E Diel, 1 Nëntor 2026

Frika e pastrimit

Elsa Ballauri 

Për mua ka qenë shumë interesante këto kohët e fundit të vërej se si shëtit nëpër shtyp apo nëpër tavolina, se si duket e zhduket biseda për hapjen e dosjeve. Nëpërmjet këtij vëzhgimi, mundohem të formoj opinionin se sa të aftë jemi për ta kryer këtë proces të vështirë që kërkon zemër, mend, pasion dhe vullnet. Duket sikur sa herë diskutimi mbi dosjet bëhet aktiv, shumë njerëz stepen, heshtin, fillojnë të belbëzojnë frazat e radhës ...si: “dosjet edhe mund të hapen”, ose “...ndofta nuk është ende koha...”, ose “koha ka kaluar”, ose “pse të krijojmë kontradikta të reja”... Këta njerëz janë të gëzuar kur të nesërmen del një tjetër ngjarje që eklipson atë të dosjeve... Nëse flitet me pasion për politikanët e sotëm, ata shahen, mallkohen, adhurohen etj., nga ana tjetër sheh një indiferencë të hapur, ose një thënie të shtirë kur vjen fjala për të kaluarën dhe sidomos për hapjen e dokumenteve të ish-policisë sekrete. Shqiptarët e kanë të vështirë të krijojnë grupin komunitar. Mua më duket se akoma më të vështirë e kanë të krijojnë komunitetin intelektual. Pikërisht këta, duhej ta kishin bërë këtë temë prej kohe domenin e tyre, të ishin përballur me të e të kishin fituar. Kjo ka vlejtur për shumë vende që e kryen Pastrimin. Kjo duhej të ishte realizuar akoma më shumë në një vend si Shqipëria, ku diktatura komuniste cilësohet si një nga më të egrat në botë. Mosekzistenca e këtij komuniteti, falsiteti dhe indiferenca me të cilën përcillet problemi i dosjeve, do të rrezikojë që të mos ketë shanse as në të ardhmen që ky komunitet të krijohet.
Ekzistenca jonë sociale, politike, psikologjike, ekonomike, lidhet me historinë tonë, me atë që kemi kaluar, sikurse edhe ne vetë kemi qejf të rrëfejmë historitë e familjeve nga vijmë me bëmat apo çudirat që kemi dëgjuar nga gojët e më të vjetërve. E njëjta gjë ndodh dhe me çdo popull... Por në këtë rast, ....ndofta me shumë popuj, por jo me ne shqiptarët. Historinë e kemi shkruar përherë nën thundrën e më të fortit dhe çudia është që asnjëherë nuk ka dominuar ajo shtresa intelektuale, e cila i jep sharmin shoqërive të emancipuara. Historia është (sh)bërë siç kanë dashur më të fortët dhe kaq shumë u mësuam me këtë stil, sa në momentin që ajo erdhi në dorën tonë, ne e humbëm shansin ta kapnim, sepse njëkohësisht nuk dinim se si bëhej kjo. Por më e keqja është se jo vetëm nuk dinim, por ne kishim humbur ndjesinë për ta mësuar. Mungesa e pasionit dhe ndjenjës për të kthyer kokën pas dhe për të zbuluar vetveten na ndjek akoma dhe na e komplikon të tashmen.
Nga ana tjetër, individi shqiptar nuk ka qenë pjesëtar aktiv sipas parimeve të një shteti demokratik në krijimin e historisë së vet. Si i tillë, ai është ende pasiv ta rishikojë atë, ka frikë të përballet me vetveten, ka frikë se nuk mund të kuptohet nga të tjerët. Si të tillë, jemi ndjerë jo protagonistë dhe si rrjedhim nuk mund të vendosim për fatin tonë. Tamam si ata nxënësit e dobët që qëndrojnë në klasë vetëm fizikisht, pa kuptuar se ç’bëhet dhe pa u thelluar. Madje, shpeshherë, duke qenë në këto situata, mundohen të ecin drejt qëllimit duke përdorur mjetet periferike dhe pa vlerë dhe jo ato qenësoret.
Gjithashtu ka një stepje, e cila është e kuptueshme për shumë njerëz që nuk e ndjejnë veten mirë nga e kaluara. Kjo është një vlerë, sepse është e lidhur me brerjen e ndërgjegjes, me nevojën për të ndryshuar, me modestinë qytetare. Mirëpo, nga ana tjetër, janë po këta njerëz, shpeshherë të përfolur si pjesë aktive e mekanizmit të dikurshëm të sigurimit të shtetit, që kërkojnë të jetojnë një protagonizëm shumë aktiv, i cili përmbys të gjitha ndërgjegjësimet e mundshme. Pra, nëse më parë shpreha një aksiomë që nuk do të ketë në Shqipëri një komunitet të vërtetë intelektualësh që do ta nxjerrin gomarin nga balta, kjo ndodh se ky komunitet minohet nga të tillë individë.
Në një situatë të tillë, asnjë pjesë intelektuale nuk e ndjen veten mirë për të përballuar katarsisin. Ata që ishin përzier me sigurimin, duan të harrohet historia, shumë të tjerë që nuk e kanë pasur këtë “fat”, nuk mundin të përballojnë ndryshimet dhe përbëjnë më shumë pjesën indiferente që është njëkohësisht edhe më e dëmshmja, janë të lidhur me të kaluarën instinktivisht, vetëm e vetëm se e ardhmja nuk i ndihmon siç duhet në mbijetesën e tyre, të tjerë nuk e kuptojnë dot se rishikimi i historisë ka të bëjë me ndërtimin e fortë të binasë të së ardhmes dhe jo me hakmarrje të vogla individuale nga të cilat mund të kenë frikë. Është edhe një kategori tjetër, ajo e ish të persekutuarve, që është shumë më e madhe se ç’mendohet dhe shumë më e fuqishme nëse ajo vetë do të ishte më shumë koshiente për këtë. Ata ndodhen aktualisht në pozitat më të mjera: të gënjyer, të stërgënjyer dhe të vetëgënjyer, ata përpiqen ta bëjnë shoqërinë të vëmendshme ndaj vuajtjeve qe kanë dhe po heqin. Dhe së fundi, janë të rinjtë, pothuajse gjithmonë jashtë këtij affair-i. Së pari, se i kemi lënë ne jashtë dhe, së dyti, se nuk kanë ndonjë model që mund të ndjekin e t’iu tregojë se cilat janë principet e zhvillimit të demokracisë së individit.

E megjithatë, megjithëse jemi përballë një sfide të vjetër, por të pamësuar mirë, dosjet duhet të hapen. Asgjë nuk do të ndodhë pas kësaj... thjesht do të qetësohen shpirtrat. Sepse shqiptarët e persekutuar e dinë mirë se kush i ka persekutuar, familjet e të vrarëve i njohin shumë mirë emrat e vrasësve, të ikurit ua kanë mësuar tashmë fëmijëve dhe nipërve se cilët ishin shkaktarët e arratisjeve të tyre. Kur flitet për diktaturën nëpër mediat tona elektronike, apo kur intervistohet Nexhmije Hoxha, pavarësisht nga zemërimet dhe mallkimet, apo nga infarktet e lehta që pësojnë shumë njerëz, ideja e hakmarrjes ekstreme ka kaluar. Hapja e dosjeve do ta përmirësojë shumë logjikën politike, do të qetësojë edhe viktimat, edhe të fajshmit. Hapja e dosjeve do të bëjë që të “shpëtohet” shtresa intelektuale e Shqipërisë. Do të jetë një mundësi për të krijuar atë komunitet intelektualësh që po vuajmë ta ngremë, se mesa duket nuk mund të ngrihet dot mbi hipokrizinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›