Frensis: Ju rrëfej çfarë ndodhte tek Kafazi i Artë
Kafazieri që braktisi emisionin: “Zënkat ndodhnin jo për faj të banorëve aty brenda, por të zërave që vinin nga LART”.
Frensis Mato është një nga të rinjtë e futur në reality shoë-n Kafazi i Artë. Ndërkohë që emisioni në fjalë pëson fiasko njëra pas tjetrës, me largime regjisorësh, moderatorësh, kafazierësh etj, shikuesit janë shpesh të traumatizuar nga niveli dhe fjalori i këtij transmetimi. Organizatorët e këtyr lloj emisioneve humbin për fat të keq shansin për të ndërtuar modele sjellje tek një rini shqiptare, me jo pak probleme. Duke u nisur nga popullariteti i këtyre emisioneve ata mund të jepnin një kontribut të mirë në këtë drejtim. Por ndodh e kundërta. Takuam Frensisin për të konfirmuar këto përshtypje të teleshikuesve familjarë dhe më poshtë keni mendimet e tij.
Frensis, pse hyre në "Kafazin e Artë"?
Si fillim, faleminderit që më dhatë mundësinë që të shpreh mendimet e mia për 'dosjen' “KAFAZI”. Jam tip që kohën e lirë e kaloj në mënyrë të kulturuar, lexoj romane. Gjithsecili është i të njëjtit mendim me mua, që leximi i romaneve të zgjeron njohuritë, bagazhin tënd. Doja të mësoja sa i aftë ishte Frensi të bënte publikun për vete. Plus që dhe në jetën reale jam tip që kaloj shumë pak kohë në shtëpi. Më tërhiqte ideja se sa do mund të rezistoja në një ambient brenda katër muresh, me njerëz të ndryshëm. Por.......
Pse dole, pa u skualifikuar, ndërkohë që në kohën që ke qenë brenda, ishe më i votuari?
Pse dola? Ka shumë arsye:
1. Ndieja nevojën e familjes, pasi jam shumë i lidhur me ta.
2. Ndieja nevojën për njerëz me kulturë, të shoqërisë sime me saktë, që i kam dhe shokë dhe vëllezër në të njëjtën kohë.
3. Më kish marrë malli të shikoja një ndeshje futbolli, Liverpool-in më saktë. Jam tifoz anglez, prej nga kam marrë dhe emrin (besoj se keni parë flamurët që mbaja mbi kokën e krevatit).
4. Më kish marrë malli të dëgjoja muzikë Trance (jam shumë i dhënë pas saj).
5. Po të them gjithashtu që më kish marrë malli të vija dhe një skedinë:). Është e vërtetë.
Doni më për Belulin?
Ishte ashtu si e prisje ti?
Po të them me bindje të plotë që vetëm lojë nuk ishte. 'Kafazi' ishte një labirint që autorët e krijonin, por që ne banorët (në rastin tonë kavje për eksperiment) duhet ta përshkonim. E vetmja mënyrë për të fituar popullaritet si spektakël, ishin zënkat dhe këto shpeshherë ndodhnin jo për faj të banorëve aty brenda, por të zërave që vinin nga LART. Në kafaz, ose duhej të bëheshe ujk mes ujqërish, ose do përfundoje mes kthetrave të ndonjë kopeje ujqërish. Atë rol nuk e luaja dot, ishte shumë i vështirë për mua. I thashë vetes: Dil Frensi, dil.
Nëse do të jepej mundësia, do të hyje përsëri në një lojë të tillë?
Kjo është pyetje që s’ka nevojë për përgjigje. Besoj se intervista ime e lë të nënkuptohet. Asnjëherë nuk e përsëris të njëjtin gabim 2 herë. Ju po më thoni që ta lidh prapë gomarin në marule? Me bindje të plotë që JO.
Mendon që aty brenda ka shumë vulgaritet, pasi përshtypjet e shumë shikuesve janë të tilla?
Shumë? Të lutem më gjej një fjalë që nënkupton përgjigjen më shumë se shumë. Kjo ishte dhe një arsye tjetër pse Frensi la “Kafazin”. Ato sharje, përveç se i dëgjoja unë, i dëgjonte dhe familja ime, i dëgjonin dhe të afërmit e mi. Kjo s’më pëlqente aspak.
Çfarë mendimi ke për nivelin e banorëve që kanë mbetur brenda? Mendon se janë një shembull i mirë për t’iu servirur rinisë shqiptare?
Berolda ka se çfarë t’i servirë rinisë shqiptare. Dhe shumë madje. Silvana ka se çfarë t’i servirë rinisë shqiptare. Dhe shumë madje. Këta janë 2 personat, për të cilët ndjehem krenar që janë akoma aty brenda.
Për sa i përket banorëve të tjerë, mendoj se dhe ata kanë cilësi të mira për t’u sevirur jashtë, por në krahasim me 2 banorët më lart, më pak, përjashtoj këtu Omerin që nuk e kam njohur fare dhe s’mund të jap një vlerësim për të, pasi dhe “Kafazin” e ndjek shumë pak.
Si ju duket loja tani që e shikoni nga jashtë?
E thashë që e ndjek shumë pak, kam lënë 2 shoqe aty brenda, që vërtet janë ato motivi që e shikoj ende
Çfarë ka thënë shoqëria juaj pasi keni dalë që aty?
Shoqëria, familja, njerëz që i kam takuar rastësisht në rrugë, qofshin të njohur, por dhe të panjohur, vetëm një fjali më kanë thënë: BËRE MIRË QË DOLE NGA “KAFAZI”. VETËM LOJË NUK ISHTE. Dhe bëra shumë mirë.
Kush mendoni se mund të fitojë nga banorët që kanë mbetur?
Janë vetëm 2. Berolda ose Silvana. N.q.s. çmimi do shkonte tjetër vend, atëherë për mua është zhgënjimi i radhës:).
Frensis, je shprehur që, sapo të dilni, do të ktheheni në Pogradec dhe do të gjeni punë. U ka ndihmuar “Kafazi” për të gjetur punë?
:).Në jetë gjithmonë jam përpjekur që çdo gjë ta bëj me forcat e mia. “Kafazi” as më ka ndihmuar dhe as pres të më ndihmojë.