Frika e Ramës dhe plani ogurzi për bllokimin e parlamentit
Frika se po afron 2013-a dhe do vërtetohet se Edi Rama s’mundet kurrë të ulet në poltronin e kryeministrit po e shtyn kreun e PS të bëjë zgjidhje ogurzeza, edhe më të këqija sesa grushti i shtetit i 21janarit. Pasi i dështoi trafiku i votave në parlament, tani PS po i drejtohet planit ogurzi të bllokimit të parlamentit, pa marrë parasysh faktin se radikalizmi i ri do të dëmtojë marrjen e statusit të kandidatit
“Kupa po mbushet”.
Edi Rama për ditë e më tepër po kupton se me afrimin e zgjedhjeve të vitit 2013, po afron edhe humbja politike e tij e radhës.
Në këtë kontekst, sipas edhe traditës që ai ka krijuar, atë të bllokimit të funksionimit normal të institucioneve shtetërore, para apo pas humbjes së zgjedhjeve, ditët e fundit po demonstron tentativën e tij për zbatimin e të njëjtit plan ogurzi. Dhe i vetmi plan i tij, si e vetmja “alternativë” politike që ai di të ofrojë, në kushtet e frikës së humbjes së radhës që ka mbërthyer për të disatën herë Edi Ramën, është bllokimi sërish i Parlamentit.
Paralajmërimin për rikthimin e PS-së te politika e vjetër e saj, e bëri dje Gramoz Ruçi në sallën e seancave plenare të Kuvendit. “Nuk do të ketë as zgjedhje të Presidentit”, u shpreh Gramoz Ruçi, nën pretekstin e kthimit “të votës së fshehtë”...
* * *
“Vota e fshehtë” (si togfjalësh) këtë javën e fundit ka “fituar qytetarinë” dhe (keq)përdorimin e saj (po si togfjalësh) nga politika.
“Shkak” u bë votimi i fshehtë elektronik për anëtar të KLD-së të Elvis Çefës më se një javë më parë. Ai votim i fshehtë elektronik, i imponuar nga një tjetër tentativë për bllokimin e Parlamentit nga Gramoz Ruçi e deputetët “e tërhequr prej hunde” prej Edi Ramës, na mundësoi të mësonim dallimin që ekziston midis “votimit të fshehtë elektronik” dhe “votimit të fshehtë me kuti”. Me gjithë se në seancën e datës 19. 07. 2007 të Parlamentit edhe Kreshnik Spahiu, me të njëjtën mënyrë, “votimin e fshehtë elektronik” u zgjodh si anëtar i KLD-së (me 69 vota “pro”, 11 “kundër”, pra dy më pak se Elvis Çefa), jo vetëm që nuk e vuri njeri në diskutim kërcënimin e mazhorancës pse Kreshniku nuk “kapi” 71-shin, por askush, as Gramoz Ruçi e deputetët e PS-së, që duket se ende nuk kishin filluar “të tërhiqeshin prej hunde” nga Edi Rama, nuk u qurravitën atëherë për “(mos)votimin e fshehtë në kuti” për Spahiun.
Çfarë ka ndodhur këtë javën e fundit, që Edi Rama e Gramoz Ruçi, të “na lodhin kokën”, me pretekstet e tyre se “votimi i fshehtë elektronik” për Kreshnik Spahiun pesë vjet më parë ishte “i fshehtë” dhe se votimi i Elvis Çefës, një javë më parë nëpërmjet “votimit të fshehtë në kuti”, “nuk është i fshehtë...”?
Në fakt, nuk ka ndodhur asgjë..., përveçse asaj që Edi Rama “di të bëjë më mirë”, “bllokimin” e institucioneve dhe asaj që zgjedhësit “dinë të bëjnë më mirë”, duke e lënë Edi Ramën në opozitë...
* * *
... Për aq sa Edi Rama “di të bëjë më mirë”, më se një herë, në kushtet kur ai demonstronte paaftësi për tu ballafaquar e për tu evidentuar si lider i PS-së, apo edhe i së majtës, “bllokimin” ka pasur të vetmen “alternativë” që ka ofruar.
Përjashto tentativën e djeshme më të fundit për bllokimin e zgjedhjes së Presidentit, paralajmëruar nga Gramoz Ruçi, duke respektuar rrjedhën kronologjike, nga “bllokimi më i ri” te “bllokimi më i vjetër”, këtë demonstrim Edi Rama e bëri edhe dy javë më parë, ku si pretekst përdori mandatin e Rudina Seserit (e cila u bë më e njohur dhe më mediatike për kohën post-dorëzimit të mandatit, se sa kur kishte mandatin e deputetes).
Duke u shtyrë në kohë, kemi demonstrimin tjetër të mes-janarit të këtij viti, sërish për bllokimin e Parlamentit. Këtë herë pretekst ishte “dëshira e madhe” e dy-tre viteve të fundit të Edi Ramës, për të shtyrë..., e shtyrë..., e shtyrë..., votimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave në Kuvend.
Në vijim të ecjes në kah të kundërt të akrepave të orës, bllokimi i integrimit të Shqipërisë, më saktë bllokimi i marrjes së statusit të vendit kandidat, në pretekstin e mos-hapjes së kutive të zgjedhjeve vendore, është thjesht vazhdimi i demonstrimit tjetër për bllokimin e liberalizimit të vizave, këtë herë nën pretekstin e hapjes së kutive të zgjedhjeve të përgjithshme...
* * *
... Por, për aq “zgjedhësit dinë të bëjnë më mirë”, duke vazhduar ta lënë Edi Ramën në opozitë, kjo pritshmëri në zgjedhjet e vitit 2013, realisht është halli më i madh i tij.
Në funksion të tejkalimit të këtij halli, ai zgjedh të “zgjojë” te Gramoz Ruçi e deputetët e tjerë të PS-së, instinktin e “bllokimit”.
Ndërsa Gramoz Ruçi e deputetët e tjerë të PS-së, janë “aktorët” e planit të radhës ogurzi të Edi Ramës, realisht me këta ai tenton “të kënaqë” një komunitet shumë më të gjerë, sikurse janë “spektatorët”, këtë herë anëtarët e mbështetësit e PS-së.
Në fakt, më tepër se “të kënaqë” këtë komunitet, Edi Rama po tenton “mashtrimin e tyre, duke “i karikuar” me “përdorim force” në Kuvend nga Gramoz Ruçi dhe deputetët e PS-së.
Këtu ai pleks në mënyrën më “të dalë boje të mundshme”, frikën e tij për mosardhjen në pushtet, me alibinë se te “votimi i fshehtë në kuti” i Presidentit, varet “fati i demokracisë”..., a thua se ka thënë ndokush që Presidenti nuk do të zgjidhet sipas “votimit të fshehtë në kuti”.
Kjo “luftë me mullinjtë e erës” e Gramoz Ruçit e deputetëve të PS-së në Parlament, përveçse është një “tërheqje prej hunde” nga Edi Rama, është edhe një shenjë dëshpërimi prej tij (Edi Ramës), i cili duket që deri pak më shumë se një javë më parë, kishte shpresuar te ndonjë “trafik i mundshëm influencash”, e thënë ndryshe “rrjedhje votash” që do ti mundësonin atij të bënte zhurmë më pas (jo se kishte vërtetë merakun e zgjedhjes së Ardian Vishës si anëtar KLD-je), për rrjedhjen e votave (që nuk ndodhën) te mazhoranca. Dhe kur, partiçkat në ardhje të Bamir Topit e Kreshnik Spahiut në ikje, ia sfumuan këtë shpresë, ai ju rikthye sërish “kutisë”, si pretekst për “bllokimin” e radhës...