E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: Ju tregoj "hallet" e Universitetit të Tiranës

Rektori i Universitetit më të madh publik në vend, atij të Tiranës, Dhori Kule, ka shpjeguar filozofinë e re të bashkëpunimit me homologët e tjerë kryeqytetas, që në një të ardhme mund të prezantohen si një strukturë e vetme. Ndërsa i ka mëshuar fort bashkëpunimit me universitetet e rretheve dhe punës për nxjerrjen e diplomave të përbashkëta, sidomos për nivelin e dytë. Po kështu, rektori Kule ka theksuar faktin se të diplomuarit në sistemin 4-vjeçar nuk kanë arsye pse të vihen nën presionin e masterave të sistemit të Bolonjës. Kjo, për faktin se diplomat e tyre, në bazë të ligjit, janë të barazvlefshme me sistemin 3+2. Pra, ata duhet të aplikojnë për studime të masterave të nivelit të dytë, që janë pjesë e doktoraturave. Ndër shqetësimet e rektorit të UT-së është bllokimi i pashpjegueshëm i një masteri të nivelit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë, bashkëpunim me palën gjermane. Sipas Kules, një punonjëse e MASH-it vendos jashtë kompetencave bllokimin e një investimi arsimor mjaft të rëndësishëm në fushën e jurisprudencës. Nga ana tjetër, ai apelon sërish për revokimin e një urdhri të ministrit të Arsimit, që lidhet me ngarkesat mësimore dhe që përveçse demotivon punën, është i jashtëligjshëm. Numri një i UT-së kërkon më shumë dashuri dhe besim për arsimin dhe jo paragjykime e logjikë bllokuese. Ndërsa shprehet se decentralizimi shton përgjegjësinë dhe centralizimi në vendimmarrje frymëzon korrupsionin.

Në ç‘fazë ndodhet procesi i akreditimit të UT-së. Si ka qenë rezultati i vlerësimit të brendshëm dhe cilat janë defektet që duhen përmirësuar?

Akreditimi ose cilësia është fondamentale për shkollën. Ky proces është një fenomen që verifikon standardet dhe cilësinë. Universiteti i Tiranës, si një pasuri e madhe kombëtare që ka kombi shqiptar, jo vetëm Shqipëria, në raport me kolegët e vet publik dhe jo publik, ka një mision të përcaktuar. E ka parë veten jo si konkurrent me ta, por si mbështetës i tyre në fushën akademike. Këtu kam parasysh universitetet publike dhe ato jopublike, me të cilët kemi kooperime shumë të mira. Ata po e ndiejnë natyrshëm mbështetjen që u jep UT edhe në kuadrin e rrjetit të universiteteve shqipfolëse. UT nuk diskuton problemin e të dalluarit, në raport me të tjerët, në Shqipëri. Synimi ynë është që të jemi një universitet konkurrencial në Evropë. Kemi gjetur edhe mirëkuptimin e të tjerëve. Kushdo e kupton që UT me resurset akademike dhe studentore është tashmë i dalluar në raport me të tjerët. Kur flasim për cilësi dhe standarde, që i verifikon procesi i akreditimit dhe pastaj ai i renditjes, si në çdo sipërmarrje, elementi që gjykohet në fushën e arsimit janë aktorët kryesorë. Në fushën e edukimit këta aktorë janë dy: mësuesi dhe nxënësi, pedagogu e studenti. Nëse do të gjykojmë aktorët që funksionojnë në Shqipëri nga ky këndvështrim, UT është i dallueshëm. Ka një staf pedagogjik prej 950 pedagogësh të brendshëm, nga të cilët, më tepër se gjysma janë me tituj dhe grada shkencore. Pjesa tjetër është në procesin e doktoraturave, sapo kanë mbaruar masterat e nivelit të dytë, ose kanë përfunduar shkolla të integruara të nivelit të dytë. Pra, kemi një staf, i cili është pasuria jonë kryesore, por që kontribuon dhe për të tjerë. Po të shohim aktorin tjetër, studentët, përsëri UT edhe në këtë pikë është i dallueshëm. Na vijnë studentët më të mirë të Shqipërisë, qoftë me procedurat e mëparshme, që gjeneroheshin nga logjika e notës mesatare apo e konkurseve, qoftë edhe me logjikën e Maturës Shtetërore. Brenda fakulteteve tona ka specifika të tilla, që tërheqin cilësinë e mirë, sipas kërkesave prioritare. Të tilla janë Juridiku, Mjekësia, Ekonomiku. Brenda këtij të fundit, degë preferenciale është Informatika Ekonomike. Po kështu, te Shkencat e Natyrës dhe të tjerat.

Sapo kemi përfunduar, në të gjitha fakultetet e UT-së, procedurat e vetëvlerësimit. Është një fazë e parë, që i paraprin procedurave të akreditimit. Komisioni qendror i UT-së po përgatit raportin përfundimtar për të gjitha fakultetet, që do ta kalojmë këtë muaj në senat. Pas miratimit në senat, që është procedura e vetëvlerësimit, ne do ta përcjellim atë në dy linja: tek Agjencia shqiptare e Akreditimit, por njëkohësisht edhe në agjencinë gjermane "Aquin", me të cilën kemi rënë dakord që të na realizojë këto procedura. Ditën e hënë do të jem në Gjermani, për t‘u takuar me drejtuesit e kësaj agjencie që të vendosim për ekzekutimin e procedurave të mëtejshme.

Rezultatet e deritanishme të vetëvlerësimit evidentojnë gjendjen që kemi. Ato kanë një të mirë të madhe, pasi shikon dhe nxjerr edhe problematikat se si duhet përmirësuar puna në të ardhmen. Verifikojmë që, në kushtet që duhen plotësuar, për të pasur një universitet të nivelit perëndimor, ne i përmbushim elementet thelbësore, ato të përmbajtjes. Mangësi verifikojmë deri diku te elementi i infrastrukturës. Kjo lloj sipërmarrje arsimore ka prioritare cilësinë e stafit pedagogjik, kurrikulat dhe studentët e mirë, si dhe ka nevojë për një infrastrukturë të mirë. Por infrastruktura nuk është e para, në raport me të tjerat. Kushdo që konsumon arsim e di që mund të kesh infrastrukturë, por nuk do të thotë që ke universitet të mirë.

Keni hasur në pengesa për të realizuar fillimin e zbatimit të projektit për ndërtimin e kampusit të ri universitar?

Sapo kemi filluar procedurat e tenderimit për realizimin e projektit të detajuar të tij. Më pas do të fillojë ndërtimi i kampusit, që i jep zgjidhje përfundimtare dhe këtij elementi me mangësi që ka UT. Atëherë mund të pohojmë faktin se në të gjitha pikëpamjet universiteti jonë është i nivelit të krahasueshëm evropian dhe ndërkombëtar. Është siguruar mbështetja financiare nga qeveria shqiptare dhe Kryeministri e ka dhënë konfirmimin që do të mbulohet totalisht nga buxheti i shtetit. Nga llogaritjet paraprake vlera shkon nga 25-30 milionë euro, me një kapacitet deri në 12 mijë studentë, me të gjitha ambientet që kërkon një kampus modern i nivelit evropian. Punimet është parashikuar të përfundojnë brenda një periudhe 3-vjeçare, por kjo nuk do të thotë që do të presim 3 vjet për ta shfrytëzuar. Kemi parashikuar ta vëmë pjesë-pjesë në përdorim. Për një vit vihen në dispozicion ambientet mësimore dhe pastaj të tjerat.

Jam optimist në këtë linjë. Këtë universitet duhet ta ruajmë pa pasur të nevojshme xhelozitë e të tjerëve. Kemi gjetur konsensusin nga shumë kolegë që japin mësim apo drejtojnë universitete jopublike, të cilët nuk kanë xhelozi ndaj nesh. Për të kryer aktivitet mësimdhënës-edukativ me standarde ka hapësira për të gjithë, por meqenëse segmentet cilësore të nxënësve, në mënyrë të natyrshme janë të ndarë dhe më të mirët vijnë këtu, detyrimi për ta mbështetur dhe për të mos e penguar funksionimin e këtij universiteti është i të gjithë shoqërisë.

Kemi dhe një specifikë në raport me të tjerët. Ne mbulojmë atë që është kryesore për arsimin, ofrimin e degëve të mësuesisë. Ky është themeli i arsimit ndaj dhe mbështetja duhet të jenë maksimale.

Çfarë zgjidhje është parashikuar për godinën e Fakultetit të Drejtësisë dhe atë të Shkencave Sociale dhe a ka influencuar zhvendosja e studentëve, në rezultatet e tyre të provimeve?

Publiku shqiptar është njohur me këtë situatë shqetësuese që kemi pasur. Është verifikuar edhe indiferencë në ndjekjen e këtij problemi nga institucionet, që kanë pasur përgjegjësinë. Jemi në një fazë, që është futur në rrugën e zgjidhjes. Është bërë ekspertiza nga grupet e ekspertëve prej Ministrisë së Transportit dhe po përfundon projekti i ndërhyrjes për rikonstruksion të godinës ekzistuese. Ndërkohë, me vendim qeverie ne na ka kaluar në pronësi ish-kinoklubi i Qytetit Studenti. Atë do ta përgatisim për vitin e ri akademik, si një ambient mësimor të UT-së, në dispozicion të Fakultetit Juridik dhe atij të Shkencave Sociale. Do të bëhet edhe rikonstruksioni i godinës ekzistuese dhe mund të them se edhe ky shqetësim, që ishte jo i vogël, është futur në rrugën e zgjidhjes. Me këtë rast, dua t‘i falënderoj studentët tanë që e mirëkuptuan situatën e krijuar. Me vështirësi e kanë kaluar këtë periudhë, duke bërë mësim në ambiente të tjera dhe në kohë jo normale, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, te gjimnazi "Petro Nini". Edhe drejtuesve të kësaj shkolle dua t‘i përcjell falënderimet e UT-së dhe të studentëve, që në një periudhë që kishim nevojë na mbështetën, duke na liruar ambiente për të zhvilluar mësim.

Pse vazhdojnë të jenë të bllokuara masterat e nivelit të dytë, për atë kategori që ka përfunduar studimet 4-vjeçare, ose sipas sistemit të vjetër? Ku qëndron problemi?

Ajo që desha të nënvizoja për të gjithë të interesuarit është se shpesh nuk janë njohur mirë me legjislacionin shqiptar. Të gjithë ata që kanë mbaruar studimet në sistemin 4-vjeçar dhe me më shumë vite, sipas ligjit të arsimit të lartë, diploma e tyre konsiderohet si diplomë e integruar e nivelit të dytë. Pra, ata nuk kanë nevojë për master juridikisht. Diploma e integruar e nivelit të dytë është ekuivalente me sistemin 3+2, pra me 5 vjet studime. Nga kjo pikëpamje, këta persona nuk kanë përse të trokasin për të bërë studime të nivelit të dytë, pasi ligji ua ka njohur automatikisht. Nëse në ambientet e punës, ose aty ku ata kërkojnë të punësohen, punëdhënësit akoma nuk e dinë këtë, mbase do të jetë më mirë që të bëhet prezent një fakt i tillë. Pikërisht, në nenin 89 të ligjit konfirmohet legjitimiteti i vlerës së diplomave të tyre. Dua të sqaroj se masteri i nivelit të dytë është element i studimeve të doktoratës. Master i nivelit të dytë aktualisht është hapur, megjithëse me një vonesë të pajustifikueshme. Në Fakultetin e Ekonomisë, në të tëra degët e veta, ky master, që është vërtet "qershia mbi tortë", ka dinjitetin e nivelit ndërkombëtar, në cilësinë dhe njohjen e diplomave. Këto mastera janë të organizuara me universitete amerikane, gjermane, italiane dhe sllovene. Janë të njohur ndërkombëtarisht dhe si të tillë, vonesa në legjitimitetin e tyre nuk justifikohet. Probleme kemi aktualisht me masterin e nivelit të dytë në Fakultetin Juridik në "Business Law", që e kemi dërguar për miratim në MASH. Këtu nuk po gjejmë dot shpjegim. Është një projekt evropian i mbështetur nga GTZ. Dua të falënderoj mbështetësit tanë të linjës gjermane që na kanë suportuar shumë në fushën e arsimit. Këshilli i Akreditimit e ka kaluar këtë master prej kohësh. Por, çuditërisht, para 5 ditësh vjen një përgjigje bllokuese nga Drejtoria e Arsimit të Lartë në MASH. Jashtë kompetencave të saj, merr përgjegjësi të tilla dhe nëpërmjet një shkrese verifikohet një tendencë e pakuptueshme e bllokimit të këtij masteri. Mbështetësit tanë ndërkombëtarë e kanë hapur atë në të gjitha vendet e Evropës Juglindore. Çuditërisht, në Shqipëri, ku çdo gjë është gati, pasi kanë ardhur edhe profesorë dhe ekspertë gjermanë, nuk po gjejmë dot shpjegim se si persona pa autoritetin përkatës, sepse Ministrinë e Arsimit nuk e përfaqëson drejtoresha e arsimit të lartë, kushdo e di që ka titullarë, merr përsipër të dërgojë një shkresë frenuese me kërkesa të tilla, që e shprehin hapur një tendencë të pakuptueshme frenimi dhe për më tepër në një fushë për të cilën kemi shumë nevojë.

Na është ofruar përgatitja dhe kualifikimi në fushën e jurisprudencës. Kushdo e di në Shqipëri se sa të vështirë e kemi të përgatisim juristë të mirë. Shumë kemi në sasi, por kemi nevojë për juristët elitarë dhe këtë na e ofron një bashkëpunim ndërkombëtar. Por, gjenden disa nëpunës në Ministrinë e Arsimit, që marrin përsipër, pa shpjeguar, të bllokojnë, në mënyrë të frikshme dhe tendencioze situata të tilla. Unë do t‘i drejtohem titullarit, ministrit të Arsimit për këtë çështje. Vërtet na ka shqetësuar një qëndrim i tillë nga një person, që nuk e ka për herë të parë, që bën veprime të tilla ndaj universitetit.

Të ndalemi pak në projektet e kërkimit shkencor. Ka pasur edhe këtu një bllokim të ardhur si pasojë e disa mosmarrëveshjeve me ministrinë. Si qëndron e vërteta?

Të gjithë e dinë se institutet e Akademisë së Shkencave kanë kaluar në varësi të universitetit. Edhe këtu ka një dukuri problematike. Prej dy vjetësh, ka kaluar vendimi i qeverisë që i bën pjesë të strukturave tona, këto institute. Ne, aktualisht, kemi transferuar dy institute dhe një qendër studimore, siç është ajo e Gjeografisë. Por, çuditërisht, për motive të pashpjegueshme nuk është realizuar vendimi i qeverisë për transferimin e inventarëve të tyre. Pra, ne i kemi dhe nuk i kemi njëkohësisht këto institute. Kemi dy vjet që bëjmë korrespondencë me MASH-in dhe i kërkojmë të realizojë detyrimin ligjor, që ia përcakton vendimi i qeverisë: të fiksojë komisionin për inventarizimin dhe kalimin e inventarit tek ne. Akoma ky detyrim nuk është realizuar edhe këtu në një formë të pashpjegueshme. Në kohën që themi se e kemi prioritet kërkimin shkencor, institutet ende nuk na kanë ardhur si pjesë e jona. Duhet të keni parasysh se bëhet fjalë për institute si ai i Fizikës Bërthamore, që ka pasuri dhe inventarë të cilët, nga pikëpamja e llojit të tyre, është e papranueshme që të mos inventarizohen dhe të kalojnë në pronësi. Tani, ato janë në pronësi të askujt dhe kjo lihet në mënyrë vërtet shumë shqetësuese, për dy vjet, pa shpjegim. Mund të kem bërë me dhjetëra shkresa, ku kërkoj realizimin e detyrimit dhe përgjegjësinë që ka caktuar Vendimi i Këshillit të Ministrave. "Vesh i shurdhër" nga MASH. Është për të ardhur keq.

Nga ana tjetër, për sa i përket kërkimit shkencor, unë do të bëja prezent një situatë rozë dhe shumë optimiste. Po të shikonit thuajse të gjitha departamentet e UT-së, kanë organizuar dhe organizojnë konferenca, që janë rezultat i kërkimeve që bëjnë në fusha të ndryshme. Para katër ditësh, Departamenti i Menaxhimit në Fakultetin e Ekonomisë, realizoi një konferencë ndërkombëtare vërtet për t‘u vlerësuar, me standarde cilësore dhe me pjesëmarrës amerikanë, italianë etj. Po kështu kanë vepruar edhe departamentet e pothuajse të gjitha fakulteteve, ata të Mjekësisë, Infermierisë, Shkencat Politike, Juridiku. Ka një jetë kërkimore, që buron natyrshëm nga kërkesat individuale që ka gjithsecili nga pedagogët për t‘u kualifikuar.

Është e vërtetë që kemi nevojë për mbështetje për sa i përket fondeve nga buxheti. Aktualisht, nuk është e qartë situata e mbështetjes nga linja e fondeve që ka në dispozicion Ministria e Arsimit për kërkimin. Ajo që ju pyetët është e vërtetë. Vitin e kaluar, ishin 52 projekte, nga departamente të ndryshme të UT-së, që kërkonin financim, si edhe në vitet e mëparshme. Nuk patëm mundësi që t‘i financonim këto projekte dhe nuk arritën të realizoheshin. Sivjet po përpiqemi që me burimet tona financiare të realizojmë mbështetje për projektet që kanë përgatitur departamentet tona. Ka nisur të kërkohet bashkëpunim për interesa të përbashkëta edhe nga aktorë të jashtëm, firma biznesi e kompani të ndryshme. Edhe për promocion, ato kanë filluar të bashkëpunojnë me botën akademike dhe me departamentet tona.

Kemi një sërë projektesh me to dhe ky është një tregues i maturimit dhe elementit perëndimor, që verifikohet në marrëdhëniet e shkollës me aktorët e tjerë.

Si ndiheni përballë faktit se është shtuar shumë numri i universiteteve publike dhe private?

Nuk na shqetëson fakti që janë shtuar shumë universitete të tjera. Për sa i përket universiteteve publike vërehet një dukuri tjetër. Ne kemi promovuar një filozofi tjetër, është ajo e filialeve. I kemi ngritur në Sarandë dhe në Kukës. Madje dhe ndarja me Politeknikun nuk ishte thelbësore. Ajo ishte ndarje për hir të emrit që mbante dhe normalisht ne më tepër na afron. Pra, jemi më shumë bashkë, sesa të ndarë. Edhe nga pikëpamja e bashkëpunimit që kemi me njëri-tjetrin me Universitetin Politeknik, me atë të Bujqësorit dhe me universitetet rajonale, tendenca e përgjithshme është drejt bashkimit dhe integrimit drejt punës së përbashkët. Nuk do të ishte keq, sikur Universiteti i Tiranës të ishte një me to. Mund të vijë një ditë që ne të jemi të tre Universitetet e Tiranës bashkë dhe kjo do të ishte në të mirë të së ardhmes së universiteteve tona publike. Po punojmë në këtë linjë, që të operojmë sikur jemi bashkë. Nga pikëpamja e infrastrukturës ka disa ndarje, që në perspektivë besoj do të gjejmë modelin. Ky fenomen vërehet edhe në Perëndim, në Evropë. Nga dy-tre universitete kthehen në një, sepse funksionojnë më mirë si nga pikëpamja administrative edhe nga paraqitja më e mirë në tregun evropian, apo nga reputacioni i diplomës që lëshojnë, por dhe për kërkimin shkencor. Ajo që shoh si perspektivë të punës së universiteteve tona publike është bashkëpunimi i ngushtë me njëri-tjetrin, ofrimi i diplomave të përbashkëta. Po shohim mundësinë për të bërë diploma të përbashkëta, sidomos me nivelet e dyta, me Elbasanin, Shkodrën, Gjirokastrën, Korçën. Është fryma e bashkëpunimit, e integrimit, pse jo dhe e bashkimit në të ardhmen, që unë verifikoj si një tendencë të reformave që mund të bëhen në fushën e arsimit të lartë në të ardhmen, për t‘i dhënë fuqi standardesh cilësore universiteteve tona.

Tani ndodhemi në një situatë krejt tjetër. Është propozuar ideja për shkëputjen nga UT të Fakultetit të Mjekësisë e Infermierisë dhe ngritjes së një universiteti të ri me to. A nuk është kjo një goditje shumë e fortë ndaj UT-së?

Kam dëgjuar që është bërë një diskutim i tillë në KALSH. Përfaqësuesit tanë kanë dhënë vizionin se si funksionojnë sot dhe si duhet që të funksionojnë në të ardhmen universitetet. Materialin e kishte përgatitur një grup, që nuk përfaqëson komunitetin. Është i Ministrisë së Arsimit. Ata nuk i pengon askush që të bëjnë materiale, por nuk i lejon kush as ata dhe askënd, që të mos respektohen detyrimet ligjore. Këto fakultete janë struktura të UT-së. Duke qenë të tilla, ligji parashikon marrjen e opinionit tonë. Është taksative në ligj ku kërkohet paraprakisht mendimi i senatit akademik. Pra, duhet të shprehet senati dhe përmes tij, komuniteti i këtyre ambienteve që e njeh mirë arsimin dhe mënyrën se si ai funksionon më mirë. Unë e kam bindje se gjithmonë do të gjejmë përkrahje në qoftë se argumentet do të jenë të tillë që kjo është në të mirë të këtij sektori, pra të së ardhmes universitare dhe edukimit e përgatitjes së specialistëve. Senati do të dëgjojë argumentet dhe do të mbështesë opsionin më të mirë. Kjo lidhet me idetë për zhvillime progresive. Ai që do të duhet të respektohet është domosdoshmërisht ligji, pasi këto fakultete janë pjesë integrale dhe e rëndësishme e Universitetit të Tiranës. Integriteti i tij ka disa elementë ligjorë të ruajtjes dhe si rektor i zgjedhur në këtë ambient, ku më kanë votuar 70 për qind e stafit pedagogjik dhe studentëve, kam detyrimin ligjor që t‘i mbështes vazhdimisht, në të gjitha linjat, në të mirë të ecurisë së të gjithë sektorëve në UT. Ky është mesazhi im për ta.

Jemi në prag të maturës shtetërore dhe përzgjedhjes së tyre për në universitet. Cilat janë kapacitetet pritëse të UT-së?

UT tashmë ka një element shtesë, për të pranuar më shumë studentë. Ka marrë 160 pedagogë të rinj. Atë që e kishim mangësi vitet e kaluara e kemi plotësuar. Presim më tepër nga pikëpamja e kapacitetit mësimdhënës dhe janë parashikuar më shumë pranime të reja. Janë mbi 7000 studentë. Këto janë kuota të absorbueshme nga ana jonë. Këtu ka vetëm një element të rëndësishëm. Që studentëve t‘u shërbehet mirë, kemi nevojë për qëndrim mbështetës edhe nga strukturat administrative, sidomos nga MASH-i. Këtu kam parasysh qëndrimin ndaj stafit. Kemi ngritur si problem një udhëzim që ka ardhur nga MASH-i lidhur me ngarkesat mësimore. Edhe vitin e kaluar, ia kemi përcjellë shqetësimin ish-ministrit, nëpërmjet senatit. Edhe tani në një mbledhje të senatit, muajin e kaluar, i kemi përcjellë propozimet e Këshillave të Fakulteteve, ministrit. Problemi që ka ky udhëzim është i thjeshtë në thelb. Ai është demotivues për punën. Por më e rëndësishmja, është i paligjshëm, sepse në këtë udhëzim, ministri merr kompetenca punëdhënësi. Ligji nuk ia jep ministrit të Arsimit kompetencat e punëdhënësit. Ligji për Arsimin e Lartë, si dhe Kodi i Punës, e ka të përcaktuar qartë dhe nga kjo pikëpamje ky udhëzim duhet të revokohet. Ai demotivon punën dhe i bën stafet pedagogjike të UT-së të palidhura me punën në universitet. Pjesët bazike të funksionimit të UT-së i konsideron si pjesë komplementare dhe kjo është për të ardhur keq, pasi shumë nga aktivitetet që organizohen në universitet si udhëheqje diplomash, mastera, dhënie provimesh, i konsideron si ngarkesë komplementare. Pra, mund ta bësh ose mund të mos e bësh dhe kjo e godet shumë rëndë funksionimin e universiteteve publike, në aktorin kryesor të tyre. Ne e dimë mirë se ku është çelësi i funksionimit cilësor. Unë kam pasur një model të mirë në Fakultetin e Ekonomisë në respektim të ligjit. Janë motivuar nga të gjitha pikëpamjet stafet pedagogjike për të punuar dhe kanë punuar mjaft mirë. Kjo duhet bërë në funksion të ligjit edhe këtu. Ky udhëzim është shumë shqetësues.

Specifikë e arsimit është edhe fakti se kërkon t‘i ofrosh dashuri dhe nuk funksionon nëse jep shenja pengesash apo verifikohet urrejtje. Ne na vjen keq që harxhojmë energji negative për të riparuar elementë të tjerë problematikë, që nuk janë bërë me logjikën e dashurisë ndaj arsimit. Në këtë pikëpamje, duke respektuar ligjin dhe duke eliminuar akte vendimmarrje, që janë në kapërcim të kompetencave që i jep ligji institucioneve të ndryshme, kam bindjen që universitetet publike dhe jopublike do të kenë të ardhme të mirë dhe do të kryejnë misionin që kanë ndaj shoqërisë. Këtë pikë, ne publikët e kemi defektoze dhe shpesh i kemi zili kolegët tanë në universitetet jopublike, për një gjë që ne dimë ta bëjmë shumë mirë. Bëhet fjalë për shpejtësinë e vendimmarrjes për të zgjidhur problemet. Disa prej tyre janë larguar pikërisht për këtë nga universitetet publike dhe pohojnë se në vendimmarrje kanë një superioritet në raport me ne.

Shpejtësia në vendimmarrje për të zgjidhur probleme, që të mos i krijosh pengesa dinamikës së zhvillimit të arsimit është e thjeshtë për t‘u bërë. Kërkon edhe kjo dashamirësi, jo paragjykime. Decentralizimi të krijon përgjegjësi më të madhe individuale, se sa centralizimi. Po e mbajte të centralizuar, të gjitha strukturat poshtë fshihen dhe mund të ketë korrupsion më tepër se sa kur e lë nën përgjegjësinë individuale. Ndaj kapitalizmi ka efektivitet. Dhe ne këtë kemi kërkuar. Por edhe në këtë fazë jemi duke u përpjekur që të familjarizohen me këtë lloj delegimi të përgjegjësive në të gjitha nivelet. Unë si rektor i besoj të gjitha strukturave, pasi ata janë profesorë dhe atyre u besohet edukimi. Ndaj duhet t‘i lëmë sikundër edhe në Perëndim përgjegjësinë e administrimit të fondeve deri tek individi, gjë që aktualisht nuk e kemi. Kjo është një pengesë nga pikëpamja e menaxhimit, në raport me kolegët tanë jopublikë. Verifikojmë një dëshirë për të bërë struktura të ngurtësuara në universitetet publike, ku verifikon një tendencë administrative frenuese, që do ta kish zili edhe sistemi më i centralizuar në funksionimin e vet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›