Freskohuni!

Sezoni i ri në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll nisi në mesjavë, derisa u përshkua me temperatura ekstra të larta. Kjo i shtyu gjyqtarët e ndeshjeve që kohë pas kohe t’i ndërprisnin takimet, mbi të gjitha në Gjakovë, ku temperaturat shkuan deri në 37 gradë celsius, në mënyrë që futbollistët ta kenë mundësinë e flladitjes me kovat e improvizuara me ujë, të cilat janë të veçanta në futbollin kosovar.
Hiç më mirë nuk do t’i kenë punët futbollistët e elitës së futbollit kosovar, por as të Ligës së Parë, as në fundjavë, ku sipas parashikimeve të motit, temperaturat do të kenë ngritje, madje deri në 38 gradë celsius. Përgatitja jo e mirë fizike dhe mungesa e kontrolleve të mirëfillta, rrezikojnë t’u shkaktojnë ndonjë kolaps në fushë futbollistëve.
Edhe pse orarin e fillimit të ndeshjeve (17h), e konsideron si të përshtatshëm, doktori Agron Rexhepi, ekspert i mjekësisë sportive i këshillon futbollistët që të freskohen sa më shumë, para, gjatë dhe pas ndeshjes, për t’i përballuar temperaturat siberike që po mbizotërojnë në vend.
“Fillimi i ndeshjeve në ora 17 është një kohë e mirë, pasi që hiqen temperaturat e larta, nuk është periudhë aq e rrezikshme, pasi që kalon koha e goditjes diellore, ku pasojat mund të ishin serioze. Megjithatë, duhet një kujdes i posaçëm. Disa orë para ndeshjes duhet bërë para-hidratimi, ndërsa gjatë dhe pas ndeshjes është i nevojshëm redehidrimi. Duhet që lojtarët të freskohen”, deklaroi mjeku Rexhepi.
Ai këshilloj lojtarët që të kenë një ushqyeshmëri të mirë, të kenë kujdes dhe se mund të luajnë pa problem. Përpos gjyqtarëve, në xhiron e parë të Superligës edhe trajnerët dhe futbollistët kanë kërkuar që ndeshja të ndërpritet përkohësisht, për t’u freskuar sadopak aktorët e ndeshjeve.
Edhe në tribuna është vërejtur numër i vogël i shikuesve, për shkak të temperaturave të larta që mbizotëruan gjatë mesjavës në Kosovë. Nga java e ardhshme, priten rënie të temperaturave, që do të ishte një lajm i mirëseardhur për futbollistët kosovarë.