Rozi Kostani: Aktrimi të bën të përjetosh jetët e të tjerëve nën lëkurën tënde
Është e vështirë ta gjesh larg dyerve të Akademisë së Arteve. Një punë disavjeçare si aktore e ka bërë të jetë një dorë e kujdesshme dhe një shembull i mirë për brezat e rinj. Ka vite që interpreton në skenën teatrore dhe pa dyshim bën pjesë në atë brez aktorësh që sjellin diçka të re në skenën e teatrit, por dhe në kinematografi. Kjo është aktorja Rozi Kostani, e cila me interpretimin e saj në skenën teatrore, por dhe në filma, ka ditur ta bëjë për vete publikun. Gjatë intervistës aktorja tregon për jetën e saj artistike, e cila ka qenë shumë e ngjeshur, duke interpretuar në filma, teatër si dhe performanca artistike. Të gjitha këto i kanë falur emocione aktores Kostani, po ashtu edhe publikut. Roli i saj i parë në skenën teatrore është me shfaqjen "Unë, ti dhe Kasandra", një shfaqje që në atë kohë mori shumë vlerësime. Ndërsa e kujton atë kohë me emocion, aktorja e njohur Rozi Kostina është sot një nga aktoret më të preferuara për publikun shqiptar. Në të gjitha rolet e saj ajo është vlerësuar për atë çfarë ka sjellë dhe ka interpretuar para publikut. Jeta artistike e saj ndër vite ka qenë e mbushur plot me surpriza, por ka pasur edhe momente të vështira dhe plot peripeci, që ajo i kujton me shumë emocion. Vlerat e saj si aktore janë gjithmonë në rritje dhe asnjëherë nuk humbasin, pasi ka marrë një vlerësim të suksesshëm në skenën teatrore, por dhe në kinematografi. Ajo ka një gamë të gjerë të roleve si në filma televizivë, ashtu dhe në teatër.
Gjatë vitit që lamë pas ju keni marrë pjesë në disa premiera teatrore. Cila ju ka lënë më shumë mbresa?
Mbresa... mbresa të lënë gjithmonë krijimet, lënë gjurmë sepse kanë të bëjnë me emocionet. Viti që shkoi më ka dhuruar vërtet shumë emocione si në teatër, ashtu e në film. Madje tek i fundit kam provuar të startoj, sigurisht, pas një përvoje të gjatë me studentët si regjisore, kam punuar dy performanca; njëra performancë poetike e dhënë në Kosovë, tjetra performancë artistike e përmasave më të mëdha, e shfaqur në Tiranë, te “Piramida”, me rastin e festave të nëntorit, pra 65-vjetori i çlirimit, nën kujdesin e Jozefina Topallit, ku përfshiheshin shumë komponentë artistikë me një këndvështrim modern. Publiku ishte pjesë e saj dhe vendosja te “Piramida” flet për mesazhin e këndvështrimin. Mbresa më ka lënë gjithashtu edhe pjesëmarrja te shfaqja me regji të Bruno Shllakut, "Natë e këputun", në Shkodër, e dhënë me rastin e 60-vjetorit të Teatrit të Shkodrës, kam marrë vërtet emocione shumë të bukura. Përsa i përket filmit, kam marrë pjesë te filmi "Out of Touch" i regjisorit të ri shqiptar që ka studiuar në Francë e Kanada, Andi Deliana. Filmi flet për ditët tona, problemet që ka shoqëria jonë sot. Është film aksion, një eksperiencë e re për ne. Arjana, personazhi që m’u besua, është një grua rreth 34-35 vjeçe, mësuese matematike, e cila jeton me burrin dhe vajzën e saj 6-vjeçare. Ajo është një femër e fortë, e guximshme, sakrifikuese, e cila ka luftuar fort për ta ndërtuar folenë e saj, familjen, por po kupton se kjo fole po shkatërrohet. Burri i saj ka një javë që është larguar nga shtëpia pa dhënë asnjë informacion. Ai punon në bashki, në zyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit. Pas këtij largimi fillon dhe drama e personazhit tim, Arianës. Ajo bën të pamundurën për të gjetur të shoqin për një javë rresht, por ai kthehet papritur një ditë në mëngjes. Pas një dialogu ajo kupton se e ka humbur atë, ai ka rënë në dashuri me sekretaren e tij. Këtu ndryshon dhe rrjedha e veprimeve të Arianës dhe pas një takimi të rastësishëm me sekretaren e burrit të saj fillon dhe aventura. Ajo e ndjek si e çmendur me makinë rrugëve të Tiranës. duke harruar orarin e marrjes së vajzës nga shkolla. Ajo aksidenton një njeri, por largohet nga vendi i ngjarjes pa e kuptuar dhe vetë. Ariana, në një situatë normale, nuk do ta bënte këtë, por ajo nuk ishte në një situatë normale. Situata e mëparshme e kishte turbulluar; vetëm një mendim arriti të artikulojë (vajzën), të marrë vajzën nga shkolla. E veçantë për mua dhe mbresëlënëse është interpretimi me vajzën time; pra vajza ime në jetë ishte dhe vajza ime në rol, kemi një kujtim shumë të bukur bashkë.
Konkretisht, me çfarë po merreni?
Sapo kam mbyllur provimet me studentët, të cilat kanë qenë në dy pjesë; njëra komedia e A. Çehovit, "Propozimi". Kam punuar bashkë me studentët me një ngarkesë tjetër emocionale, sepse këtë pjesë po e punonte pedagogu e regjisori i njohur Ibrahim Muçaj, i cili u nda nga jeta para pak javësh, dhe ne e vazhduam provimin e tij dhe e shfaqëm si një homazh për të. Puna tjetër me studentët ishte dhe "Keqkuptimi" i A. Kamysë, e cila ishte e vështirë, por që ia arritëm me sukses. Tani po pushoj pak fare për t’i hyrë punës përsëri me studentët. Është një punë që më mban të freskët gjithmonë.
Kush janë projektet që do të shfaqin Rozi Kostanin në skenën teatrore?
Përveç pjesës që do të vendos me studentët së shpejti, kam dhe një projekt që po e punoj si regjisore, të cilin akoma nuk e kam mbaruar. Kam dhe dy propozime për dy filma që do të bëhen në muajt prill-mars. Të shohim si do venë punët.
Si e kujtoni rolin tuaj të parë?
Rolin tim të parë? Nuk e di se cilin mund të quaj të parë, por besoj ju po më pyesni për atë pas diplomës. Ka qenë filmi "Unë, ti dhe Kasandra".... Një eksperiencë sigurisht e bukur, por më ka dhuruar ndjesi shumë të përziera. Mbaj mend ditën e premierës së filmit. Oh! Këtë nuk e kam thënë asnjëherë. Kisha shumë frikë ta shikoja, nuk dija se ç’kisha bërë. Filmi ta jep gjithmonë këtë ndjesi, se ti nuk e di se si dukesh jo thjesht nga paraqitja se për atë nuk merakosem shumë, por nga përmbajtja, lënda që kam arritur të jap, atë që duhet. U zhyta në karrigen e kinemasë. Do të doja në ato çaste të isha e padukshme. Kur mbaroi filmi, të cilin më shumë nuk e pashë se e pashë, ika nga dera e pasme e kinemasë. (Qesh.) Iha e vogël atëherë. Tani, sigurisht që nuk do të bëj ashtu, por së brendshmi e kam atë ndjesi, por e di, thellë-thellë më pëlqen kjo ndjesi që të bësh diçka e të ikësh, të fshihesh në errësirën tënde, për ta ruajtur me fanatizëm veten nga deliri, nuk është modesti, duket si e tillë.
Keni një gamë të gjerë rolesh për karrierën tuaj të deritanishme. Ju i përzgjidhni vetë personazhet dhe karakteret, apo janë të rastësishme?
Po janë bërë goxha, por nuk duhet të mbështetem tek ato që janë bërë tashmë, sepse ato janë veç kujtime. Duhet të shikojmë se çfarë do të bëjmë e si do ta bëjmë, kjo është shumë e rëndësishme. Personazhin edhe e zgjedh, edhe nuk e zgjedh, sepse atë në fillim duhet të ta propozojnë; pra regjisori përzgjedhjen e ka bërë, pastaj vjen përzgjedhja jote, do ta pranosh apo jo. Përgjithësisht më janë propozuar role që në çdo kohë do të doja t’i provoja nën lëkurë. Roli të cilin nuk më shkonte mendja kurrë se mund ta bëja ka qenë ai i Nënë Terezës, me të cilin jam befasuar shumë kur ma kanë propozuar. Për herë të parë më janë dridhur këmbët, ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Në fillim kam thënë jo, por ata këmbëngulnin, por edhe grishja brenda meje këmbëngulte. Më pëlqen të rrezikoj, më pëlqejnë rolet e forta (verërat e forta) se vetëm atëherë e kupton se po bën diçka. Pranova, e bëra shumë mirë, sepse atë që kam përjetuar me atë rol besoj nuk kam për ta përjetuar me asnjë rol tjetër. Janë disa figura si ajo e Nënë Terezës, të cilat punojnë edhe ato me ty, madje ata të pasurojnë së brendshmi. Po rastësi është propozimi i roleve të tilla, me përmasa të tilla.
Si e shikojmë Rozin mes filmit dhe teatrit?
E shikoni të dashuruar me të dy, të dashuruar aq fort sa dhe bashkëshorti bëhet xheloz. Nuk i ndaj dot se do të ishte sikur ta pyesësh nënën se kë do më shumë, djalin apo vajzën? E ajo që lind brenda teje mishërohet së jashtmi nuk ndahet dot.
Si ka nisur pasioni drejt aktrimit?
Pasioni është shfaqur gradualisht, në fillim i paartikuluar, pastaj më vonë kuptova se ishte pikërisht ajo që unë dëshiroja të bëja, ishte si thirrje e brendshme. Sigurisht, ka ndodhur në shkollë të mesme, në kohën e adoleshencës, në atë moshë ku shpërthejnë pasionet. Më dukej e paarritshme, por arritja nuk vjen vetë për atë duhet punuar, e duhet punuar shumë madje. Ajo që ma shton gjithmonë edhe më shumë dëshirën për të punuar në këtë profesion është arratisja nga jeta jote reale duke krijuar një realitet tjetër ku ti nuk mund të paragjykohesh, por shijon lirinë dhe ndjesinë e mrekullueshme të të krijuarit, të provosh emocione të forta, të provosh e të përjetosh jetët e të tjerëve nën lëkurën tënde e të derdhësh në kallëpin e tyre, kjo ndjesi më bën që të mos i ndahem, por ta dashuroj akoma më shumë këtë profesion.
Ku e shfaq më tepër Rozi aftësinë si aktore: në dramë, apo në komedi?
Të them të drejtën unë më shumë kam luajtur në dramë se më pëlqejnë shumë emocionet e forta, por dhe komedia më josh se në thelb nuk kanë ndryshim, madje në komedi duhet të shkosh më tej për të besuar hallin e personazhit, po kam luajtur komedi e më ka shijuar shumë, nuk më pëlqen të kornizohem e as të kornizojë që ky ose ajo është aktor dramatik apo komik. Nëse je aktor i mirë, di t’i bësh të dyja ose më saktë është detyra jote t’i bësh të dyja më shumë dashuri e profesionalizëm.
Ju interpretuat figurën e bamirëses shqiptare për herë të parë në skenën teatrore. ǒmund të na thoni për rolin, pasi këtë vit ne kemi dhe 100-vjetorin e lindjes së bamirëses shqiptare?
Jam me fat. E them me plot gojën që jam me fat që kam përjetuar në veten time atë figurë madhështore Nënë Terezën. Ka qenë përvoja artistike e krijimit me kuptimplotë që më ka ndodhur ndonjëherë, ishte përgjegjësia më e madhe që kam marr ndonjëherë, por ajo m’i hapi krahët, më dhuroi dashuri, ashtu siç dinte ajo. Kisha shumë nevojë për të dhe magjia ndodhi. Kam bashkëjetuar gati për rreth 5 muaj me të, me librat që shkruanin për të, me shkrimet e saj, filmat, fotot, çdo gjë që fliste për të, pa orar, natë e ditë isha me të, ashtu si një njeri që është i dashuruar që nuk mendon për asgjë tjetër përveç saj ndryshoi marrëdhënia ime në shtëpi me fëmijët e bashkëshortin, pra nuk jetoja realitetin tim. Ah, sa bukur është ta njohësh atë njeri! Ajo është çelësi i dashurisë, ajo është dashuria në veprim. Ditë pas dite përpëlitesha për të prekur atë dritë që ajo kishte në çdo veprim e fjalë. Gjatë asaj kohe kam qenë shumë e heshtur, provë pas prove, mbase e kam lënduar dhe regjisorin se asnjëherë nuk bindesha së brendshmi, por ajo reflekton e kuptohet kur ai më thoshte shumë mirë, nuk e besoja. I kam kërkuar ndjesë sigurisht. Kam takuar motrat e saj, kam shkuar te shtëpia e tyre, jam përpjekur t’i ndihmoj, pra të punoj ashtu si ato, ishin të mrekullueshme. Më kanë ndihmuar shumë, por më kanë emocionuar akoma më shumë kur kanë ardhur në shfaqje e më kanë thënë faleminderit se sonte ne ndenjëm me Nënë Terezën. Mund të flas pa pushim jo vetëm për Nënë Terezën, por edhe për përvojën time me të, përvojë shpirtërore, krijuese. Ne rëndom e përdorim urimin “u bëfsh 100 vjeç” edhe pse e dimë shumë mirë se nuk bëhemi, por kuptimin kjo shprehje e merr vetëm te figura të rralla të njerëzimit, te Nënë Tereza, 100 vjeç, 1000 vjeç e më tej; nuk do të ketë shifër për të matur jetën shpirtërore të veprave të saj. "Jep më të mirën që ti ke, e megjithatë ajo kurrë nuk është mjaft; sidoqoftë, ti jep më të mirën tënde". Kështu thotë Nënë Tereza. Nuk resht së foluri, por do ta mbyll me një tjetër shprehje të saj: "Bëj gjëra të vogla, por me dashuri të madhe".
Si arrin të mbash ekuilibrat midis familjes dhe punës?
Përpiqem, por gjithmonë unë jam në borxh me familjen time. Sigurisht, ata e marrin shpërblimin, atë shpirtëror. Pas një pune që unë bëj, më shikojnë ndryshe, ndiej që brenda tyre kam ndërtuar diçka që nuk thuhet me fjalë. Dua të them se ato janë mbështetja ime më e madhe, forca e dashurisë që rrit pasionin tim akoma më shumë për t’u përhumbur në përjetimin e krijimit e të shndërrimit të aktrimit.
Kush janë momentet e mërzitjes për Rozin?
Sigurisht, ka momente që mërzitem për shumë arsye, sidomos kur padrejtësia shitet për drejtësi, paaftësia shitet për aftësi e kështu me radhë. Ne këto nuk na mungojnë, i kemi me shumicë në realitetin tonë.
Si e shikoni zhvillimin e kinemasë sot në Shqipëri?
Po e shikoj me një sy pozitiv, përsa i përket sipërmarrjeve, pra po bëhen filma, kjo është një gjë shumë e mirë sepse po aktivizohen shumë breza aktorësh, por pas kësaj po fshihen vlerat. Për sa kohë që në Shqipëri do të mungojë sistemi i vlerave, arti do të mbetet gjithmonë relativ, sipas interesave, jo si vlerë që duhet artikuluar në mënyrë të drejte e profesionale. Nuk ka kritikë profesionale, por kritika kafeneje dhe më e keqja, nga njerëz jo kompetentë, e kjo flet vetë për nivelet.
Sa ka arritur gama e roleve tuaja si aktore?
Po të flas me shifra, në teatër kam interpretuar rreth 22 role dhe 6 role në film.
Ku e ndien veten të dështuar një artist?
Për disa arsye mediokre besoj që nuk kanë lidhje me profesionin, por që hyjnë si pykë dhe si pasojë, ai nuk arrin të japë maksimumin e tij për të realizuar ose më saktë për të përmbushur misionin e tij. Këtë nuk e kam të përjetuar por si një konstatim.
Cilat janë dobësitë e tua si aktore?
E mira është që ti kurrë të mos i tregosh dobësitë e tua, se pastaj të godasin pikërisht aty (tek thembra). Nuk e di, mbase mund ta quaj dobësi se i marr me shumë pasion gjërat, derdhem e tëra pa marrë parasysh asgjë. Nuk e di, mendërisht, shpirtërisht e plastikisht jam në rregull. Besoj këto janë tre komponentë shumë të rëndësishëm te një aktor.
Cilat janë momentet më të vështira në të cilat jeni ndodhur në skenë?
Ah! Nuk e di, më lër të mendohem pak. Mua nuk më ka ndodhur asnjëherë ndonjë gjë që mund të më ketë paraqitur vështirësi, sepse tekstin nuk e harroj asnjëherë, asnjëherë nuk jam rrëzuar në skenë. Nuk e di, nuk po me kujtohet... A po, e gjeta një te shfaqja "Nata e dymbëdhjetë", me regji të A. Bashës në vitin 1999, nëse nuk gabohem, kam qeshur në skenë bashkë me një shoqen time. Të them të drejtën nuk më kujtohet mirë se pse, mbase atë ditë kishim si spektator gjimnazistë e ata nuk donin t’ia dinin fare se ç’po bënim ne. Sapo ne hymë në skenë kemi parë njëra-tjetrën në sy e nuk kishim fuqi të thoshim asnjë fjalë. Na shpërtheu një e qeshur që nuk e mbanim dot, e dolëm menjëherë nga skena. Mos më pyet fare për pasojën që patëm pastaj. Një herë tjetër më ka ndodhur që partneri im harroi tekstin e unë nuk dilja dot nga skena nëse ai nuk më thoshte atë batutë. Improvizova e arritëm ta kalonim atë vështirësi pa u kuptuar fare as nga vetë regjisori.
Po periudha më e bukur e karrierës suaj, cila është?
Besoj këto 3 vitet e fundit, sepse kam bërë role të cilat më kanë lënë ose më saktë më kanë bërë të përjetoj ndjesi shumë të veçanta. Janë punuar ose krijuar më mirë të them me shumë dashuri e artikulim profesional, roli i Elenës te shfaqja "Zyshë e dashur", roli i Nënë Terezës te shfaqja "Nënë Tereza", roli i Maria Elenës te shfaqja "Knepp" dhe rolin e fundit, Arjana te filmi "Out of Touch" që akoma nuk ka dalë.
Përveç pasionit të aktrimit, cilat janë pasionet e tjera të Rozi Kostanit?
Kjo pyetje më pëlqen. Më pëlqen shumë hipizmi, më pëlqen shumë të kalëroj dhe kam filluar ta praktikoj, është një sport aristokrat. Kur hipën në kalë të jep një ndjesi madhështore. Edhe patinazhi më pëlqen shumë, por akoma nuk e kam praktikuar. Edhe të bëj ski më pëlqen.
Cila është taktika e Rozit për të dalë nga situatat e vështira?
Në fakt, nuk kam të përgatitur asnjëherë ndonjë skenar se si të dal nga situatat e vështira. Di të them se nuk më pëlqen asnjëherë të aktroj në jetë; i marr gjërat ashtu siç më vijnë sepse çdo shkak e ka një pasojë.
Si e menaxhoni kohën për familjen dhe për karrierën?
Tashmë u bënë vite e nuk duket si ndonjë gjë e re e nuk përbën probleme, problem është kur shkoj për të punuar jashtë Shqipërisë ose në rrethe. Sigurisht përpiqem shumë që atë kohë që jam me ta t’u jepem totalisht atyre, bashkëshortit e dy fëmijëve. Ditën e diel e kam vetëm për familjen.
Cilat janë planet e tuaja për të ardhmen?
Plane kam shumë, por nuk e di sa do të realizohen, nuk mund t’i them tani është akoma shpejtë.
27 Shkurt 2010