Frenk Lampard mes Milanit dhe Interit

E ardhmja e mesfushorit të Celsit, Frenk Lampard e ka emrin Milan ose Inter. Dy ekipet italiane janë hedhur në sulm për anglezin pasi kanë marrë vesh se Lampard mund të largohet nga Londra për 8 milionë paund. Mbi bazën e rregullave të përcaktuara nga FIFA, një futbollist, që ka plotësuar tre vjet nga kontrata e tij dhe është nën 28 vjec mund të kërkojë largimin pak përpara përfundimit të sezonit. Duke patur mundësinë e blerjes së kartonit të tij, mbi kushtet e mësipërme, drejtori i përgjithshëm i Milanit, Ariedo Braida nuk e përjashton mundësinë e afrimit të tij në San Siro. "Është e vërtetë që Lampard kushton 8 milionë stërlina? Ky për ne përbën një element jo pak tërheqës. Lampard është një futbollist shumë i mirë, një nga mesfushorët më të mirë në botë. Pra është një operacion që nuk duhet nënvleftësuar", ka thënë Braida për "Sunday Mail". Në pole-position për shërbimet e Lampard është edhe rivali historik i kuqezinjve, Interi. Po sipas "Sunday Mail" trajneri i zikaltërve, Roberto Mancini e ka vlerësuar shumë lojtarin. Ndërkohë agjenti i Lampard, Stiv Katner ka pohuar se bisedimet mes lojtarit dhe Celsit për rinovimin e kontratës janë vetëm në fazën e parë. Gjithashtu Katner tha se për mesfushorin janë të interesuar edhe Reali i Madridit dhe Barcelona. Kjo e fundit ka kohë që po e ndjek duke përfituar edhe nga bashkëshortja e vet, Elen Rives që është me origjinë katalanase. Ndërkaq burime pranë lojtarit shprehen se largimi nga "Stemford Brixh" është gjëja e fundit që mendon dhe se ai është në tratativa për të arritur një marrvëeshje me presidencën londineze. Mendohet se "Blutë" mund ta bindin Lampard duke i ofruar të njëjtën kontratë që i bënë kapitenit, Xhon Terri, rreth 150 mijë paund në javë.