Situata në HEC-e MB: Prurjet janë ulur, po pakësohen derdhjet
TRANE- Vihet re një përmirësim shumë i lehtë i situatës në kaskadën e Fierzës. Të dhënat më të fundit të Ministrisë së Brendshme flasin për një ulje të prurjeve të ujit në liqenet që furnizojnë hidrocentralet në veri të vendit por dhe pakësim të derdhjeve dhe ulje të nivelit të ujit në liqene. Në Hidrocentralin e Fierzës aktualisht niveli i ujit në liqen është ulur në 290.48 metra nga 291.09 metër që ishte një ditë më parë. Në Fierzë derdhjet e ujit llogariten sot në 890 metër kub ujë në sekondë nga 900 që ishte dje. Prurjet janë 570 metër/kub ujë në sekondë. Në Hidrocentralin e Komanit niveli i ujit është 170.4 metër, pothuajse në të njëjtin nivel si edhe një ditë më parë. Derdhjet këtu llogariten sot në 1100 metër/kub ujë në sekondë nga 1550 që ishte kjo shifër dje, kurse prurjet llogariten në 170 metër/kub në sekondë nga 250 që ishin dje. Në Vaun e Dejës niveli i ujit llogaritet në 76 metër, prurjet 120 metër/kub ujë në sekondë dhe derdhjet 1266 meter/kub ujë në sekondë. Ndërkaq në gjithë zonën mbetet e pandryshuar shifra e siperfaqes së tokës së përmbytur rreth 10.400 hektarë dhe ajo e banesave që mbetet 2499 shtëpi nën ujë. Të evakuuar numërohen 4780 persona. (e.n/News24/BalkanWeb)