Shtrenjtohen kreditë për shqiptarët
Shqiptarët pranuan të paguajnë interesa më të larta për kreditë në lekë dhe në euro, si pasojë e rritjes së primeve të rrezikut në ekonominë shqiptare gjatë muajit mars, bëhet e ditur nga statistikat e Bankës së Shqipërisë. Interesat e kredive afatgjata në lekë u rritën me 0.43 për qind në krahasim me shkurtin dhe 1.67 për qind në krahasim me dhjetorin, si pasojë e tendencës nënçmuese të monedhës shqiptare. Kreditë afatgjata janë ato që kanë afat maturimi mbi 5 vjet dhe zakonisht merren për të financuar blerjen e shtëpive. Gjatë marsit, interesi i tyre ishte mesatarisht 16.61 për qind në terma realë. Banka e Shqipërisë llogarit interesin real të paguar nga klienti, ndërkohë që bankat zakonisht e ndajnë koston e kredisë në interesa dhe komisione. Por rritja e interesave ishte edhe më e lartë për kreditë afatshkurtra, 6 deri në 12-mujore dhe ato afatmesme, 1 deri 3-vjeçare. Për kreditë me afat maturimi trevjeçar në lekë, u pranua të paguhet mesatarisht 16.61 për qind. Në krahasim me shkurtin, interesi u rrit me 1.661 për qind, ndërkohë që në krahasim me dhjetorin, rritja ishte 4.43 për qind. Interesat e kredive në lekë janë rritur së bashku me rritjen e interesave të bonove të thesarit, edhe pse politika e Bankës së Shqipërisë gjatë vitit të fundit ka synuar të ulë interesat e parasë në tregun e brendshëm. BSH-ja ka ndërhyrë disa herë në treg duke ulur normën bazë të interesit në ekonomi, por kjo masë nuk ka ndikuar fare në uljen e interesave për kredimarrësit e thjeshtë. Shumë analiza tregojnë se interesat e kredive dhe depozitave në lekë varen më së shumti nga oreksi i qeverisë për borxh të brendshëm. Kur qeveria e rrit kërkesën për bono thesari, edhe interesat e kredive e depozitave rriten. Por gjatë muajve të fundit, ndërsa interesat e bonove të thesarit janë rritur me rreth 50 pikë bazë, interesat e kredive janë rritur disa herë më shumë.
Kreditë në euro kanë pësuar gjithashtu rritje në tregun shqiptar, pavarësisht se kostoja e euros në tregun ndërkombëtar është ulur në minimumin historik. Gjatë marsit, kredia me afat maturimi 1-3 vjet u shtrenjtua me 1.28 për qind në krahasim me shkurtin dhe 1.78 për qind në krahasim me marsin. Kredia afatgjatë në euro pati interesa pothuajse të pandryshuara. Gjatë marsit, interesi mesatar për kreditë e reja në euro varioi nga 7.07 për qind në 9.67 për qind në varësi të afatit të maturimit. Interesat e kredive në euro janë ulur në të gjitha vendet për shkak të uljes së normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Evropiane. Euribor, interesi i kredidhënies mes bankave, është ulur nga 4.7 për qind një vit më parë, në më pak se 2 për qind aktualisht. Por shqiptarët duket se nuk po përfitojnë shumë nga kjo zbutje e politikës monetare evropiane, kryesisht për shkak se bankat në Shqipëri synojnë të nxisin kredimarrjen e shtrenjtë në lekë.