E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet e opozitës me votën e lirë

20-04-2012 / Redaksionale

Partia Socialiste duket se ka një problem me votën. Pavarësisht reformave zgjedhore dhe rregulloreve parlamentare, Partia më e madhe opozitare jep idenë sikur diçka e zë në grykë kur bëhet fjalë për procese votimi. Ditën e djeshme grupit parlamentar i mungonte në sallë deputeti Gazmir Bizhga, edhe pse karta e tij e votimit, si duket, “pronësi” e kooperativiste e grupit parlamentar të PS, u aktivizua me dashje. Kësisoj deputetët e PS tentuan të votojnë për Bizhgën, ndërsa ai mungonte në sallë. Për Kryeparlamentaren e hekurt “ky po që është manipulim votimi”.
Përtej kësaj, ky “gabim teknik” del se është i dyfishtë ngase socialistët rrëzuan me dorën e  tyre pretendimin që ngritën në seancën e shkuar se duhej hedhur në votim edhe Ardian Visha, pas Elvis Çefës. Madje u shprehën publikisht se do të bënë rekurs në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë votimit të fshehtë me elektronikë të ditës së djeshme e për 4 kandidatura për dy vende në Autoritetin e Konkurrencës, në votim nuk u hodhën të katër kandidatët, por vetëm kandidatët e parë për secilin vend dhe jo të dytët, pasi të parët morën shumicën e votave. Afërmendsh kjo do të thotë së socialistët pohuan ligjshmërinë e këtij votimi (dhe përgënjeshtruan veten), për rrjedhojë edhe atë për Elvis Çefën, i cili mori shumicën e votave.
Megjithatë për çdo proces zgjedhor që ka pasur ky vend, Partia Socialiste ka pasur pretendime, që shpesh ka qenë të motivuara për interesa të ngushta të stinës politike. Kjo parti politike në historinë e saj 20 vjeçare, si Parti Socialiste, ka ngritur stuhi rëre ndaj proceseve zgjedhore për të bërë procese të rregullta dhe demokratike. Përpos atyre të 1992, për të gjitha të tjerat të fituara nga PD, mund të ngrihen pretendime. Edhe në zgjedhjet e 2005, ku zgjedhjet i menaxhoi Partia Socialiste, por i fitoi PD-ja, Ministri i Brendshëm i asaj kohe u shpreh në media se “policët i kishin vjedhur votën”, duke e lënë ministrin pa mandat. Sikurse në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2009, edhe pse pa asnjë provë të qenësishme, përkundrejt 20 mijë firmave komisionarësh socialistë mbi proces-verbalet e rregullta të votimit, Edi Rama u mundua të ngrinte alibinë e vjedhjes së votës. Mandej jo vetëm alibi, por Rama organizoi edhe protesta, edhe grevë urie, edhe demonstrata të dhunshme me pasoja të rënda për stabilitetin politik, për të marrë pushtetin me forma jo demokratike, siç ndodhi me 21 janar 2011. Me këtë vijë sjellje politike u projektua dhe demonstrata e 21 janarit. Kështu u konsumua tragjedia. Dhe këtu filloi shuarja e një partie.
Deri më sot ai ka koleksionuar humbje të njëpasnjëshme përballë kryeministrit Berisha. Si duket, vetia e vetme e Ramës është se gjithçka e nis mirë por e bitis keq. Vuan nga inkoherenca e qëndrimeve që shpesh duket se është një aneks emocional i kompleksit seksual: eiaculatio precox, domethënë dëshira për të ardhur më para se qejfi. Kurba politike e Ramës po bie për faktin e thjeshtë se ai është rrethuar e këshilluar jo nga socialistë, por nga anti-socialistë, individë që në të shkuarën kanë qenë thellësisht kundra Partisë Socialiste. Një emër? Erion Veliaj.
Sidoqoftë për Ramën procesi i votimit është një tmerr konceptimi. Ngase e ka të pamundur të propozojë një alternativë qeverisëse adekuate. Sepse qytetarëve kur flet për punësim u kujtohet se për 11 vjet kryebashkiak nuk hapi asnjë vend pune, kur u flet për taksa u kujtohet se Rama kishte vënë edhe taksë qesharake për leshin, kur u flet për mjedisin u kujtohet batërdia e ndërtimeve jashtë standardeve, kur u flet për korrupsion iu fanitet Tan Lepri, etj.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›