Tragjedia, gjenden dhe 2 të mbytur
SARANDE/ SHPRESA DINE
Tragjedia e Butrintit thellohet. Dy viktima u gjetën dje, shumë pranë vendit ku u mbyt varka e mbushur me klandestinë, duke e çuar në 4 numrin e tyre. Numri mund të rëndohet më tepër, pasi një 17-vjeçar rezulton ende i zhdukur, ndërsa nuk dihet saktësisht se sa ka qenë numri i njerëzve që hipën në varkën e vdekjes. Kufomat e djeshme i përkisnin dy të rinjve, të dy nga fshatrat e Fierit, të cilët hipën në varkën e vdekjes me endrrën për të mbërritur në Greqi. Festim Hoxha, 20 vjeç nga fshati Vidhisht dhe Amarildo Kuka, 25 vjeç nga fshati Kuman u deklaruan nga familjarët si të humbur vetëm dje, pasi ata nuk dinin asgjë për udhëtimin e tyre drejt jugut. As policia nuk kishte dijeni për praninë e tyre në varkë mbrëmjen e 19 tetorit, por kërkimi për adoleshentin nga Lushnja, Ndriçim Myftari, motivi kryesor i kërkimeve që kanë nisur qysh paraditen e së hënës. Për të tjerë nuk kishte denoncime. Por, polumbarët e RENEA-s nxorën në dritë faktin tragjik, pas dy ditësh kërkime. Rreth orës 11:20 të ditës së djeshme, polumbarët kanë zbuluar një trup në thellësi të ujit. Ai është gjetur pothuajse në mes të kanalit me shpinë nga Butrinti, vetëm pak metra nga mbërritja në breg. Kjo do të thotë që varka është përmbysur pothuajse në këtë vend. Deri në orët e vona të pasdites, kufoma rezultonte ende e paidentifikuar. Kufoma është e seksit mashkull, rreth 30 vjeç, me flokë të zeza, i veshur me një bluzë në ngjyrë të zezë dhe me pantallona xhins. Fillimisht gjithçka u turbullua, pasi familjarë të 17-vjeçarit menduan se ndoshta u gjet trupi i njeriut të tyre. Pas gjetjes së trupit, polumbarët e RENEA-s e morën kufomën nga varka ku ishte dhe e nxorën atë në breg, pikërisht te vendi i quajtur pranë “Vilës së Peshkatarit”. Megjithë dyshimet se nuk bëhej fjalë për trupin e Ndriçim Myftarit, për shkak të moshës dhe fizikut të viktimës, ajo iu tregua familjarëve të tij. Vetë i ati dhe xhaxhai i Ndriçimit mohuan se ishte biri i tyre, duke e bërë më të rëndë ngjarjen.
Pak pas gjetjes së trupit pa jetë, te “Vila e Peshkatarit” kanë mbërritur edhe ekspertë të Komisariatit të Policisë Sarandë, drejtues të Policisë Kriminale dhe atij të Seksionit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Këta të fundit kanë qëndruar bashkë me trupat polumbarë të RENEA-s për disa orë. Por nuk do të mbaronte këtu. Pas gjetjes së kufomës së parë, efektivët e RENEA-s, janë rihedhur përsëri në ujë në kërkim dhe rreth orës 12:45 kanë nxjerrë në sipërfaqe një trup të dytë. Edhe kjo kufomë ishte e seksit mashkull, i veshur me uniformë sportive, në moshë të re. Megjithatë, as ai nuk u arrit të identifikohej si 17-vjeçari Myftari, pasi familjarët e tij që rrinin pranë bregut me zemër të ngrirë thanë se nuk ishte djali i tyre. Rreth orës 13:30, të dy trupat kanë mbërritur në morgun e spitalit “Petro Nako” të Sarandës. Që të dy kufomat e gjetura në ujërat e kanalit të Butrintit kanë mbetur të paidentifikuara deri në orët e vona të pasdites. Vetëm rreth orës 18:00, në ambientet e morgut janë paraqitur të afërm të familjes se Festim Hoxhës dhe Amarildo Kukës, të cilët kanë bërë identifikimin e tyre. Dy djemtë ishin nisur 4 ditë më parë nga shtëpia, për të mbërritur në Butrint, nga ku do të bëhej lundrimi drejt fshatrave kufitarë, mandej për në territorin grek. Por, ende pa kaluar 60 metrat e para, si pasojë e mbingarkesës, varka është lëkundur, duke përfunduar e përmbysur bashkë me grupin e klandestinëve.
“M’u drodh zemra kur pashë të mbyturit”
BUTRINT - Babanë e 17-vjeçarit, Ndriçim Myftari, Yllin, nuk e zinte vendi. Sytë në çdo kohë i kishte plot me lot dhe vështrimin tërë ankth. Pyetjes se do të fliste për gazetën e pranoi duke u shprehur. “Do të flas se familja atje në Imsht të Bubullimës në Lushnje do të më ndjekë në media, se nuk kam të flas me të në telefon”.
Si ndjehesh në këto momente?
Më dridhet zemra kur dëgjoj se po gjenden trupa. Marr frymë thellë kur shoh se nuk është djali im. Edhe pse për këta më vjen njësoj keq si për djalin tim. Kam këmbëngulur shumë për të vazhduar kërkimet pandërprerë dhe kjo ka bërë edhe gjetjen e trupave gjatë ditës së sotme. Kur thanë se gjetën një kufomë, thashë se u gjend çuni im. Se ai kërkohesh, por dalin rob të tjerë të zotit. I them zotit që të jem mirë që të kërkoj djalin, por i them edhe shtetit, kryeministrit, të shtojnë forcat e kërkimit dhe të më gjendet çuni.
Gjendjen tënde të keqe e shpreh. Çfarë mund të na thuash tjetër?
Nuk i thonë shaka, me pahir e kam rritur. Kam katër ditë që kam ardhur në Sarandë dhe nuk do të largohem deri sa ta gjej, sido që të jetë.
A mbani mend sesi është nisur djali nga shtëpia. A keni qenë ju në dijeni për nisjen e tij?
Eshtë hera e dytë që tenton për të ikur në Greqi. Kur iku herën e parë nuk më tha si iku, si u hodh për matanë dhe se si u kthye. Se atë herë e kapi policia greke, e kthyen dhe erdhi në shtëpi. Por pas tre ditësh më drejtohet dhe më thotë: Unë do iki. I kthehem dhe i them se unë nuk kam lekë për të të nisur. “Unë do të iki, nuk rri më këtu”, këmbëngulte djali duke qarë. Thoshte se nuk do të kthehej më këtu. I dhashë 5 mijë lekë se i duheshin për varkën, se ashtu më tha. I dhashë gjithashtu edhe 2 mijë lekë që t’i kishte për rrugë. Vëllai im i madh i dha 50 euro. Herën e parë, për trafikantët ka paguar 3 mijë lekë për të shkuar nga depozita e naftës deri në Sarandë.
Si është gjendja juaj ekonomike?
Shumë e dobët. Punoj tokën dhe e mbjell misër. Prodhimi nuk shkon. I thashë djalit që e kam më të madhin, mos ik dhe eja të hamë këtë që kemi. Por ai mu kthye duke më thënë: “Babi, jemi hollë. Ti nuk ke lekë të na ndihmosh, do iki”. Nuk munda dot ta mbaja. Iku me shokë të moshës së vet, me Denis Zemën dhe një tjetër që ka shpëtuar. Duhet shteti të zgjedhë rrugën se si t’i ndihmojë njerëzit e vet. Sikur edhe 5 milionë të kërkojnë, të ndihmojnë për të nxjerrë vizë njerëzit dhe të mos marrin rrugët e të hipin fshehur nëpër varka e të përfundojnë në fund të detit. Do të shes tokë, shtëpinë për fëmijët e mi. Policia të mos zërë vend te lundra dhe njerëzit të përdorin varka për të kaluar. Të shkojë atje në kufi dhe kush është pa dokumente t’i kthejë, por dihet se ka jetën. Janë fëmijë, duan një jetë më të mirë se nuk rrojnë dot në fshat. I lutem shtetit të bëjë sakrificë dhe të më gjejë djalin. Po fukaraja, fukara ngelet, prandaj edhe nuk mendon për ne. sh.d
Donte të kurohej në Greqi, vdes në varkën e tragjedisë
FIER/ MAJLINDA RAMA
Një mundësi për t’u kuruar, të shërohej e të ishte si gjithë moshatarët e tij. Për Festim Hoxhën, 20-vjeçarin nga fshati Vidhisht i Fierit, arratisja për në Greqi ishte shpresa e fundit. Prej vitesh atij i merrej goja kur fliste, ndërsa një këmbë i kishte krijuar probleme në ecje. Një prej 4 motrave të Festimit, djalë i vetëm në familjen Hoxha, jetonte prej vitesh në Greqi dhe i kishte kërkuar, që vëllai të shkonte sa më parë për t’u kuruar nga mjekët e huaj. Çdo tentativë për të marrë një vizë të rregullt në ambasadën greke ishte e kotë. “Dy vjet më parë, mjekët i nxorën një epikrizë, që ta ndihmonte për të shkuar në spitalet greke. Por na nxorën shumë burokraci me dokumentet, të cilat nuk arritëm t’i bënim kurrë. Festimi nuk kishte rrugë tjetër”, thotë daja i tij. Ai bashkë me xhaxhain e 20-vjeçarit ndodhet në familjen Hoxha, ku nëna dhe motrat e Festimit kanë nisur kujën. Në mbrëmje ato kanë mësuar se një prej viktimave që u nxorën nga liqeni i Butrintit ishte djali i tyre, kur i ati i tij e njohu në morgun e spitalit të Sarandës. Dhimbja është më e madhe për ta, pasi Festimi nuk ka qenë i zoti as për të nxjerrë fjalët e fundit për ndihmë. Prej 5 ditësh ai kishte marrë rrugën për në Greqi. I kishte marrë xhaxhait, Sadushit 30 mijë lekë të vjetra e me to ishte nisur. “Menduam se i donte para për taksi që do e çonte deri në kufi. Nuk e dinim se çfarë rruge do të ndiqte për të kaluar kufirin”, tregon xhaxhai. Kanë dëgjuar për tragjedinë mbrëmjen e 19 tetorit, por nuk ua ka marrë mendja se mes klandestinëve ndodhej dhe djali i tyre. Shqetësimi i tyre është bërë i ndjeshëm dhe i prekshëm vetëm pasi nga shteti helen ka kontaktuar në telefon e bija e tyre, motra e Festimit, e cila i ka bërë me dije se i vëllai nuk kishte mbërritur. Atëherë, alarmi është shtuar. “As që mund ta kishim menduar se do të na gjente kjo fatkeqësi, shprehet mes lotësh Dajlani, daja i Festimit. Ishte nisur për në Greqi dhe, siç ndodh në këto raste, mendonim se do të udhëtonte me ndonjë taksi. Nuk kemi pasur ndonjë lajm të mëtejshëm dhe është pritur që çdo gjë për mbërritjen e tij ta konfirmojë mbesa. Por telefonata e saj na ka shokuar dhe kemi pasur një parandjenjë të keqe, edhe pse nuk ia shprehnim njëri-tjetrit. Akoma nuk e besoj se ka ndodhur një gjë e tillë”. Paraditen e djeshme, i ati dhe familjarë të tjerë kanë shkuar në policinë e Fierit, ku janë interesuar për djalin që ta shpallnin në kërkim se prej tij nuk kishin asnjë shenjë. Prej atje kanë udhëtuar në drejtim të Sarandës, ku tashmë dy trupa të rinjsh ishin gjetur, shumë pranë vendit ku u përmbys varka. Lajmi i kobshëm u ka ardhur vetëm pas identifikimit të kufomës së tij në Sarandë. “Pse ky fat i keq për ty, or bir?!”, ishte refreni i nënës së tij, e cila gjatë këtyre ditëve pati shpresuar se i biri më në fund arriti të realizonte qëllimin.
Vëllai i Amarildos: Kishte turp të rrinte pa punë
FIER - Shtohen viktimat e tragjedisë së liqenit të Butrintit me një tjetër emër. Fati i dhimbshëm është bërë pjesë e familjes Kuka në fshatin Kuman të rrethit te Fierit. Djali i familjes së tyre, 25-vjeçari Amarildo Kuka tashmë nuk jeton më, duke u shtuar në listën e personave që humbën jetën, në tentativën për të kaluar në shtetin helen, në mënyrë ilegale. Familjarët e të riut kanë mbetur të shokuar, teksa kanë marrë vesh kobin që u ka pllakosur në derë. Ata as që e kanë menduar një fat të tillë për djalin e tyre, i cili u ka mbërritur fare papritur. Amarildo ishte nisur para disa ditësh për në Greqi dhe si destinacion ka pasur kryeqytetin grek Athinën. Sipas familjarëve të tij, 25-vjeçari u kishte thënë se do të ikte në Greqi, me qëllim që të rregullonte sadopak gjendjen e tyre ekonomike. “Ishim shumë fëmijë dhe nuk kishim se me se të mbaheshim. Jemi përpjekur disa herë që t’ia dalim me djersën dhe mundin tonë këtu në fshat, por ka qenë gati e pamundur”, tregon vëllai i tij. Ai dje ka trokitur në policinë e Fierit për ndihmë, që t’i gjenin vëllanë, por ishte tepër vonë. Amarildo kishte ndërruar jetë që prej darkës së 19 tetorit, për t’u gjetur vetëm mesditën e djeshme. “Djem të rinj dhe vijnë vërdallë, duke luajtur bilardo dhe letra. Është turp për ne, kështu shprehej herë pas here Amarildo gjatë kohës që qëndronte në fshat. Këtë radhë e kishte ndarë mendjen, që do të ikte në Greqi me çfarëdo kostoje. Mori me vete 50 mijë lekë dhe u nis me disa shokë të tij nga Fieri. Që nga ai moment nuk morëm më asnjë të dhënë apo sinjal prej tij. Vetëm kur u dha lajmi në televizion, atëherë u vumë në lëvizje, sepse ne e dinim që kishte ikur me varkë, por nuk e dinim se ku dhe prej nga. Kur morëm vesh trupat e paidentifikuar, na shkoi menjëherë mendja tek Amarildoja”, tregon vëllai. Ndërkohë, një pjesë e madhe e të afërmve të tij janë nisur në drejtim të Sarandës për të marrë trupin e pajetë të familjarit të tyre, ndërsa në familje ka rënë zia dhe ka nisur vaji. Trupi i 25-vjeçarit u gjet rreth orës 12:45 nga polumbarët e forcave RENEA, duke u identifikuar vetëm në orët e vona të mbrëmjes. Atëherë kur familjarët e tij kanë shkuar me frikë në zemër në morgun e spitalit të Sarandës, ku për fat të keq kanë njohur njeriun e tyre. m.r