E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superpiramidat po hedhin themelet

Lavdosh Ferruni 

Një foto e madhe e kryetarit të bashkisë së Vlorës në faqe të parë të një përditshmeje pak ditë më parë, nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e cilitdo që njihet me shtypin e ditës. Diçitura e fotos ishte: “Si e bëra Vlorën nga kryeqytet të fajdeve në kryeqytet të turizmit”. “Vlora e meriton të jetë ‘numri 1’ për turizmin në vend. Shanset dhe bazat për këtë ia ka dhënë Zoti dhe natyra”, shprehet kryetari i bashkisë, Gjika në këtë intervistë. “Unë që në ditën e parë të mandatit tim të parë kam patur si prioritet zhvillimin e turizmit, si burimi dhe resursi bazë për të rritur mirëqenien dhe begatinë në qytetin tim”, plotëson Gjika.
Dhe flitet më pas për bum turistik. Dhe bumi ekziston. Qyteti gjallon. Ka etje të madhe për të investuar në turizëm në Vlorë dhe me gjithë problemet e mëdha të pronësisë dhe mungesës së planeve të sakta të zhvillimit perspektiv, ndërtimet në zonën turistike vazhdojnë me intensitet. Vlora e ka marrë vërtet fizionominë e pakthyeshme të një qyteti turistik primar në vend.
Rrallë ndokujt do t’i ketë shpëtuar pa vënë re dhe spoti i Ministrisë së Turizmit, sipas të cilit turizmi është rritur 2 herë krahasuar me 2005-ën dhe 10 herë krahasuar me 2004-ën. Rritja e industrisë së turizmit është vërtet e madhe dhe reale. Në skemën reale të ekonomisë së tregut, pavarësisht nga gjithë pengesat apo abuzimet e shtetit, është vërtetuar katërcipërisht se zhvillimi i turizmit në Shqipëri përbën prioritet. Në 2007-ën të ardhurat nga turizmi për Shqipërinë sipas Organizatës Botërore të Turizmit kapnin shifrën 1.4 miliardë USD dhe 6-mujori i parë i 2008-ës do shënonte një rritje prej 38%.
Qeveritë e tranzicionit njëra pas tjetrës nuk mund të mos deklaronin turizmin si prioritet të zhvillimit të vendit. Berisha në një takim së fundmi tek rendiste përparësitë e Shqipërisë do theksonte: “Është njëri nga vendet me potencial shumë të madh turistik”. Dhe është fare i saktë. Por paradoksi ishte se ky deklarim i kryeministrit u bë në takimin që ai i dha me ngazëllim të madh mbështetje projektit që shkatërron në mënyrë përfundimtare turizmin në gjirin e Vlorës, atij të ngritjes së portit të konteinierëve më të madh në Mesdhe. Ky megaport i Vlorës, që po e ka për zemër Berisha, me kapacitet 3 milionë konteinierë në vit, ose me kapacitet sa 25 porte si ai i Durrësit të marrë së bashku, nëse supozojmë që të gjithë konteinierët do shkarkoheshin në tokë, do të thotë që çdo ditë të kalojnë në Vlorën turistike 10.000 kamionë. Ky është koncentrim i një ndotjeje të papërballueshme jo për një zonë turistike, por për çdo qendër të banuar. Nëse shtohet këtu dhe dhënia e 400 ha për zonë të lirë, edhe kjo pjesë e ngazëllimit të Berishës, baza e piramidës zgjerohet në mënyrë absolute duke efektuar në të paktën 200 mijë banorët e gjirit të Vlorës.
Procesi i shkatërrimit të turizmit në Gji të Vlorës tashmë, siç dihet ka filluar me lejet për shkatërrim të tij dhënë nga qeveritarët qendrorë e lokalë (vetë Berisha s’ka firmosur gjë), për TEC-in, Petroliferën, përbindëshin e terminalit të naftës bruto të AMBO-s, terminalin e kanadezëve të Bankers Petroleum, supergardhimin e hekurt me turbinat e erës (250 kulla nga 120 m të larta) në gjithë gjatësinë e kreshtave të vargmaleve përreth Gjirit për llogari të fitimit të miqve siçilianë të qeveritarëve, e të tjera vepra që akoma nuk dihen. Të gjitha këto për llogari të fitimeve të kompanive të huaja. Pak ditë më parë qeveria firmosi dhe kontratën e okupimit nga lobet e ndërtimit të të ashtuquajturit park industrial edhe të 125 ha tokë në qytetin bregdetar të Vlorës. E gjithë kjo maskaradë që po ndodh në Vlorë tregon se tashmë janë hedhur themelet e superpiramidave. Skema piramidale përkufizohet në thelb si “një model biznesi jo i qëndrueshëm”, ku origjinuesit e skemës dhe një pjesë e vogël ndjekësish në majë të “piramidës” përfitojnë nga biznesi, kurse baza e gjerë e njerëzve të përfshirë në skemë rezultojnë humbës si rrjedhojë e mungesës së produktit për të cilën ata kanë investuar. Natyrisht nuk ka piramidë pa mashtrim, specifik mbetet sofistikimi i mashtrimit. Kështu në Vlorë disa qeveritarë duke ushtruar “biznesin” e “zhvillimit të qytetit” ia kanë dalë deri më tash që nëpërmjet mashtrimit e fshehjes, por dhe dhunës shtetërore të krijojnë hapësira për instalimin e industrisë ndotëse të naftës brenda territorit turistik. Nga kjo fiton kupola e piramidës, ku bëjnë pjesë edhe lejedhënësit qeveritarë qendrorë e lokalë dhe padyshim lobet greke të turizmit. Humbës është baza e gënjyer e qytetarëve që i kanë derdhur dhe do vazhdojnë të derdhin kapital të madh në “biznesin e zhvillimit të qytetit” të provuar dhe promovuar si shumë të suksesshëm në turizëm. Nëse sheh p.sh. faqen e internetit të bashkisë së Vlorës mbetesh i mrekulluar nga vlerat e shumta turistike të zonës të paraqitur aty, dhe nëse kërkon të gjesh diçka lidhur me Petroliferën apo TEC-in gjen vetëm një rast, kur në 30 tetor 2007, Komisioneri i Këshillit të Evropës, z. Thomas Hammarberg, u interesua për shqetësimet që ka shprehur komuniteti vlonjat për ndërtimin e veprave me bazë nafte. Asgjë tjetër për rreth 150 milionë euro themele piramidash që po rrënjëzojnë në Vlorë, pra me joshjen turistike kërkohen më shumë viktima të investojnë në turizëm. Mendoni për momentin sikur qeveria të mos mashtrojë e të thotë “qytetar mos investoni në turizëm se qeveria ka plane të tjera”. Ajo që do të ndodhë është se qeveria nuk do të mund të realizojë planet e saj, pasi këto plane nuk do mund të pranoheshin jo vetëm nga Vlora, por as nga gjithë Shqipëria. Kurrsesi nuk do mund të pranohej që “Vlora turistike” të mbetej një e kaluar historike. Pra, kërkohen më shumë viktima dhe mashtrime. Për më tepër 17 vjet investim në turizëm nuk janë pak.
Nëse dikush do pyeste pse shkatërrohet pjesa dërrmonjëse e qytetarëve nga veprat e naftës, do mjaftonte t’i bëhej kundrapyetja: A beson dikush se marinarët e botës nuk do të shpëlajnë hambarët e naftës në Gji, në mënyrë që mos të dëmtojnë turizmin e Vlorës? (në kontratën me Petroliferën thuhet se Petrolifera nuk mban asnjë përgjegjësi se ç’ndosh jashtë portit të saj); a beson dikush se era mund të mos shtyjë tymrat e oxhaqeve e avujt e depozitave në drejtim të qytetit (trëndafili i erërave tregon se në pjesën më të madhe erërat shkojnë në drejtim të qytetit)? 
De fakto, Vlora është përjashtuar nga harta e turizmit. Asnjë investitor nuk ka guxuar të shprehë interes të investojë në bregdetin e Vlorës. Ata e kanë nuhatur piramidën. Një grup biznesmenësh privatë të ardhur nga Norvegjia kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të investuar në zonën bregdetare të Fierit, në vend të Vlorës. Është fjala për investime prej rreth 300 milionë euro. Duket ata shpresojnë se angazhimi i paradokohshëm i Berishës për ndërtimin e një TEC-i gjigand prej 1200 MW në këtë zonë nuk do mbahet. 
Nëse vijmë në Durrës njihemi me projektin e një tjetër superpiramide. Mega TEC-i përbindësh prej 1600 MW (kapaciteti aktual i Shqipërisë është 1450 MW) pret firmat e fundit nga Qeveria e Berishës që të hedhë rrënjë vetëm 5 km larg Durrësit. Ky TEC do të vjellë mbi 8 milionë ton dioksid karboni në vit, domethënë më shumë se emeton sot Shqipëria, kurse energjia e pastër prodhuar nga djegia e qymyrit që do vijë nga Afrika e Jugut do shkojë me kabllin e ndërtuar enkas drejt brigjeve të Italisë. Me këtë TEC, po t’i shtojmë dhe fabrikat e çimentos që po ndërtohen dhe projektohen, Shqipërisë i takon të paguajë dhe taksën e karbonit, pasi arrin kuotën e CO2 për frymë që ka dhe Italia.
Por s’mund të mbetet pa u shkatërruar dhe bregdeti i Veriut të Shqipërisë. Edhe për të u nënshkrua ndërtimi i parkut industrial të Shëngjinit, që gjoja do grumbullojë prodhimet bujqësore të veriut (mashtrimi shumë banal). Së shpejti pritet të ndërtohet dhe porti për transportimin e çimentos në Shëngjin, për prodhimin e të cilës janë vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare kodrat e ultësirës së veriut të vendit.
Mashtrimi i madh, i fundit fare, është punësimi i gjoja 37 mijë vendeve të reja pune nga parqet industriale. A thua se deri tani industritë e lehta e ushqimore nuk janë zhvilluar sa duhet se nuk ka pasur tokë për këto industri? Më shumë mundësi ka që të ndodhë e kundërta, që të eliminohen me dhjetëra mijëra vende pune të industrive jashtë “zonave industriale”.
Dhe ajo që mashtruesit qeveritarë nuk e përmendin është se 150.000 vendet e punës që realisht sot janë të zënë me industrinë e turizmit në ç’masë do të pakësohen? Apo Berisha me Pangon do shpikin ndonjë “turizëm industrial”?
Vendi është para një katastrofe të jashtëzakonshme, paçka se pasojat nuk dallohen dot sot. Opozita duhet të ulërijë me këtë situatë. Me përjashtim të një reagimi zyrtar të drejtë, por të pamjaftueshëm të LSI-së, pjesa tjetër e opozitës me në krye PS po përkundet në kompromiset e mëdha ndërtimore piramidale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›