E Diel, 1 Nëntor 2026

Frigorifer të posaçëm për ruajtjen e vaksinave

Veç rikonstruksioneve, protokolleve të reja të mjekimit apo sistemit të ri të informatizimit të rrjetit të qendrave shëndetësore, një tjetër lajm i mirë për parësorin.

Sipas një projekti mes Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bankës Botërore, qendrat shëndetësore do të pajisjen me aparatura të reja dhe moderne brenda këtij viti, duke përmirësuar kujdesin shëndetësor dhe duke lehtësuar punën e mjekëve. Në kuadër të zhvillimit të teknologjisë, po punohet për ndërtimin e një sistemi modern dhe të integruar të informacionit. Sakaq, qendrat shëndetësore kanë akumuluar fondin prej 60 milionë lekësh të reja, me të cilat do të shpërblehen punonjësit, njëkohësisht do të realizohen edhe investime në infrastrukturë apo plotësim të nevojave të tjera.

"ISKSH, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me financim të Bankës Botërore, ka realizuar blerjen dhe po shpërndan në të 419 qendrat shëndetësore 500 PC, 400 printerë dhe një sasi serverësh për drejtoritë tona rajonale, që do të shërbejnë për grumbullimin e informacionit nga këto qendra shëndetësore. Çdonjëra prej tyre do të ketë të paktën një kompjuter dhe një printer", u shpreh drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, shumë shpejt do të nisë shpërndarja e pajisjeve me të cilat do të furnizohen të gjitha qendrat shëndetësore që do të ndihmojnë mjekët e familjes të ofrojnë në mënyrë sa më cilësore të gjitha shërbimet që janë pjesë e paketës së shërbimeve. Këto pajisje do të ndihmojnë mjekun e familjes që të diagnostikojë më mirë sëmundjet e syve, veshit, përkujdesen ndaj fëmijëve, duke bërë matjen dhe peshimin e tyre. Nëpërmjet këtyre aparaturave të reja mjekët do të bëjnë ndjekje më cilësore për pacientët me sëmundje kronike, matjen e sheqerit në gjak, matjen e tensionit, përkujdesje më e mirë për gratë shtatzëna nëpërmjet aparaturave si pelvimetër, peshore, pajisje për testimin neurologjik. Gjithashtu, qendrat do të pajisen me sterilizator, me qëllim ofrimin e shërbimit me mjete brenda kërkesave të higjienës. Vaksinat si pjesë e punës së përditshme do të mbahen me frigoriferë të rinj portabël, me qëllim ruajtjen sa më mirë të tyre në çdo moment dhe ofrimin e shërbimit edhe në ato shtëpi që janë larg qendrave shëndetësore. Qendrat e Tiranës do të pajisen edhe me EKG, me qëllim diagnostikimin e të sëmurëve kardiologjik brenda qendrës pa qenë nevoja për të shkuar në klinikat private. Gjithashtu, laboratorët e tyre do të pajisen me fotometër, autoklave dhe centrifugë për të ofruar një gamë më të gjerë analizash për pacientët.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›