E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kirurgu anglez, luftë kancerit të gjirit në Sarandë

Pacientët me probleme të kancerit të gjirit dhe gjëndrave tiroide në Sarandë kanë pasur prej ditës së djeshme shansin që të ekzaminohen nga Stiv Kortni, shef i kirurgjisë së qytetit anglez Reding. Në ardhjen e tij të 16-të në Shqipëri, dr. Kortni është ndalur në spitalin "Petro Nako" të Sarandës. Përveç ekzaminimeve mamografike dhe vizitave, ai ka realizuar edhe dy operacione që kryhen për herë të parë në këtë qytet. Stiv Kortni, shef i kirurgjisë në spitalin e qytetit Reding në Angli, me gjysmë milioni banorë, ekspert i kirurgjisë së gjirit dhe tiroides, është asistuar edhe nga kirurgu sarandjot me përvojë, Dhimitër Xhaferi. Drejtori i spitalit, Arben Vogli, ka shprehur mirënjohje për këtë asistencë shumë të vyer për stafin e mjekëve dhe për mundësinë e rrallë që u është krijuar pacientëve sarandjotë. "Ka qenë edhe standardi i krahasueshëm i kushteve të ekzaminimit dhe ato operatore që ofrohen në spitalin "Petro Nako" të Sarandës, që më kanë bërë të vendos për operacionet e mia", u shpreh për "Shqip" dr. Kortni. Ndërkohë, mjeku Ibrahim Bajrami ka treguar për kontributet 16-vjeçare të këtij mjeku, i njohur si "plaku" i kirurgjisë angleze, që ka iniciuar vit pas viti sjelljen e aparaturave mjekësore në Sarandë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›