“Ndëshkim nga BE për sjelljet e qeverisë”
PDS shprehu dje shqetësim për sjelljet antidemokratike të qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Sekretari politik i kësaj partie, Artur Duçkallari, tha se: “I zhytur kokë e këmbë në afera korruptive dhe në mbyllje të qeverisjes së tij të dështuar, Sali Berisha po u kthehet skemave të vjetra të viteve ’96-’97". PDS i kërkoi dje Kryeministrit Berisha të tërhiqet nga rruga pa krye, ku po përpiqet të fusë marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë. “Deklaratat e vazhdueshme dhe shumë të qarta të ambasadorit amerikan, reagimet e vendeve të Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, janë një ndëshkim i qartë dhe i prerë për Sali Berishën. PDS është e shqetësuar kur konstaton se sjelljet dhe mungesa e reagimit të qeverisë mund të ndëshkojnë Shqipërinë me të tjera kritika në progres-raportin e Brukselit, që pritet të publikohet pas disa ditësh”, tha Duçkallari. PDS shprehu dje shqetësim gjithashtu dhe standardin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, për të cilat dyshon se mund të cenohet me zvarritjet e vazhdueshme, që po i bëhet Kodit Zgjedhor.