“Zemërata” ndaj Amerikës
TIRANE - Ka një lloj “zemërate” që fryn sot në atmosferën shqiptare edhe pse në sinoptikën e mbrëmjes nuk thuhet gjë për të. Një “zemëratë” e mpleksur. me një lloj habie e absurditeti. Gazetarë të njohur, studiues, deputetë, analistë kombëtarë e ndërkombëtarë, të habitur me qëndrimin e ambasadorit amerikan në Tiranë shfryjnë një lloj “zemërate” që e gjen gjithashtu dhe në opinionin publik. Përse vallë kjo? A mund t’i zemërohemi Amerikës që e ka mbështetur gjithnjë Shqipërinë në tranzicionin e saj aq të vështirë? A mund t’i zemërohemi Amerikës së presidentit Willson që e mbrojti me ngulm Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm me pëlqimin e Fuqive të Mëdha pas Luftës së Parë Botërore? Amerikës që nxitoi ta integrojë vendin tonë në NATO dhe që kërkon me ngulm dhe sa më parë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian? Kurrsesi! Kjo zemëratë nuk është ndaj Amerikës. Kjo zemëratë është ndaj ambasadorit amerikan në Tiranë, i cili mesa duket, përballë problemit të vështirë dhe tepër të komplikuar shqiptar, e ka humbur qartësinë e mendimit duke mos e kuptuar siç duhet se çfarë ka ndodhur, çfarë ndodh dhe për më tepër se çfarë mund të ndodhë nesër në Shqipëri. Ai duket se nuk e ka kuptuar ende se cili është kryeministri i këtij vendi dhe dëmet e mëdha që i janë shkaktuar demokracisë shqiptare, duke e kthyer atë akoma më mbrapa, drejt një “demo-krature”, një përzierje e demokracisë me pushtetin e pakufi të princit. Të vlerësosh një “burrë shteti” në momentet kur qeveria vret qytetarët e pambrojtur (ky kryeministër për më tepër i cilëson vrasësit heronj) kjo padyshim i kalon kufijtë e habisë dhe shkon drejt zemëratës. Madje, gazetarët që kritikojnë ashpër dhe që kërkojnë mbrojtjen e institucioneve, ky ambasador i cilëson të majta dhe në shërbim të opozitës. Vallë cili ambasador evropian do t’i cilësonte gazetat që kritikojnë qeverinë si të majta? A nuk e kanë të shkruar ato në krye të titujve se janë “Gazetë e Pavarur”. Vallë, po të kritikosh qeverinë bëhesh “Gazetë e Varur”? Se i shërben opozitës, ndërkohë që po këto gazeta dje kanë sulmuar ashpër liderët e së majtës. T’i karakterizosh gazetarët kaq lehtë, padyshim është diçka naive, që nuk shkon në diplomaci. Madje ta njësosh demokracinë e një vendi vetëm me “lirinë e fjalës”, siç është shprehur ai, nuk është jo vetëm e drejtë por dhe e mundur, pasi mund të kesh liri fjale dhe përsëri të nëpërkëmbesh, të të shkelen të drejtat e tjera, të burgosesh përdhunisht dhe të vritesh padrejtësisht kur t’i manifeston protestën tënde. A mund ta cilësosh korrupsionin si “fenomen shqiptar dhe jo të qeverisë”, siç thotë zoti ambasador, në një kohë kur po e shohim në dritë të diellit se kjo qeveri është një qeveri korrupsioni dhe asgjë tjetër, dhe kryeministri i saj një mbrojtës i aferave korruptive? Ne i kemi ndjekur me vëmendje deklaratat e matura të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të tjera anëtare (madje, bisedat jo publike tregonin qartë hallin e madh të Evropës me problemin shqiptar). Deklarata e “Quai d’Orsay” në Francë e dënonte ashpër përdorimin e armëve më 21 janar, që çoi në vrasjen e katër njerëzve të pambrojtur. Për Evropën është e pa imagjinueshme të qëllosh mbi demonstrues dhe t’i vrasësh ata. Askush nga kancelaritë e diplomacisë evropiane nuk doli t’u thotë forcave “Bravo, ju bëtë detyrën! - në një kohë që ka të vrarë e të plagosur. Mendoj se ambasadori amerikan në Tiranë nuk duhet të sillet si “kavalier” i vetëm, për më tepër në një situatë që kërkon ekuilibër dhe largpamësi. Në skenën evropiane, Amerika ka nevojë ta bashkërendisë politikën dhe diplomacinë e saj me atë të Evropës. Nuk është e nevojshme ta paraprijë atë dhe tu thotë të tjerëve “ecni pas meje” apo “bëni sipas meje”! Madje as të bëjë “porte-parole”-in e ekspertëve të ardhur për të shqyrtuar ngjarjet e 21 janarit në Tiranë. Kjo nuk është punë ambasadorësh. Ja pse, ambasadori amerikan në Tiranë duhet t’u rikthehet dosjeve të ngjarjeve të viteve 1996-1997-1998 në Shqipëri për të njohur akoma më mirë aktorët politikë të djeshëm dhe të sotëm, për të zbuluar shkaqet që e çuan Shqipërinë drejt shkatërrimit, për të gjetur shkaqet e vërteta të konflikteve dhe çfarë do të thotë termi “puç apo grusht shteti”, dhe jo të bëjmë politikën e “strucit” t’i mbulojmë gjërat se gjoja mund të destabilizojmë më shumë, konflikte këto të vazhdueshme që na kanë bërë të humbim shumë kohë për të kapur trenin e Evropës. Ne nuk duam të mbetemi nostalgjikë prustianë të “kohës së humbur”. Ne duam të fitojmë kohën e humbur, të nxitojmë që ta vëmë në themele të forta e solide demokracinë shqiptare dhe jo të vazhdojmë në të njëjtat themele të hedhura shkel e shko, madje keq, siç po i shohim dhe sot. Demokracia shqiptare ka nevojë për një “përmbysje” të klasës politike, ku politika dhe paraja e përfitimi personal në dëm të varfërisë popullore janë kthyer në një. Për sa kohë do të mbështeten verbërisht qeveritë korruptive dhe arbitrare, demokracia e një vendi do të vazhdojë të gërryhet nga gangrena, progresi do të jetë një “pseudo-progres” edhe pse mund të proklamohet me pompë nga qeveritarët se “Shqipëria ka arritur rezultate të shkëlqyera në ritmet ekonomike”, se është ndër vendet më të përparuara etj, etj, etj, gjepura që mund t’i hanë vetëm ata që nuk arrijnë dot të shohin realisht Shqipërinë. Progresi i një vendi nuk bëhet me “Urra!” politike, por me akte, me fakte, me rrugë të hapura që funksionojnë, me fabrika e uzina që prodhojnë, ku njerëzit gjejnë punë për të ndërtuar një jetë më të mirë e të mos shohin drejt kufirit. Me të drejtë korrespondenti i “New York Times” Joel Brinkley në shkrimin e djeshëm të botuar te “Shekulli” thoshte në artikullin e tij se “Për herë të parë në kujtesë, miliona njerëz të shtypur në mbarë botën, që jetojnë nën thundrën e drejtuesve të korruptuar, janë duke u ngritur me grushtat lart duke klithur: Nuk durojmë më! E pra, që mos të arrijmë deri aty, le t’i mbrojmë siç duhet institucionet dhe të drejtat e qytetarëve. Pushtetarët nuk mund të vazhdojnë të ngihen në kurriz të tij.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)