Fridrih: Italia të zgjidhë problemet me emigracionit

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Fridrih i ka bërë thirrje Italisë të zgjidhë problemet e saj me emigracionin, pasi Roma deklaroi se do t`u japë emigrantëve nga Afrika e Veriut viza për të shkuar në vende të tjera në Europë. Në botimin më të fundit të gazetës gjermane Welt, citohet Fridrih, sipas të cilit një politikë e tillë do të përbënte shkelje të rregullores së Bashkimit Evropian për udhëtim pa viza. Ai tha se ka në plan ta ngrejë këtë çështje në takimin e ministrave të brendshëm të BE-së në Luksenburg. Ministri i Brendshëm i landit të Bavarisë në Gjermani, thotë se po merr në konsideratë mundësinë e rivendosjes së kontrolleve kufitare përgjatë kufirit me Austrinë, në përpjekje për të ndalur valën e refugjatëve. Mbi 20 mijë refugjatë, në përpjekje për t`u shpëtuar trazirave në Tunizi dhe Libi janë dyndur në ishullin e vogël italian të Lampeduzës, në detin Mesdhe, duke i mbingarkuar kapacitetet e ishullit. Italia thotë se ka në plan t`u japë shumë prej refugjatëve viza për t`i lejuar të shkojnë në vende të tjera të BE-së. Më herët Kryeministri italian Silvio Berluskoni i ka bërë thirrje për ndihmë Bashkimit Evropian, gjatë një vizite të shtunën në Lampeduza. Berlusconi u bëri sërish thirrje partnerëve në BE, që përballë valës së refugjatëve të tregojnë solidaritet me vendin e tij. Duhet të ketë një zgjidhje evropiane, sepse nuk bëhet fjalë për një problem italian por evropian, tha Berlusconi gjatë një vizite në ishullin Lampeduza, vendi kryesor i hyrjes së refugjatëve nga Afrika Veriore.