Freizer: Bisedimet Prishtinë-Beograd, me temë qendrore veriun

Ajo thotë se është një hap i mirë që Qeveria në Prishtinë po përpiqet të angazhohet më shumë në veri me theks të veçantë te shërbimet komunale që janë shumë të rëndësishme. Sidoqoftë, shtrohet pyetja se a është ky hapi i duhur në këtë moment.
“Siç e dini, niveli i besimit ndërmjet serbëve të veriut dhe Prishtinës është jashtëzakonisht i ulët. Andaj, është esenciale që fillimisht të nisë një dialog ndërmjet serbëve të veriut dhe Prishtinës, para se të kërcehet në veprime si themelimi i një zyre komunale. Mendoj se është mirë të ndërmerren veprime, por që ato të bëhen hap pas hapi”, thotë Freizer.
“Ajo që e kemi parë, deri më tani, është zhvillimi i një dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. E dimë që ka pasur pak progres gjatë këtij dialogu politik. Një frustrim të serbëve kosovarë që e kemi parë në terren është mospërfshirja e tyre në këtë dialog. Andaj ka pasur përleshje dhe kundërshtime për të pranuar disa nga rezultatet e këtij dialogu politik. Për këtë arsye mendoj se është e rëndësishme që serbët kosovarë të jenë pjesë e këtij dialogu”, thotë ajo.
Natyrisht, se serbët e veriut, thotë Freizer, nuk mund të përfshihen në të gjitha diskutimet dhe në të gjitha formatet, por do të ishte e rëndësishme të ekzistojë një qasje e shumanshme.
"Pra, në disa raste kur çështjet ndërlidhen me jetën e tyre të përditshme, ata do të duhej të futeshin në dialog, ndërsa do të mbeteshin jashtë kur çështjet ndërlidhen vetëm me raportet Prishtinë-Beograd”.
Lidhur me pyetjen për se a do të vazhdojë dialogu mes Prishtinës e Beogradit dhe cilat duhet të jenë temat e vëna në agjendë, Freizer thotë se së pari, duhet të pritet pak kohë derisa të formohet qeveria në Serbi.
“E kemi parë në të kaluarën në Serbi që negociatat për formimin e qeverive të reja janë të vështira, andaj mund t’i nevojitet pak hapësirë. Pastaj, do të shtrohet pyetja se çfarë dialogu do të nisë pasi të jetë formuat qeveria e re në Serbi. ... Ajo që ne, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, rekomandojmë, është që ky dialog të zgjerohet dhe të shndërrohet në dialog vërtet politik ku Beogradi, Kosova dhe serbët e veriut do të bisedonin veçanërisht për veriun dhe për mënyrat se si mund të sigurohet që veriu të integrohet më me efikasitet në Kosovë dhe eventualisht të bisedohet edhe për rrugën e njohjes së Kosovës nga Serbia”, ka thënë Freizer, Radion Evropa e Lirë.
Freizer thotë se veriu është pjesë e Kosovës dhe do të mbetet brenda kufijve të Kosovës. “Natyrisht se ekziston Plani i Ahtisarit, i cili garanton disa të drejta. Fatkeqësisht, është keqkuptuar ky plan në veri dhe ka një emër të keq në veri. Andaj, do të ishte e nevojshme që disa të drejta në Planin e Ahtisarit të ripaketohen dhe të riprezantohen, e ndoshta të shtohen disa të drejta teknike, të cilat do t’u mundësonin serbëve që të ndihen më rehat” ka thënë Sabine Freizer.