E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për shqiptarët këndej e andej kufirit

“E fundit po e rëndësishme, është faza përmbyllëse, për shqiptarët këndej e andej kufirit, pra në Shqipëri edhe Kosovë, popullsia e përbashkët e të cilave arrinte në katër milion në fillim të viteve ‘70.

Gjuha popullore përbën rrënjën që ushqen në mënyrë të pareshtur gjuhën e shkrimit. Kur kjo largohet nga ligjërimi popullor, largohet njëkohësisht dhe nga masat popullore, dhe rrezikon të bëhet një gjuhë letre, një gjuhë artificiale.

Në qoftë se gjuha e shkrimit mbyllet në vetvete dhe largimi i saj nga të folët popullor theksohet edhe më tepër, me kohë paraqitet mundësia e një diglosie, një dygjuhësie, gjë që ka ndodhur në disa gjuhë të botës, edhe të Evropës. Për disa arsye sociolinguistike, të cilat nuk është vendi të shtjellohen këtu, edhe kalimi nga dialektet territoriale në gjuhën e shkrimit duhet të jetë i ngadalshëm e i harmonishëm.

Gjuha e shkrimit nuk duhet të jetë dialektofobe. Mbetet një fakt në atë mes që ligjërimi popullor me gjithë shtresat e ndryshme që e përbëjnë, me karakterin e tij të natyrshëm e të thjeshtë, është i caktuar të jetë një gurrë e gjallë ku përtërihet vazhdimisht edhe gjuha e literaturës.

Duke hyrë në disa pika të veçanta, në lidhje me vijat parimore që u ravijëzuan më sipër, do të thuhet se janë arritur rezultate të mira, disa pika të qëndrueshme, në shkrim të shqipes në drejtim të thjeshtimit e të konvergjencës.

Një nga parimet që kanë rezultuar të jenë të drejta në këtë fushë është marrja parasysh e kriterit të shtrirjes territoriale të dukurive në caktim të normave drejtshkrimore. Konkretisht, kur një formë e caktuar përdoret në mbarë trevën e njërit nga dialektet kryesore dhe pjesërisht edhe në tjetrin, ajo me të drejtë ngrihet në normë të shkrimit.

Në bazë të këtij kriteri përdoret vend edhe zemër, jo vënd edhe zëmër. Për të njëjtën arsye të konvergjencës ka zënë vend edhe shkrimi i bashkëtingëlloreve fundore të zëshme si të tilla, me gjithë shqiptimin e pazëshëm të tyre në një pjesë të mirë të dialekteve jugore, shkrim që pajton dhe me ruajtjen e strukturës morfologjike të fjalëve përkatëse, në rasa si shtogu, i madhi, mblodha.

Për të njëjtin kriter është arritur, ndër të tjera, përdorimi i j-së në vend të nazalit palatal nj në fund (e në trup) fjalë te foljet, tipi punoj, punoja, dhe po për këtë arsye janë gjithë mundësitë që ky përdorim të shtrihet edhe në sistemin nominal, tipi ullinj, të mëdhenj, forma që s'janë të huaja as për ligjërimet jugore. Parimi i thjeshtimit drejtshkrimor është zbatuar në dobi sidomos në përdorim të ë-së së pathekse, një nga pikat, sikundër dihet, kryesore të drejtshkrimit të shqipes.

Duke i dalë përpara prirjes së dukshme të gjuhës për një thjeshtim më të madh në punë të shkrimit të këtij vokali në të ardhmen, mund të shkohet më tej në këtë drejtim, duke shkruar ndër të tjera amtar, pishtar, arsim, kshill, pjestar, pjestim, përmendsh, trekëndsh, trajta fjalësh që gjinden pjesërisht që në traditën e vjetër të shkrimit (si kshill), e pjesërisht në mbarë truallin e sotëm të gjuhës.

Aty duhet të hyjnë dhe shumëset dit dhe net. Shkrimi i tyre me një ë fundore, në kundërshtim me mbarë përdorimin gojor dhe me mbarë traditën letrare, nuk përligjet shkencërisht me trajtat e shquara, ditët, netët, sa kohë që ka edhe rasa të përkundërta, si lot përkundrejt lotët, të zot përkundrejt të zotët, njëzet përkundrejt të njëzetët.

Edhe te lidhoret e tipit të dalësh, të marrësh do parë mirë gjer ku kriteri i përpjesëtimit të përhapjes territoriale lejon këto shkrime me ë të rrokjes fundore.

Nga ky kriter dhe nga parimi i konvergjencës e përgjithësisht nga arsyeja e shëndoshë, duhej të udhëhiqej drejtshkrimi dhe në shkrim të formave Mitkoja, Pirroja apo Mitkua, Pirrua.

Format e llojit të parë imponohen aq më shumë, kur të mendohet se ku do të çonin trajtat e shquara të fjalëve dhe emrave si kakao, foto, Romeo, radio, studio, trio, Klio, sikur të zbatoheshin mënyrat krahinore me ua për mbarë fushën gjuhësore të shqipes.

Nuk do të rimerren këtu grupet zanore ie, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd, ngj, që u zunë ngoje më lart, ku norma drejtshkrimore është arritur prej kohësh.

As variantet tashmë margjinale të tipit motrë, veglë, dorzë, ku në shkrim janë arritur gjithashtu format e përbashkëta që dihen. Vetëm do të preket, si një rasë tipike e konvergjencës, depërtimi i sufiksit të agjentit ues (dërgues, mësues, sulmues) në gjuhën e përbashkët të shkrimit, i cili po fiton edhe mbi variantin popullor përgjegjës uas të Jugut (liruas, përçuas, përgjuas, shpëtuas) edhe mbi onjës, që në ligjërimet veriake paraqitet si ojs, ojse, në fjalë si diftojs, mësojs, fërkojse.

Depërtimi ndërdialektor vërehet në fjalëformim edhe në të tjera formante. Hyjnë aty sufikset ueshëm e yeshëm, në rasa si i besueshëm, i gëzueshëm, i rrëmbyeshëm. Pastaj sufiksi meni i Shqipërisë së mesme, në fjalë popullore si pameni "pamje, panoramë", i cili me funkcionin më fort të mundësisë, me trajtën e tij të kryehershme dhe me trajtën përgjegjëse të ndërtuar mëri, u bë produktiv në gjuhë, në rasa si gatishmëri, ngjashmëri.

Përtej caqeve të formës, edhe në fushën kuptimore të fjalëve ka shpërngulje drejt konvergjencës, me integrim të domethënieve dialektore në domethënie më të përgjithshme, më përfshirëse, si për shembëll te çoj, sot kryesisht "shpie, përcjell, dërgoj, nis; ngrë, zgjoj nga gjumi; kaloj kohën, shkoj jetën".

Një kapitull me rëndësi përbën dukuria e univerbimit (njëfjalëzimit), dhe lidhur me të çështja e shkrimit të fjalëve bashkë ose ndaras.

Në vjetët e fundit vihet re një prirje për të shkruar si një fjalë të vetme lokucione ndajfoljore e lidhëzore si megjithatë, megjithëse, kurse shkruhet dy fjalë sinonimi i kësaj edhe pse, dhe rekomandohet - a me të drejtë? - një shkrim tri fjalësh për mes për mes etj.

Historia e shqipes tregon me të vërtetë prirjen - të shpeshtë në gjuhët më të ndryshme - për të shkrirë në një fjalë sidomos elementet leksikore me një vëllim përgjithësisht të pakët e me pavarësi relative, si pjesëzat a lidhëzat as (bashkë me kompozitat e saj si askurrë, askush, aspak), dot, ndiç, ndonëse, nëse etj., të cilat për një pjesë të mirë janë formuar nga një fjali a një pjesë fjalie përbrenda sandhit, ngërthimit të fjalisë.

Fragment nga fjala në Kongresin e Drejtshkrimit më ‘72

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›