Freedom House: Shqipëria asnjë progres në liritë civile e politike
TIRANE- Shqipëria mbetet një vend pjesërisht i lirë. Kështu thuhet në raportin e përvitshëm për ‘liritë në botë’ të përpiluar nga organizata prestigjoze Freedom House. Shqipëria nuk ka bërë asnjë progres në liritë civile dhe ato politike gjatë gjithë vitit 2009. Vendi ynë nuk ka shënuar përparime, pavarësisht se vitin e shkuar ne u pranuam si anetarë të barabartë në NATO. Sipas drejtorit të studimeve të Freedom House, Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit që kanë bërë përparime, ka mbetur në vend numëro. Madje përparimi në rastin e Shqipërisë ka ngecur. Raporti citon vecanërisht presionet që qeveria e kryeministrit Sali Berisha ka ushtruar tek media por edhe tek organet e drejtësisë. Korrupsioni është një tjetër shqetësim për situatën e lirive në Shqipëri dhe që pengon punën transparente vecanërisht të Prokurorisë dhe Gjykatave. Sipas drejtorit të studimeve Uoker, në Shqipëri nevojiten refroma të thella institucionale. Një nga sfidat kryesore për Shqipërinë është edhe angazhimi i publikut në diskutime publike. Media nuk është plotësisht e lirë, ndaj nuk mund të flasë për çështje serioze politike që shqetësojnë vendin, si reforma sociale, ekonomike apo çështje të sigurisë që shqetësojnë vendin. Raporti përmban në terma të detajuara arritjet dhe problemet në liritë civile dhe politike për Shqipërinë, por varianti i plotë për gjithë vendet do të publikoht në fund të muajit prill. (e.n/News24/BalkanWeb)