E Diel, 1 Nëntor 2026

Fredoom House: Qeveria frikëson gjyqtarët dhe prokurorët

Raporti: Shqipëria ka ngelur në vend për sa i përket gjyqësorit

Një raport i rëndësishëm ndërkombëtar bën të ditur se Shqipëria ka mbetur në vend për sa i përket shtetit të së drejtës dhe luftës ndaj korrupsionit. Organizata “Freedom House” me qendër në SHBA, thekson se “si për sa i përket pavarësisë së gjyqësorit dhe korrupsionit, organizata ‘Freedom House’ nuk vëren ndonjë ndryshim nga raporti i një viti më parë. Sistemi gjyqësor, thotë raporti, nuk është krejtësisht i pavarur dhe Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën e gjyqësorit. Qeveria, thuhet në raport, vazhdon të ndërmarrë veprime për frikësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Një raport i organizatës “Freedom House” me qendër në Uashington, i cili analizon përparimin e vendeve të ndryshme në aspekte të tilla si shoqëria civile apo procesi elektoral, jep një tablo të përzier për Shqipërinë. “Freedom House” e bën vlerësimin e vendeve të ndryshme me një sistem pikësh nga 1 deri në 7, sa më pak pikë, aq më i lartë është vlerësimi. Në aspektin e procesit elektoral, vlerësimi për Shqipërinë mbetet i pandryshuar, me 3.75 pikë ashtu si edhe në raportin e një viti më parë. Megjithëse zgjedhjet e qershorit 2009 plotësuan shumicën e standardeve të OSBE-së, thuhet në raport, ato nuk e realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për t’ju përmbajtur standardeve më të larta demokratike, ndonëse u quajtën zgjedhjet më të mira të mbajtura deri tani në Shqipëri. Raporti i kushton gjithashtu një paragraf qeverisjes kombëtare dhe aty thuhet se qeveria e re, e përbërë nga një koalicion i të djathtëve dhe i të majtëve, ka premtuar reforma rrënjësore në disa aspekte. Mirëpo, bojkotimi i kuvendit nga Partia Socialiste, vazhdon raporti, e ka penguar mjaft funksionimin e Parlamentit. Për këtë arsye, raporti e ka ulur nga 4.25 në 4.5 vlerësimin e Shqipërisë lidhur me demokracinë në qeverisje. Në raportin “Vendet në Tranzicion 2010” thuhet se media në Shqipëri ka bërë përparim në aspektin e teknologjisë që po përdor, por korniza ligjore që mbulon median e lirë nuk është ende e plotë. Kjo mungesë, duke i shtuar edhe transparencën e paktë në financimin e medias së shkruar apo asaj elektronike, favorizon më tepër interesat e pronarëve të saj dhe të politikanëve se sa ato të publikut dhe njëkohësisht dëmton cilësinë editoriale. Mbulimi nga media i zgjedhjeve të 2009-s, thotë raporti, favorizoi dy partitë kryesore, duke i lënë jashtë mbulimit partitë më të vogla. Raporti shton se gazetaria investiguese vazhdon të jetë e kërcënuar dhe të gjitha këto e kanë ulur vlerësimin nga “Freedom House” për median e pavarur nga 3.75 në 4 pikë. Si për sa i përket pavarësisë së gjyqësorit dhe korrupsionit, organizata “Freedom House” nuk vëren ndonjë ndryshim nga raporti i një viti më parë. Sistemi gjyqësor, thotë raporti, nuk është krejtësisht i pavarur dhe Shqipërisë i mungon një strategji e përgjithshme për reformën e gjyqësorit. Qeveria, thuhet në raport, vazhdon të ndërmarrë veprime për frikësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që institucionet shtetërore japin një shembull të keq në ekzekutimin e vendimeve të gjykatave. Ndërsa korrupsioni, thuhet në raport, vazhdon të jetë një dukuri e përhapur në Shqipëri dhe perceptimi i korrupsionit në shërbimet e ndryshme publike vazhdon të jetë i lartë. Imuniteti i zyrtarëve të lartë mbetet një pengesë në luftën kundër korrupsionit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›