E Diel, 1 Nëntor 2026

Frederik Shopen, kompozitori dhe pianisti më i njohur i romantizmit



Me koncertet e tij për piano, preludet, mazurkat, valcet dhe nokturnat, Frederik Shopen, i lindur në Poloni si biri i një mësuesi francez është bërë i pavdekshëm. Qysh në kohën që jetonte ai u stilizua në mit. Shopen konsiderohet si romantiku më i madh ndër kompozitorët për piano të shekullit të 19-të. Thuhet se ai i ka dhënë pianos shpirtin e tij. Shopen ka shkruar muzikë për piano, që edhe sot e kësaj dite është ndër më të preferuarat. Gjithashtu, ai ka qenë njëri ndër pianistët brilant të shekullit të 19-të. Mësuesi i tij Elsner në konservatorin e Varshavës pohonte: “Ai u shmanget shtigjeve të shkelura dhe metodave të rëndomta, por edhe talenti i tij është i pazakontë”. Kompozitori Robert Shuman, pas pjesëmarrjes në një koncert të Shopenit, u shpreh shkurt me adhurim: “Një gjeni”. Ndërsa gazeta “Allgemeine Musikalische” në Lajpcig vlerësonte: “Një delikatesë e shkëlqyer e goditjes së tij në tastierë, një aftësi e papërshkrueshme mekanike dhe një nuancim i përkryer i tij, që shpreh ndjenjën më të thellë”. Kjo gazetë e quante Shopenin si “një ndër meteorët më ndriçues në horizontin muzikor”.
Datëlindja nuk dihet saktë
E siç ndodh me dikë të shpallur mit qysh kur është gjallë, datëlindja e Frederik Shopen nuk dihet saktë. Në certifikatën e pagëzimit të tij, që u zbulua 50 vjet pas vdekjes është shënuar si datë e lindjes 22 shkurti i vitit 1810. Edhe një certifikatë lindjeje e konfirmon këtë datë. Por, sipas të dhënave të vet Shopenit, ai kishte lindur më 1 mars 1810. Sidoqoftë ç’rëndësi ka kjo, kur është fjala për një mit, i cili me përizerjen e tij prej patriotizmit të supozuar, gjenialitetit muzikor, aurës erotike dhe vdekjes së shpejtë tragjike edhe sot e kësaj dite nuk mund t’i rezistosh mrekullimit dhe joshjes së tij? Shfaqja e shkëlqyer artistike e Shopenit dhe jeta e tij e shkurtër ishin të destinuara për transformim dhe krijim legjendash: një qenie e karakterizuar prej sëmundjes, një jetë si fëmijë gjeni, i cili prezantohej në sallonet e aristokracisë polake, një karrierë si virtuoz i pianos, mësues dhe kompozitor, një lidhje gati 10-vjeçare, pavarësisht fundit që pati ajo, me shkrimtaren e ekzaltuar dhe më të moshuar George Sand.
Shkaku i vërtetë i vdekjes nuk dihet

Një vdekje e hershme në moshën 39 vjeçare. Disa thonw se Shopen vdiq prej tuberkulozit, ndërsa të tjerë flasin për vdekjen nga cistic fibrosis, bëhet fjalë për tuberkuloz në mushkëri, por edhe për pushim zemre. Shumë patologë dhe mjekë kanë spekuluar lidhur me vuajtjet dhe vdekjen e Shopenit. Por, shkaku i vërtetë i vdekjes së tij nuk është i njohur as sot e kësaj dite. “Sa u përket damave me Shopen shkon më tutje se me Mozartin”. Kjo shprehje e pianistit të madh Arthur Rubinstein, nuk është pa vend. Prezantimet e Frederik Shopen si në Vasrhavë edhe në Paris, kishin për botën e damave një aura erotike ashtu si edhe ato të Franz Liszt-it. Vetëm se ky i fundit në rininë e tij ishte një bukurosh dhe një Kazanovë. Ndërsa për Shopen, i cili i kishte të gjitha, por vetëm i bukur nuk qe kishte dyshime nëse ai i dashuronte vërtetë gratë. Lidhja dhjetëvjeçare e tij me Georges Sand është më shumë legjendë se realitet. Katoliku Frederic Shopen kishte pikëpamje konservatore dhe e përçmonte seksualitetin. Në të kundërt, George Sand, i kushtonte rëndësi dashurisë fizike, propagandonte idealet socialiste dhe kritikonte kishën katolike. Kontradikta më të mëdha se këto s’mund të kishte. E megjithatë, brezat pasardhës s’duan t’ia dinë për këtë, sepse është shumë e bukur legjenda e dashurisë së supozuar mes shkrimtares që vishej si burrë dhe pinte cigare me pianistin e shkëlqyer e gjenial dhe gjithmonë të sëmurë.
E një mit jeton prej legjendave
Shopen ia arriti që mazurkën ta fusë në sallonet e aristokracisë. Të paktën në aspektin muzikor ai e pranonte që ishte polak. Ndërsa zemra e tij rrihte për Parisin, ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës, kuptohet kur nuk ishte nëpër turne koncertesh. Eshtrat e Shopenit u vendosën të prehen në varrezën e personaliteteve në Paris, Père Lachaise. Ndërsa zemra e tij u fut në konjak dhe u dërgua në Varshavë nga e motra Ludowika. Atë e kanë murosur në një nga kolonat e Kishës së Kryqit të Shenjtë në Varshavë. Atje ajo nderohet edhe sot si një relikt i një shenjtori kombëtar. Miti “Chopin polak” sivjet feston kulmin turisitik, sepse zyra e turzimit të Varshavës ka shtruar “një rrugë në qytetin e vjetër me të gjitha stacionet e jetës së Chopin”, një “rrugë për tek zemra e Chopin”.

Marrë nga Deutsche Welle

27 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›