Vllaznia Toleranca zero fitojme ne
Sfida me Skënderbeun është shumë e rëndësishme për Vlazninë. Padyshim që është takimi më i rëndësishëm i javës së 15-të të Superiores. Gjatë javës, të shumtë kanë qenë zërat se po punohet “nën dhe” për të bindur shkodranët të tolerojnë Skëndërbeun, i cili është më i avantazhuar në luftën për titull, por dje, drejtuesit e Vllaznisë kanë hedhur poshtë gjithçka. “Është një ndeshje e radhës, ku kemi një obligim maksimal për ta fituar ndeshjen. Sa takon zhurmës, që është gjatë këtyre ditëve për një tolerim të mundshëm të Vllaznisë, mund të them se ka njerëz që e sulmojnë dhe e paragjykojnë skuadrën tonë”, theksoi dje presidenti Valter Fushaj. Ndërsa trajneri Mirel Josa përforcon më pas me: “Dua t’ju bëj të qartë juve dhe më pas gjithë publikut, se që në ditën e parë të stërvitjes së kësaj jave, u kam bërë të qartë atyre që të mos ndikohen nga asgjë anësore. Nuk na shqetësojnë thashethemet, fitojmë ne edhe kësaj radhe”. Takimi do të luhet sot në orën 13:00 në “Loro Boriçi”.