton ai.


Për kritikën ai është zëri i ëmbël, i thellë, që ngjall kujtime të largëta, dhe është befasuese ngjashmëria e këtij zëri me të Nat "King" Cole, vëllait të tij të famshëm. Por Freddy-i Cole-it nuk i vjen aspak keq për këtë. Ai luan në piano dhe këndon live me kitarrë dhe në këmbë, tamam si i vëllai, edhe pse zëri i tij është më i rëndë, më i papërmbajtur se i Net Mbretit.


Megjithatë, kritika ka vënë në dukje se artikulimi i tij është më i afërt me të Frank Sinatra-s apo Billie Holiday-t.
Në vitet e fundit ai është vlerësuar disa herë me çmime si vokali më i mirë mashkullor për muzikën jazz.


CD e tij e fundit është "This Love of Mine" (Kjo dashuria ime) e vitit 2005.
Nesër ai do të jetë këtu, për herë të parë, në Tiranë. Vjen prej Athinës.
Bileta, krahasuar me aktivitetet e tjera muzikore edhe më pak të rëndësishme se si Freddy Cole-it kushton 1500 lekë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›