E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, më e keqja ka kaluar

Ekonomia amerikane duket se është stabilizuar në shumë drejtime gjatë muajve të fundit, por rigjallërimi i saj është ende shumë muaj larg dhe shumë vende pune do të humbasin para se normaliteti të kthehet. Guvernatori i Rezervave Federale, Ben S. Bernanke, foli me optimizëm dje përballë Komisionit të Kongresit për Ekonominë, por paralajmëroi se norma e rritjes ekonomike do të mbetet "mjaft larg potencialit" edhe për shumë kohë. Rezervat Federale kryejnë funksionin e Bankës Qendrore në SHBA.

Në SHBA, disa qytete që ishin prekur më shumë nga kriza financiare, dhanë shenja rigjallërimi gjatë marsit, kur çmimet e ulëta të shtëpive të kredimarrësve të falimentuar nxiti shumë të tjerë të hyjnë në kredi për të blerë. Për pasojë, shpenzimet konsumatore që ishin ulur ndjeshëm gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, dhanë shenja rigjallërimi në tremujorin e parë të këtij viti, ndërkohë që interesat e kredive për prona të paluajtshme në SHBA kanë rënë nën 5 për qind. Institucionet financiare kanë rifilluar të shesin kreditë që u kanë dhënë amerikanëve në formën e kartave të kreditit apo financimeve për makina. Por kreu i FED paralajmëroi se recesioni nuk është kapërcyer ende dhe se shumë njerëz do të përjetojnë kohë edhe më të vështira në muajt në vijim. Amerika ka humbur sakaq pesë milionë vende pune që kur recesioni filloi një vit më parë, ndërsa historikisht papunësia ka vijuar të rritet edhe për shumë kohë pas kapërcimit të krizës. Papunësia ka arritur në 8.5 për qind. Shumë kompani vijojnë të pushojnë njerëz nga puna, ndërsa kreu i FED nuk tha se kriza financiare ka përfunduar. "Mendoj se punët janë më mirë tani sesa në shtatorin e kaluar", tha ai. Shumica prej 19 bankave më të mëdha amerikane do të detyrohen të rrisin kapitalin e vet, ndërsa qeveria federale amerikane do të bëhet aksioner mazhoritar në disa nga gjigantët e financave amerikane. Studime të FED kanë vënë në dukje se bankat kanë nevojë për më shumë kapitale për të përballuar një përkeqësim tjetër të ekonomisë, nëse do të ndodhë. Bankat do të kenë gjashtë muaj afat për të gjetur investitorë të rinj privatë, por qeveria amerikane do të mbulojë diferencën nëse privatët nuk pranojnë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›