E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika ekziston vetëm në regjime autoritare

TIRANE - Teksa shikon botën arabe të ngërthyer nga ethet e revolucioneve demokratike, por edhe frikën e ShBA, se në Lindjen e
Mesme mund të largohen liderët që i kanë dhënë mbështetje politikave amerikane dhe rrezikojnë seriozisht paqen në këtë rajon, lind një pyetje e thjeshtë: a mundet SHBA të ndalë lëvizjet, apo në shumë raste është ajo që i ndez ato?
Demokracia, barazia, sundimi i ligjit, lira e medias, toleranca e forcimi i demokratizimi i jetës sociale, janë sot kryefjala e çdo lideri amerikan, si ata që janë në pushtet, ashtu edhe ata që kanë qenë në pushtet. Kërkojnë prerazi që qeveritë të mos reagojnë dhunshëm ndaj qytetarëve të tyre.
Sot në komentin ndërkombëtar të “Gazeta Shqiptare”, do të lexoni një editorial të New York Times, për zhvillime negative në mbretërinë e Bahranit. Një ishull i vogël, jo shumë i izoluar, por i mbajtur si demokratik. Aq demokratik sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur aty një bazë shumë të rëndësishme navale. Po ç’ka ndodhur? Të shtyrë nga revolucionet në Tunizi e Egjipt, populli shiit është ngritur për të kërkuar të drejtat e veta. Sikurse raporton gazetari që gjendet aty, popullsia e këtij vendi me pak më shumë se 1 milionë banorë, është përfshirë nga protestat që më pas kanë përfunduar në dhunë. Dhe aq e fortë është bërë diktatura në këtë vend demokratik ku pjesa më e madhe e popullsisë vjen nga shtresa e mesme, sa asnjë ambulancë nuk mund të lëvizë nga spitalet, veçse nëse do të ketë një urdhër të Ministrit të Brendshëm.
E solla këtë fakt për të treguar realitetin tonë, realitetin e Shqipërisë së 3 milionë banorëve. Ndoshta, nuk jemi në Lindjen e Mesme, dhe nuk i përkasim botës arabe, ndaj dhe përkujdesi amerikan për ne është: “mos e sulmoni më qeverinë”. Madje, shkohet dhe më tej. Ditën e djeshme, ambasada ka bërë paralajmërimin e përhershëm që bën për qytetarët e saj që mund të gjenden në Shqipëri: “Mos u afroni në protestë”.
E si për të plotësuar këtë deklaratë paralajmëruese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, del edhe ministri ynë i jashtëm, i cili thotë: “Ambasada e SHBA është një burim i mirëinformuar, kështu që duhet ta respektojmë. Madje, qytetarët amerikanë duhet ta dëgjojnë”. Po vallë, çfarë informacioni të veçantë ka ambasada amerikane që ne shqiptarët nuk e kemi, lidhur me protestën e sotme të opozitës? Do ketë dhunë në protestën e sotme?
Këto paralajmërimet e ambasadorit të SHBA, më duken qartazi absurde, si thëniet e tij në intervistën e dhënë tek “Zëri i Amerikës”, ku deklaroi se demokracinë në Shqipëri na e tregon fare mirë fakti se “tre gazeta, “Gazeta Shqiptare”, “Shqip” e “Shekulli”, janë gazeta të opozitës”. Ambasadori bëri një gafë që nuk di si ta ndreqë edhe sot e kësaj dite, por që u dha shkas, të gjithë zyrtarëve të PD, të dalin e të thonë se për çdo rast investigimi të këtyre gazetave, të gjitha dokumentet, atyre, ua jep Edi Rama (dhe kjo ka ndodhur edhe publikisht me konferenca shtypi, dhe ky është dëmi më i madh që i ka bërë ambasadori, medias në Shqipëri).
Ajo që nuk kuptoj në gjithë logjikën e deklaratave të zyrtarëve të huaj është fakti: cili është standardi që e ndryshon realitetin në Bahran me realitetin në Shqipëri? Nëse në Bahranin me pak më shumë se 1 milionë banorë, ka mirëqenie më tepër se në Shqipëri, madje ka edhe një bazë amerikane, në vendin e shqiponjave, ka gjithmonë e më shumë varfëri. Njerëzit, duan të protestojnë për varfërinë dhe jetën e tyre; njerëzit duan të protestojnë edhe për 26 të vrarët e Gërdecit, por duan të protestojnë edhe për vdekjen e katër fëmijëve të Zana Xhekës ndërkohë që prokuroria e Durrësit ka mbyllur hetimet pa gjetur një shkak. Po duan të protestojnë edhe për tre të vrarët në protestën e 21 janarit dhe dhjetra të tjerëve të plagosur e të arrestuar. Ndoshta në Shqipëri, ministri i brendshëm nuk e ka ndërmarrë ende hapin për të thënë se ambulancat duhet të nisen me urdhërin e tij, por krimi është krim, dhe për këtë, duhet protestuar.
Po risjell në vëmendje për çdo shqiptar e amerikan, shprehjen e ish- sekretares amerikane të shtetit gjatë viteve 2005-2009, Condoleezza Rice, botuar dje në Washington Post: “Autoritarët nuk i njohin dhe nuk i respektojnë njerëzit e tyre, ndaj dhe i frikësohen atyre....”. Por ne nuk kemi frikë, sepse nuk drejtohemi nga autoritarë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›