Greqia dhe pasiguria e rritjes ekonomike tronditin tregjet
Aksionet dhe përqindjet e interesit kanë rënë ndjeshëm dje pas shenjave të ngadalësimit të rritjes ekonomike në botë. Bursat kanë filluar të shënojnë rënie në të gjithë botën, madje edhe ato aziatike. Këto të fundit ranë për shkak se parashikimet për rritjen ekonomike të Kinës kanë qenë të ulëta. Për sa u përket bursave europiane ato ranë, për arsye të trazirave që nisën sërish në Greqi nga pakënaqësia e njerëzve për masat e marra prej qeverisë për shkurtime të shpenzimeve. Edhe besimi i konsumatorëve ka rënë ndjeshëm dje për arsye të shqetësimeve për vendet e punës dhe ekonominë në përgjithësi. Gjatë gjithë këtij viti, tregu i aksioneve ka pësuar goditje dhe luhatje të mëdha, për shkak të situatës së vështirë të deficitit buxhetor kryesisht në Greqi, por edhe në Spanjë së fundi. Në këtë vend pati fjalë së fundi se Madridi do të merrte kredi nga FMN-ja, për shkak të deficitit, por për momentin kjo nuk do të ndodhë. Mirëpo në tregjet financiare kjo është përkthyer si një tjetër pikë e pasigurt, që ka shkaktuar ulje të ndjeshme.
#